Një hapësirë e gjelbëruar rreth gurëve të varreve, trotuar me ulëse të drunjta anash dhe shtylla ndriçuese do të jetë pamja e re e varrezave hebraike në lagjen “Arbëria” në Prishtinë. Si gjurmë të komunitetit hebraik, që për disa shekuj ishte pjesë përbërëse e mozaikut kulturor të Prishtinës, këto varreza për vite me radhë nuk janë trajtuar nga institucionet përkatëse.

Në databazën e Ministrisë së Kulturës, varrezat hebraike në lagjen “Arbëria” janë përfshirë në listën e monumenteve nën mbrojtje të përkohshme me numrin identifikues 3399.

Me përkrahjen e Zyrës së Bashkimit Evropian, Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) dhe Komunës së Prishtinës, të martën, kanë filluar punimet për rivitalizimin e varrezave që datojnë nga shekujt tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë.

Si pjesë e projektit “Dialogu Ndërkomunitar Gjithëpërfshirës për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore”, të financuar nga Instrumenti i BE-së për Paqe dhe Stabilitet (IcSP) dhe i zbatuar nga UNDP-ja, punimet do të përqendrohen në vënien në pah të historisë së pranisë hebraike në Prishtinë, zbukurimin dhe rigjenerimin e zonës përreth, si dhe krijimin e një sheshi të vogël për aktivitete të ndryshme.

Lexo po ashtu:  Sa keq do të goditet Rusia nga sanksionet e reja?

Historiani britanik, Noel Malcolm, shkruan se në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë në Prishtinë jetonin 305 hebrenj spanjishtfolës, kurse në vitin 1910 llogaritej se jetonin 3 mijë në krejt Kosovën. Disa emra rrugësh dhe varrezat hebraike(edhe në lagjen “Velania”) janë ende dëshmi të pranisë historike të hebrenjve në Prishtinë. Regjistrimi i popullsisë në vitin 1991 evidentoi 112 hebrenj në krejt Kosovën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *