Shtëpia ku shkrimtari i madh Ismail Kadare ka jetuar gjatë periudhës së komunizmit, në një pallat të njohur nga shumëkush në hyrje të rrugës së Dibrës, çeli dje dyert për qytetarët në formën e muzeut. Një nga vizitorët e parë të shtëpisë-muze është vetë gjeniu i letrave shqipe, i cili së bashku me bashkëshorten e tij, Helena Kadare, u rikthye në apartamentin e mbushur me kujtime.

Për Ismail Kadarenë, projekti për shndërrimin e shtëpisë në një muze të vizitueshëm për qytetarët dhe turistët e huaj është një ide e mrekullueshme dhe fisnike. “Askush nuk e dinte këtë projekt dhe ideja vetë është e mrekullueshme, është fisnike, shumë humane. Mua s’më mbetet veçse të përsëris mirënjohjen time për të gjithë”, tha ai.

Teksa falenderoi Bashkinë e Tiranës për realizimin e projektit, Kadare theksoi se shkrimtari nuk mund të kuptohet pa lexuesin e tij, pa gjuhën, pa kombin e pa miqtë e tij. “Në këto raste, dihet që ka ndjesi, rizgjohen emocione. Unë kam ndjenjën e mirënjohjes. Në radhë të parë, një shkrimtar nuk mund të kuptohet pa lexuesin e vet, pa gjuhën e vet, pa vendin e vet, pa kombin e vet, pa miqtë e tij dhe të kombit të tij. Ne kemi nevojë, sidomos Shqipëria ka nevojë, për një afirmim pozitiv, për besim për të ardhmen e saj, ëndërron dhe bëhet gati për të hyrë në Europë. Mua kjo më prek, që marr pjesë në këtë afirmim njohjeje të kombit shqiptar. Edhe puna juaj, e të gjithëve që kanë punuar këtu, më prek shumë, jashtëzakonisht, madje më habit. Edhe fjalët, ku e keni gjetur gjithë këtë energji për këtë”, tha shkrimtari i madh.

Lexo po ashtu:  Çfarë është dashuria? Përgjigjen fëmijët!

Mes emocioneve, bashkëshortja e shkrimtarit, Helena Kadare, shprehu mirënjohjen ndaj Bashkisë së Tiranës për këtë projekt, që synon të rrëfejë detaje nga jeta personale dhe krijimtaria e Ismail Kadaresë. “Në këtë shtëpi kemi patur kaq shumë gëzime, por edhe aq hidhërime, aq shumë sekrete, të cilat kujtoja se do të mbeteshin përjetësisht të mbyllura vetëm për ne, për familjen tonë. Befas, më mrekulloi ideja e hapjes dhe unë vij tani si vizitore. Habitem vërtetë me këtë punë jashtëzakonisht të mrekullueshme që ka bërë bashkia, bashkë me ata vajza dhe djem të rinj, me një energji fantastike. Është shumë e papritur për mua personalisht ta shikoj këtë gjë dhe për këtë punë të mrekullueshme që ka bërë arkitektja Elisabeta, me të cilën kam pasur disa takime. Shumë bukur”, tha Helena Kadare.

Arkitektja e njohur, Elisabetta Terragni, e cila ka restauruar apartamentin për kthimin në muze të shtëpisë së shkrimtarit të madh në Rrugën e Dibrës, shprehu bindjen se kjo është një mundësi e shkëlqyer për të nxjerrë në pah për vizitorët nga e gjithë bota jo vetëm të vlerave të gjuhës shqipe, por edhe të periudhës në të cilën jetoi e punoi shkrimtari ynë i madh. “Ky apartament është për ne rezultati i celebrimit të letërsisë, nuk është një muze klasik, por është një vend ku mund të mësoni më shumë përsa i përket shkrimit në kanavacë. Kjo është një mundësi e jashtëzakonshme, jo vetëm për të festuar gjuhën, që është gjuha shqipe në të cilin shkroi shkrimtari, dhe në të njëjtën kohë për të treguar se si ky shkrimtar ia doli gjatë kësaj periudhe të vështirë për të përkthyer gjithë punët e tij. Ndaj, kjo është gjithashtu ajo çfarë duam të nxjerrim fillimisht në pah, që bota të shohë se ai gjithmonë shkroi në gjuhën shqipe”, u shpreh Terragni.

Lexo po ashtu:  Pas diplomimit, 6 arsye për të mos u stresuar rreth punësimit

Ismail Kadare është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë shqiptarë, i cili ka zënë një vend të rëndësishëm në letërsinë botërore. Ai nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës, duke qenë kështu përfaqësues kryesor i letërsisë shqipe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *