SKANDAL ! JO, ASPAK!

…dhe pastaj gruaja e për dalme , e shtrirë mi shtresat e buta, me krye të pështetur mbi jastëkët prej puplash, dhe e lëshuar fare nga epshet, rënkoi: një rrëngjethje iu ravijëzua mi gjirin e parfomuar dhe një çere e verdhë, e verdhë dyll iu ndeh mi mollëzat e pispillosura të fytyrës.
… E kishte njojtur: ishte ai, ai vetë, i biri i efendikojt të saj të njëhershëm! Sa vjetë kishin kaluar që atëherë!
Vajzë tetëvjeçare, e leckosur dhe e zbathur, e pashëndet dhe melankolike, zbriti ajo nga malësia në qytet për të kërkuar krodhën e bukës. Midis lotëve dhe dënesave la në kasolle, të zhveshur e të urtuar, prindërit me të dy vëllezërit e vegjël. U duk sikur i eci fati: një zotëri i madh i qytetit, një afendiko i vërtetë dhe hijerëndë, e pajtoi shërbëtore. Malësorka dhjetë vjet me radhë punoi natë e ditë në shtëpinë e zotërisë, pa u lodhur, pa u ankuar.

Edhe të birin e vetëm të zotërisë e përkundi në djep me një mijë ledhatime, e mbajti ne krah oborr më oborr, dritare më dritare, kopsht më kopsht e pallat më pallat me aq kujdes e dashuri, sa edhe me qumësht dallëndysheje e ushqeu. Malësorka, e përvuajtur sa s’ka, në lulen e rinisë së saj, mveshi bukuri të re, nur të ri. Nga magjia e syve të saj e nga gjallëria e virgjërisë, një ditë zotëria i nderuar u deh dhe bëri mëkatën më të madhe: e shtiri në lak!

Lexo po ashtu:  Është viti 1949 - Esad Mekuli i kushton femrës këtë poezi të fuqishme

Skandal!
-Jo, s’ka si ngjan skandal në familjen e zotërisë së nderuar! – vesh më vesh, pëshpëritnin familjet e nderuara të zotërinjëve të qytetit.
Një mbrëmje dimri zotëria e nxorri me shkelma nga shtëpia malësorkën për të mbajtur lart nderin e familjes së vet. Mëkatarja u gjind në rrugën e madhe midis dëborës, të ftohtit, urisë e frikës. Por, papandehur, dikush, dhe ai dikush ishte i pasur e zemermirë, – e ftoi në shtëpinë e tij. Më vonë një tjetër,… e një tjetër…

Skandal!
– Jo! Nuk ngjajnë skandale në shtëpitë e zotërinjëvet! Janë gratë e liga ato që e prishin moralin! – kalon gojë më gojë e vesh më vesh fjala dhe hakarritja kundra mëkatares.
Mirëpo u gdhi një ditë edhe më e zezë: Malësorkën, që kishte zbritur para disa vjetëve me mijë shpresa në gjirin e qytetit të qytetëruar për të lypur me djersën e saj bukë, mëshirë e qytetërim, sigurimi publik e vendosi në shtëpinë me fenerin e kuq te dera !

Skandal!
– Jo, aspak! Eshtë drejtësia shoqërore! – buzëqeshnin zotërinjtë e nderuar, që i kishin blerë trupin mëkatares me para, vetëm me … para!
Dhe vitet kaluan me buzë të plasura e me epshe të ngrira duke ja bërë qejfin  njërit e tjetrit më keq se skllave e shitur, më keq se bushtrë e ngordhur! Tani ja edhe ai, ai, i biri i zotërisë së saj të njëhershëm; po, ai, dora vetë, të cilin e kishte përkundur e ledhatuar dikur në djep si vlla, si motër! Ja edhe ai zotëri, si shtazë e urtuar, hodhi kthetrat e tij mbi trupin e saj me… para!
E njojti, mbasi kishte shfryrë epshet, por e njojti: ai ishte rritur, ishte bërë tamam burrë!

Lexo po ashtu:  123 vjet nga botimi i “Alfabetares së gjuhës shqipe”

O Zot! Ai ishte, dora vetë! I vinte t’i thërriste, të kacafytej, t’i rrëfente mëkatin e të jatit, – e zotërisë së saj mbi trupin e saj… – o fundi i fundit, t’i binte ndër këmbë, t’i çfaqej se cila ishte e t’i kërkonte lëmoshë, drejtësi, paqe, nder!
Por s’ishte e zonja as për njërën, as për tjetrën!
Ai, si një bishë e kënaqur, nxorri nga kuleta paratë, – çmimi i denjë për dëfrimin e denjë, – ja hodhi në pëqi dhe i buzëqeshi.
Ajo e vështroi me mallëngjim dhe iu mbushëm sytë me lotë.
– Oho, ashtu jeni juve gratë e liga: na shtireni sikur na doni! – u tall ai dhe i qetë doli nga dhoma e me të fëshfëllyer kapërceu prakun e derës, ku varej feneri i kuq.
Ajo ra përmbys mbi shtrat, zuri kokën me grushte dhe u shkri ne vaj!

Skandal!
Jo, aspak! Eshtë drejtësi shoqërore!

15-qershor-1994

Shkëputur nga romani “Kurora e Rinisë” – Sterjo Spasse. – Shpërndaje dhe Pëlqeje gazetën MekuliPress

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *