Vërtitet një re e zezë mbi botë,
e zezë si unë,
leh natën një qen i tërbuar nën portë,
tërbuar si unë.

Zvarritet një gjarpër nga rrugë e vithisur,
një gjarpër si unë, 
kalojnë në shtigje plot njerëz të krisur,
të krisur si unë.

Lëkunden në qoshe të rrugëve kurvat,
lëkunden si unë,
bërtasin lypsarët si kafshët në guvat,
në guvat si unë.

Kërcejnë majmunët në pyjet e xhunglat ,
majmun dhe unë,
jeton botë e çmendur me vallet dhe plumbat,
e çmendur si unë.

Tmerrohet njeriu kur lind mbinjeriu,
tmerrohem dhe unë,
kur vdes mbinjeriu merr zemër fatziu,
marr zemër dhe unë.

– Dritëro Agolli

Lexo po ashtu:  “Rusët po vijnë”, një dosje e plotë e portretit të diplomacisë dhe strategjisë ruse në Ballkan prej 2014-s

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *