- Asnjë person nuk ka pse të marrë pjesë në “sondazhe” ku duhet të paguash për t’u regjistruar. Vota është e lirë dhe e fshehtë, as duhet të paguash, as nuk ke pse të deklarohesh. Sondazhet e mirëfillta bëhen nga studiuesit shkencorë në të mirë të shoqërisë, jo nga kompani biznesore, mediale a partiake që synojnë të studiojnë popullin për t’ia futur, ekonomikisht apo politikisht.
- Mos ndiqni rrjetet sociale dhe mediat, ato funksionojnë si platforma marketimi dhe reklame. Mençuria nuk shfaqet dot aty, edhe kur e ke, aq më pak sinqeriteti politik e pastërtia morale. Politika nuk është spektakël. Njeriu i politikës duhet të vijë te ju përherë, ta njihni e të flisni me të. Mos u mashtroni nga showbizi dhe nga “inxhinieringu i fushatës”. Ai që ka mashtruar dje mashtron edhe sot, ai që ka vjedhur dje do të vjedhë dhe nesër, ai që të harroi dje do të të harrojë prapë. Mos u gënje nga mediat dhe rrjetet sociale, ata, nëse dikush i paguan sa duhet, mund të synojnë të të bëjnë ta humbësh lehtë besimin te i miri, e ta harrosh lehtë pabesinë e të ligut.
- Mos ndiq interesin e vogël, por atë të gjithë shoqërisë. Mos voto për inat të askujt, as për hatër të dikujt. Mos shko pas mikut, kushëririt, vendit të punës. Voto që e nesërmja të jetë bile 20% më e mirë se e sotmja, për të gjithë. S’ka kuptim të shohësh veç interesin tënd, kur gjithë vendi po shkatërrohet.
Arbër Zajmi