Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se në Serbi, tash 20 vjet është heshtur në lidhje me “të bëmat heroike” të ushtrisë së Serbisë gjatë bombardimeve të NATO-s dhe gjatë “mbrojtjes së tokës në Kosovë”, por tha se kjo kohë ka kaluar.

Në akademinë solemne për të shënuar 20 vjetorin e betejës së Koshares më 1999, Vuçiqi ka thënë se 20 vjet heshtje janë shumë dhe “më nuk kemi të drejtë të heshtim e as të skuqemi, sepse kemi me çfarë të krenohemi”.

“Ne, jo që vetëm kemi pëshpëritur, por jemi fshehur në 15-20 vitet e fundit, jemi frikësuar dhe turpëruar për të folur për heroizmin e popullit tonë. Jemi fshehur për t’i bërë për vete ata që na bombarduan, vranë popullin tonë”, tha Vuçiqi në këtë organizim, raporton agjencia serbe e lajmeve “FoNet”.

Ai pyeti se kush fitoi më 1999, “ato 19 shtete arrogante dhe të shfrenuara që deshën t’ia heqin kokën një vendi të vogël e një populli të vogël’, apo ai vend dhe ai popull”.

Lexo po ashtu:  Mjeku nga Toronto që shpjegon pse paniku do na lëndojë më shumë se sa sëmundja

“Ne kemi atë që ata s’e kanë – i kemi djemtë tanë, djemtë serbë, djemtë e Serbisë, që ata të gjithë bashkë nuk i kanë”, tha presidenti serb, transmeton Koha.net.

Tutje, kreu i shtetit serb tha se “Serbia s’e kërcënon askënd, por di të mbrohet dhe të mbrojë popullin e vet nëse sulmohet”.

“Përgjigja serbe do të jetë më e fortë dhe më e fuqishme se kurdo në historinë bashkëkohore”, u shpreh Vuçiqi.

“Të tjerët s’i prekim, askënd nuk e kërcënojmë, por popullin dhe vendin tonë do të jemi në gjendje të ruajmë gjithandej. Askënd nuk po e kërcënojmë, por do të dimë të mbrojmë serbët dhe Serbinë”, tha ai.

Ai tha se tani është e rëndësishme që Serbia, “pas fitoreve ushtarake dhe humbjeve politike” të nisë të fitojë edhe në politikë dhe që “çdo lëvizje jona aventureske do të ishte humbje e Serbisë”.

“Por do të ishte edhe humbje e shqiptarëve nëse tentojnë një aksion të ri të marsit apo t’i dëbojnë serbët nga Kosova”, ka paralajmëruar Vuçiqi, duke thënë se për këtë arsye duhet të arrihet marrëveshje me Kosovën e cila “përjashton gjakun, luftën e përleshjet”.

Lexo po ashtu:  Lista Serbe nuk do ta pengojë formimin e Qeverisë Kurti

“Një paqe e tillë nevojitet edhe për trimat tanë të vdekur, për ata që na sollën paqen”, tha Vuçiqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *