Nga Erald Kapri
Imazhi i Zogut u godit seriozisht në Janar 1943, kur një nga gazetat më të lexuara të Londrës, “Sunday Pictorial”, publikoi një artikull deri në kufijtë e groteskes për monarkun e shqiptarëve. Çështja u bë interesante sepse Zogu hapi padi ndaj gazetës dhe fitoi, plot 1 mijë sterlina (vlera në ditët e sotme është rreth 55 mijë sterlina).
Pasaktësitë në këtë shkrim bindën gjykatësin anglez se gazeta kishte shpifur ndaj Mbretit Zog dhe gazeta u detyrua të kërkojë ndjesë publikisht në faqet e saj si dhe të paguajë dëmin moral konvertuar në 1 mijë sterlina.
Zogu ia besoi çështjen avokatit, Valentine Holmes. Një nga argumentet e avokatit që bindi Gjykatën e Lartë të dënojë gazetën, ishte se Zogu nuk mori 2 milionë sterlina me vete, siç pretendonte gazeta, por shumë më pak dhe me vendim qeverie, se fundja, “ishte më mirë t’i merrte me vete se ti linte në dorën e Musolinit”.
Pretendimi se Mbreti Zog mori paratë e shqiptarëve pas largimit me 7 prill 1939, u cilësua si shpifje.
Gjithashtu, përfaqësuesi i Zogu tha në Gjykatë se Zogu “nuk ka lindur në
kasolle mali” por ishte pasardhësi i një prej krerëve më me rëndësi në
veriun e Shqipërisë, zonës së Matit, si dhe që “Zogu nuk ka pasur lidhje
me asnjë grua që kishte vrarë veten”.
Avokati i gazetës kërkoi marrëveshje dhe pranoi pretendimet e avokatit të Zogut, duke shpëtuar gazetën nga një vendim gjykate, që mund të ishte shumë më i dëmshëm. Dhe, për ta çuar triumfin e tij deri në fund, Zogu tha se do i shpenzonte paratë e fituara për bamirësi.
Po çfarë shkroi gazeta për Mbretin Zog, në artikullin “Ai ëndërron për një uniformë të bardhë”….
(Pjesë nga libri “Mbreti Zog, Lufta e Panjohur”, i cili del në Tetor, bashkë me shkrimin e plotë të “Sunday Pictorial”)