Forcat e policisë që prej mëngjesit mbanin të rrethuar godinën e Teatrit Kombëtar janë tërhequr në orët e mbrëmjes. Rreth orës 21.40 uniformat e policisë dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë janë larguar nga teatri pas gati 15 orësh tensioni dhe përplasjesh.

Artistët dhe qytetarët kanë pushtuar më pas ambientet e Teatrit pas një beteje që zgjati prej mëngjesit dhe ku nuk munguan tensionet dhe përplasjet. Artistë e përfaqësues të shoqërisë civile kanë bërë rezistencë duke hyrë në ambientet e brendshme kundër boshatisjes së nisur prej ditësh në kuadër të projektit për ndërtimin e teatrit të ri mbi rrënojat e të vjetrit.

Nuk dihet nëse tërheqja e policisë është e përkohshme. Një pjesë e aktorëve dhe qytetarëve vijojnë të qëndrojnë para dhe brenda godinës së Teatrit Kombëtar. Ata e kanë konsideruar një fitore të madhe, tërheqjen e policisë.

Regjisori Edmond Budina u shpreh se protestuesit do të vijojnë të qëndrojnë aty derisa kjo qeveri të rrëzohet dhe Teatri të rikonstruktohet dhe jo të shembet. Ai ka falënderuar protestuesit, teksa ka paralajmëruar se nuk do të tërhiqet.

Lexo po ashtu:  Cakaj-Konjufca: Koha për thellim të mëtejmë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë

“Politikanët shkojnë e vijnë, qytetarët mbeten. Në duhet ta drejtojmë demokracinë. Këtej e tutje mos na lini vetëm. Prej një viti e gjysmë që jemi natë për natë dhe kemi 5 net që po e gdhijmë këtu. Ju falënderoj me shpirt që jeni këtu. Ne do të jemi këtu deri në fund, derisa sa të bjerë kjo qeveri dhe të rikonstruktohet ky teatër. Ne nuk tërhiqemi”, – u shpreh Budina. 

Edhe Kreu i PD-së, Lulzim Basha u është bashkuar sërish qytetarëve e aktorëve të cilët ndodhen te Teatri Kombëtar duke protestuar kundër shembjes së tij. Basha mbërriti pasi nga ambientet e Teatrit u larguan forcat e policisë dhe FNSH-ja.

“Të dashur artistë, qytetarë, ju falënderoj për shembullin e jashtëzakonshëm, heroik qytetar dhe europian që i treguam mbarë botës me qëndresën tonë, që me Aleancën për Teatrin, kauzën më fisnike, mirënjohje për sakrificën tuaj. Zonja dhe zotërinj të aleancës, jeni krenaria dhe frymëzimi për opozitën, qytetarët, jeni etaloni i ri i qëndresës së pathyeshme të qytetarëve të bashkuar kundër së keqes”, – tha Basha në fjalën e tij. 

Lexo po ashtu:  Studentët në Tiranë bojkotojnë mësimin, bashkohen me protestat

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *