Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar ndaj vendimit për miratimin e shqyrtimit të kërkesës për shpenzim për interesin publik të një parcele në Prishtinë nga Qeveria.
Deputeti Liburn Aliu thotë se kjo parcelë që shpronësimi i saj kushton 55 milionë euro i takon një kompanie private dhe se po bëhet me qëllim të përfitimit të grupeve të interesit.
“Pasi kemi hulumtuar e kuptojmë se kemi të bëjmë me një shpronësim 55 milionë euro. Pra Qeveria është në rrugë të shpronësimit të një objekti me vlerë 55 milionë euro. Pas inicimit të Ministrisë së Administrimit Publik dërguar në MMPH për shpronësim është bërë e qartë vlera dhe përfituesi. Pra është në pronësi të kompanisë Dukagjini shpk. Është detyrë e jona të tërheqim vërejtjen që ta ndalohet këtë sepse Kosova nuk e ka luksin të shpenzojë ato në objekt të gatshëm”, tha ai.
Aliu thotë se nëse Qeveria nuk tërhiqet nga ky vendim, do t’i drejtohen edhe Kuvendit dhe ministrive përkatëse.
“Vendimi për shpronësim a mund të na thotë kryeministri se në bazë të cilit plan është duke u bë. Ne po e dimë se nuk është nga asnjë plan. Qeveria PAN janë në kaos, këtu dinë vetë profiterët se çka janë duke bë çdo gjë tjetër është kaos. Do të kërkojmë në Kuvend nga Kryeministri, ministri i MF-së dhe MMPH që të ndërpresin menjëherë procedimin e mëtejshëm të hapave të shpronësimit”, thotë ai.
Edhe anëtari tjetër i VV-së, Avni Zogiani, akuzoi PKD-në dhe AAk-në se po shpërblejnë grupet e tyre të interesit.
“Dhjetëra miliona euro do të futen në një vend ku janë futur vetëm dy milionë euro. Marrëdhënia klienteliste e pan qeverisë nuk është e re, ka një histori. Qeveritë e prira nga PDK dhe AAK kanë shpërblyer këtë grup interesi edhe me tjerë tenderë e tjera afera. Ne kemi dalë sot për të paralajmëruar se një gjë e tillë shkakton një dëm të konsiderueshëm të interesit publik dhe do duhej të ndalohej që në fillim”, thotë ai.