Nga Luan Rama
Nuk jam gati të të them lamtumirë – Oratorio

(Prej 20 vitesh një atë kërkon bijën e tij të zhdukur)

Vajza ime, lulja ime e bukur
mëkuar e praruar nga dashuria
nga njëmijë diej të kësaj bote
unë nuk jam gati të të them lamtumirë
askush nuk e di se ku ke shkuar dhe në ç’shteg ke humbur
asnjë lajmëtar nuk n’a shfaqet në prag
njëzet vjet shkuar, oh ç’terr i gjatë
në këtë shtëpi-varr
ku të gjitha orët kanë mbetur
që natën e gjëmës kur s’u shfaqe më
do doja të ishe gjallë diku, dhe në cep të botës
do doja t’i gëzoheshe dritës e jetës
edhe pse s’do ta dëgjoja më këngën tënde
atë të netëve të ëmbla të verës
atë të qumështit dhe gjakut.
Çdo minut dhe çdo orë e dashur bisedoj me ty
eci nëpër rrugë dhe përsëri flas me ty
të flas për qershitë që kanë çelur që ti të mos kesh dhimbje
rikujtoj përrallat
dhe ditën tënde të parë të dashurisë kur u ktheve vonë
me lumturinë e botës në krahë,
të flas në gjumë në kushmarin e tmerrshëm
apo në ëndrrën e bukur të kthimit
kur si zanë vjen veshur me të kuqe
dua të di çka ndodhur bija ime
vallë ke ende plagë të hapura
vallë ti fle përgjithnjë
në një shtrat dheu që vetëm një vrasës e di
dhe engjëjt?
O zemra ime me fustanin e kuq
me shtatëmbëdhjetë vitet e jetës tënde
si mund të të them lamtumirë
kur nëna tënde ende pret në çmendurinë e saj
«po vjen» thotë ajo
«eja të bëjmë gati shtëpinë dhe të ndezim zemrat tona
të hapim portën dhe dritaret
eja burri im i mirë
vajza jonë po vjen me këtë qiell kaq të bukur
në këtë okër mahnitës…
dhe më së fundi ajo ulet në prag
gjersa gjumi e zë në pritjen e saj të madhe.
Bija ime, harabeli im i artë
më dërgo një shenjë, vetëm një shenjë
që unë ta njoh atë
dhe ta di se vjen nga ti
nëse ke plagë tregomi trëndafilat e tu të zinj
në trupin e foshnjës që dikur mbaja në duar
në sytë ku lotët nuk rrjedhin më
dhe ku puset kanë shteruar
Oh, nuk mund të të them as sot e nesër lamtumirë
dërgomë një shenjë me zogjtë e këtij qielli të plumbtë
unë do ta njoh atë dhe i vdekur po të jem…

Lexo po ashtu:  ‘Kur prindërit nuk janë më me ne, ne mbetemi jetimë dhe kjo është e trishtueshme e në çdo moshë e kohë’

Mos më dërgo më trëndafila

Mos më dërgo më trëndafila, i dashuri im,
mjaft më me letrat dhe lulet e mungesës
dua të më vish ti me hapin e lehtë
të gjitha dyert t’i kam lënë hapur
të shpirtit të trupit të qiellit
veç sytë do i mbyll sapo të shfaqesh në horizont
e kuqja e trëndafilit tani më është e zbehtë
para buzëve të tua
para gjakut tënd që ia njoh vërshimin
në krahët e ngrohtë që më pështjellin si pjellë
dhe më lënë një çast pa frymë
në buzët mbi buzë
në frymën mbi frymë
veluri më është më i bukur tek ti
si një cohë shenjti
aromë dehëse është kurmi yt
kur përgjoj dihatjen dhe të marr erë
pra eja, mos më dërgo më trëndafila e tulipanë shumëngjyrësh
i kam hapur të gjitha dritaret e shpirtit dhe të trupit
eja ashtu zbathur me plagët që të kullojnë
nxito nëpër fllad
me këmishën tënde të bardhë larë në diell…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *