Shkruar nga Astrit Lulushi

Përdorimi i emrit Arnoud nga një derë fisnikësh lë të kuptohet se ai mund të jetë përdorur edhe para viteve 800. Në fakt emri “Arnulf” nga i cili rrjedh edhe “Arnaud” ndeshet qysh në shekullin V-VI, kur flitet për një Shën Arnulf, burrë shteti, strateg ushtarak, kryepeshkop i Mentzit, dhe më pas shenjëtor i Kishës Katolike. Pra është një e vërtetë historike se që në shekujt V – VI emri Arnaud del diku midis Francës dhe Spanjës, dhe papritur pas shumë shekujsh, në vitet 1400 shfaqet në Ballkan nëpërmejt pushtuesve osmanë.

Është thëna se turqit e morrën fjalën “arnaud” nga grekët të cilët e quanin fqinjin e tyre verior “arvanit”. Por që emri “arvanit” të pësonte ndryshime duke u shndërruar në “arnaud” për këtë me siguri do të duhej një periudhë më e gjatë kontakti midis turqve dhe grekëve para se turqit të binin në kontakt me arvanitët (shqiptarët). Këtu duhet patur parasysh edhe karakteristika e turqishtes, e cila fjalët e huazuara nga greqishtja, veçanërisht emrat e vendeve, vazhdon t’i ruajë edhe sot thuajse të pandryshueshme. Rrjedhimisht mund të thuhet pra, se emrin “arnaud” turqit ka gjasa ta kenë patur në fjalorin e tyre shume shekuj para se të binin në kontakt me shqiptarët. Por si dhe kur..?

Në vitin 851-852, morët (arabët myslimanë) pushtuan Barcelonën dhe vazhduan sulmin e tyre drejt veri perëndimit në Navarra dhe Gaskoni, ku ata zunë rob dukën Sançez dhe kunatin e tij, Kontin Ermenon, atin e Arnaudit. Siç ndodh shpesh gjatë pushtimeve, konti Ermenon për të shpëtuar familjen dhe zotërimet e tij bëhet vasal i sunduesve arabë dhe veç haraçit në të holla që paguante, ai ishte i detyruar të dërgonte edhe ushtarë sa herë që trupat muslimane ndërmerrnin fushata. Në vitin 863, gjatë një beteje me vikingët, konti Ermenon, dhe vëllai i tij Turpio vriten. Në krye të trupave vihet Arnaudi i ri, i cili ndryshe nga i ati, ngriti krye kundër pushtuesve, dhe arriti të marrë nën kontroll rajonin Fezensak. Konti Arnaud gjithashtu u përpoq të fuste nën kontrollin e tij edhe Gaskoninë, por pa sukses.

Lexo po ashtu:  Shpalosi flamurin gjigand në Kalanë e Ohrit, arbëreshi dënohet me 1100 euro dhe 5 vjet ndalesë në Maqedoninë e Veriut (FOTO)

Arnaudi, kont i Fezensakut vdiq në vitin 926 dhe falë famës së tij, emri Arnaud, tashmë sinonimi qëndresës, gëzoi një përhapje të gjërë. Në mesjetën e herëshme emri “Arnaud” u bë një nga emrat më të përdorur në jug të Francës. Në vitin 1318, me shtypjen e lëvizjes së Albigjenësve në Francën jugore, fshati i thellë malor Montaillou në malet Pirenenj u bë një nga strehimet e fundit të heretikëve. Historiani francez Le Roy Ladurie përmend mbi 10 familje me mbiemrin Arnaud, dhe fshati Montaillou në atë kohë nuk kishte më shumë se 50 familje.

Në shekullin XII – XIV, për të ndalur zgjerimin e perandorisë osmane, perandori i Bizantit përdori trupa mercenarësh nga Evropa perëndimore, ndërsa në vitin 1324, vetë sulltan Orhani filloi të zbatonte politikën e përdorimit të mercenarëve të krishterë nga Evropa në radhët e ushtrisë osmane, për të pakësuar kështu varësinë e deri atëherëshme për trupa nga fiset nomade. Shumica e këtyre mercenarëve të krishterë ishin njerës të përndjekur nga vendet e tyre kryesisht për arsye fetare. Franca jugore në Mesjetën e herëshme njihej si djepi i heretizmit dhe rajoni ky kisha katolike me kryqëzatën e saj kundër Albigjenësve shënoi fillimin e periudhës së Inkuzicionit. Për pasojë qindra mijëra të ashtuquajtur heretikë morrën arratinë duke kërkuar strehim. Dhe ku tjetër ata mund të ndjeheshin më të sigurt nga inkuzicioni sesa në territoret e perandorisë osmane? Cili vend tjetër do t’u ofronte atyre mundësinë më të mirë për të luftuar, me bindje ose si mercenarë, kundër kishës, sesa perandoria Osmane? Ka gjasa që pas nje farë kohe emri “arnaud” ne gojën e turqve u be sinonim i ushtarit me pagesë ose të krishterë që luftonte në radhët e ushtrisë osmane.

Lexo po ashtu:  Fjalimi i fundit madhështor i Skenderbeut - "Virtyti nuk është fantazi. Ndoshta do ju a thonë një ditë, por mos harroni se ai që do ju a thotë, është një tradhtar, një dinak, që për të mbretëruar në vendin tuaj, do ju sugjerojë maksima të rreme, të cilat herët a vonë do të shkaktojnë përmbysjen tuaj."

“Arnaud” rrjedh nga gjermanishtja e vjetër (teutonishtja) dhe në shqip merr kuptimin “kryeshqiponjë”. Emri “Shqiptar” dihet se është një term relativisht i ri që filloi të përdorej si emër populli disa shekuj pas qarkullimi të termit “arnaut”. Ka gjasa që emri “shqiptar” të mos jetë tjetër veçse një “kalk”, një përkthim i përpiktë i gjermanishtes “arnaud” dhe ndoshta vetëm rastësisht afrohet me termin “arbër”. Arkivat ushtarake austriake përmendin faktin se në gjysmën e dytë të shekullit XVII, në shërbim të forcave të perandorisë austriake kishte një numër të madh arnautësh që luftonin kundër trupave osmane. Ata sigurisht kishin një farë njohurie rreth gjuhës së vendit në ushtrinë e të cilit shërbenin. Ndonjëri prej tyre ndoshta u bë kurreshtar të mësonte kuptimin e emrit “arnaut” me të cilin e thërrisnin dhe kur e dëgjoi, emri “shqipe” duket se i pëlqeu. Në burimet turke dhe ato veneciane të shekullit XVII që bëjnë fjalë rreth fushatave turke në Balkan vihen re edhe shprehje të tilla si “arnautë dhe arnautë-shqiptarë”. Kjo lë të kuptohet se shprehja “arnaud” sapo kishte filluar të “shqiptarizohej”.

Lexo po ashtu:  Gazeta e parë në botë, Sparta, tempujt e parë monoteistë dhe kuriozitete të tjera

Profesor Çabej thotë se ‘dalja fitues i emrit “shqiptar” ndaj atij “arbër” nga fundi i shekullit XVII morri shkas ndoshta nga shtegtimet e shumta të fiseve shqiptare të kohës së mesme, formime fisesh të reja, dhe dyndja e osmanëve.’ Në këtë rast mund të thuhet se shtegtimet e shumta dhe dyndja osmane që solli me vete emrin “arnaud”, ishin ato që ndihmuan në daljen fitues të emrit “shqiptar”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *