NE NUK SHESIM PRINDËR
Një çift i ri hyri në dyqanin më të bukur të qytetit që shiste lodra fëmijësh. Burri dhe gruaja panë për një kohë të gjatë kukullat e lojrat e ndryshme me ngjyra të mrekullueshme. Kishte kukulla që qanin e që qeshnin, lojra elektrike, kuzhina të vogla që gatuanin torta të vogla e pica. Nuk arrinin kurrë të vendosnin se çfarë të blinin.
Atëherë, u afrua një shitëse, që t’i ndihmonte.
“Shikoni”,- i tha gruaja,-“ne kemi një vogëlushe shumë të vogël, por jemi jashtë shtëpie pothuajse gjithë ditën, e shpesh edhe në mbrëmje”.
“Është një fëmijë që qesh pak”,- vazhdoi burri.
“Dëshirojmë t’i blejmë diçka që do ta bënte të lumtur”,-tha gruaja,- “edhe atëherë kur ne nuk jemi aty. Diçka që mund ta gëzojë edhe atëherë kur është vetëm në shtëpi”.
“Më vjen keq”,- buzëqeshi me dashamirësi shitësja,- “por, ne nuk shesim prindër”.