Nazmi Bajra nga Podujeva, gjatë viteve të ’90-ta, derisa punonte në shkollën QAMO “8 Nëntori”, së bashku me shumë nxënës të kësaj shkolle, u helmuan si pasojë e gazrave toksike të hedhura nga forcat serbe kundër nxënësve shqiptarë. Bajra dhe Ramadan Topanica, një i helmuar tjetër gjatë asaj kohe, thonë se si pasojë e këtyre helmimeve, gjendja e tyre shëndetësore nuk ka qenë aspak e mirë

Arlinda Sejdiu

Me hapa të ngadaltë po del në oborrin e shtëpisë së tij. Nazmi Bajra nga Podujeva, para më shumë se 1 muaji, i mbijetoi një operacioni të rëndë në zemër.

Thotë se problemet me zemër i kishin filluar tri vjet më parë.

Ai thotë se vetëm pas një viti, kur i kishin filluar simptomat e sëmundjes, ai ishte shtrirë në spital.

Mjekët kishin konstatuar se gjendja e tij shëndetësore nuk ishte aspak e mirë. Ndonëse, sipas mjekëve, Bajra duhej t’i nënshtrohej një intervenimi në zemër, kjo ndërhyrje nuk i ishte bërë.

Kështu, Bajra ka qëndruar pa e përfunduar operacionin deri në prill të këtij viti, kur edhe i është përkeqësuar gjendja shëndetësore.

Lexo po ashtu:  Forcohen marrëdhënjet në mes kombit shqiptar: Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë pritet me ceremoni shtetërore nga homologu i Kosovës

Por, problemet shëndetësore për Bajrën kanë filluar që nga viti 1990, atëherë kur edhe kishin ndodhur helmimet nga serbët me gazra toksike në shkollën QAMO “8 Nëntori”.

Ai kujton se si kishte ndodhur e gjithë ngjarja.

“Unë kur më ka helmua Serbia  në atë kohë në vitin 1990, kam qenë në shkollë duke punua. Ka ardh drejtori ka thane se është do ujë në një pushimore, merri disa nxanësa edhe shko pastroje pushimoren se ka ujë. Edhe aty kish pas ujë për me thanë 12 cm trashësia e ujit edhe mbi ujë  prashak i bardhë, po ku e disha unë çka ka pas aty”, tregoi ai.

Në kontaktin e parë me helmin, nxënësit ishin rrëzuar për tokë, kishin të vjella e alivanosje.

Që nga ajo kohë, ai thotë se gjithmonë kishte pasur probleme me shëndetin. E pasojat e asaj kohe, sipas tij, dyshohet se kanë shkaktuar ditëve të fundit edhe një problem tjetër te Nazmiu.

Ai thotë se edhe nxënësit të cilët janë helmuar në atë kohë, kanë mbetur me pasoja nga helmimet. Sipas tij, disa kanë mbetur edhe pa krijuar familje.

Lexo po ashtu:  Kryeministri: 3 vite mungesë në ndjekjen e krimeve të luftës

Edhe Ramadan Topanica është një nga të helmuarit e asaj kohe. Atëherë, Topanica kishte punuar si tregtar.

Qëkur ishte helmuar, problemet shëndetësore nuk iu larguan asnjëherë.

Në librin e Fehmi Krasniqit, për helmimet që janë bërë, thuhet se në komunën e Podujevës nga të helmuarit, traumën më të madhe e përjetoi familja e Arlinda Vllaskut, e cila vdiq nga pasojat e helmimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *