Është ndarë nga jeta ish- gjenerali i njohur shqiptar Rrahman Parllaku.
Gjenerali është ndarë nga kjo botë në moshën 100 vjeçare, duke jetuar kështu për një shekull të gjatë, përfshi këtu në kohën e luftës anti-fashiste, si një hero e komandant por edhe si i persekutuar i kohës së komunizmit.
Presidenti ka reaguar mbi lajmin me nje mesazh te ndjere per gjeneralin:
“Me pikëllim të madh dhe dhimbje të thellë mora lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të Gjeneralit legjendar Rrahman Parllaku, partizanit dhe komandatit fitimtar antifashist, qëndrestarit të pamposhtur të burgjeve komuniste, veteranit me arsye dhe zë të kthjellët në mbështetje të demokratizimit të Shqipërisë. Në udhëtimin e tij shekullor, Gjeneral Parllaku, jetoi luftën dhe paqen, fuqinë e pushtetit dhe persekutimin e pamëshirshëm, duke sfiduar kohët dhe regjimet, me përkushtim ndaj kombit, trimërinë dhe urtësinë e malësorit, shpirtin e lirisë dhe atdhedashurisë, duke mbetur i pathyer në çdo betejë që zgjodhi dhe iu imponua përgjatë 100 viteve.
Në 75-vjetorin e çlirimit të Atdheut, ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për të gjithë ne, që mësuam aq shumë nga vepra e tij, jo vetëm për karakterin e pathyer të njeriut të drejtë, por edhe për luftën, sakrificat sublime dhe kontributet e jashtëzakonshme të popullit tonë gjatë Luftës së II Botërore. Duke u shprehur familjes Parllakut, të afërmve, miqve e dashamirësve të tij të shumtë, ngushëllimet më të sinqerta, jam i bindur se emri dhe vepra e tij nuk do të ndahen kurrë prej nesh! Lamtumirë Gjenerali ynë fitimtar” shkruan Meta
Kush është Rrahman Parllaku:
Lindi në fshatin Novosej të Lumës, i biri i Latif Parllakut dhe Kadimes. Shkollën fillore e kreu në Shishtavec. Në moshën 12-vjeçare ka filluar punë me babanë dhe vëllanë në profesionin e pastiçierit nga viti 1932 në Cakran të Mallakastrës dhe nga viti 1936 në Selenicë të Vlorës.
U kthye përsëri për të vazhduar shkollën dhe për të dhënë provimet. Me ndihmën dhe këmbënguljen e mësuesit të tij Salih Kolgeci, dhe të drejtorit të shkollës Myslim Sina nga Tërbaçi i Vlorës, arrin ta përfundojë arsimin fillor 5 vjeçar.
Më 1930, babai i Rrahmanit, Latifi , së bashku me të vëllain u largua për në Vlorë dhe Cakran të Mallakastrës. Nga viti 1936 deri në vitin 1939, Rrahmani punoi në Selenicë të Vlorës.