“Gjiganti i fjetur”, romani i shkrimtarit anglez Kazuo Ishiguro, fituesi i çmimit Nobel në Letërsi për vitin 2017, tashmë është përkthyer edhe në gjuhën shqipe.

Kryevepra e Ishiguros, është përshtatur në shqip nga përkthyesi Renato Kalemi. Ky nuk është libri i parë i sjell në shqip nga gazetari dhe përkthyesi Kalemi, por ndoshta më i vështiri dhe më i rëndësishmi deri më tani. Kalemi ka sjell më herët në shqip edhe romane si, ”E veçanta e dhjetorit”, ”Rrezatimi”, ”Shtegu i parfumeve” etj.

”Gjigandi i fjetur”, është një reflektim i hollë e melankolik për kujtesën dhe harresën, si dhe për rolin që luajnë ato jo vetëm në jetën e individëve, por edhe të vendeve e popujve.

Gazetat më prestigjoze të botës si ‘New York Times’, ”The Indipendent”, ”The Guardian” e kanë vlerësuar si një nga librat më të mëdhenj të kohës: që të mbetet gjatë në mendje pasi e ke lexuar, refuzon të largohet, duke të detyruar t’i rikthehesh gjithnjë e më shpesh.

E shkruar si një përrallë, plot realizëm magjik, me një mjeshtëri të jashtëzakonshme rrëfimi të thjeshtë, por po aq i thellë për simbolikën që Ishiguro përcjell përmes personazheve të frymëzuar nga epoka e mbretit Artur, “Gjiganti i fjetur” është padyshim një nga romanet më befasues dhe më të bukur të shkrimtarit që mori Nobelin në 2017.

Lexo po ashtu:  Microsoft paralajmërim serioz për përdoruesit e Windows

Ishiguro e di se vetia e njeriut për të kujtuar dhe mbajtur mend, por edhe dhuntia për të harruar detaje, çaste, sensin e kohës, emra e mbiemra, janë elemente të lidhura ngushtë me secilin prej nesh, e pikërisht këtu e gjen materialin për të mbrujtur një nga romanet më të mira që ka shkruar.

Akseli dhe Beatrisi janë një çift pleqsh, që nisen në kërkim të djalit të tyre në një rrugëtim përmes tokash të mbuluara nga një mjegull e dendur, që ua ngatërron dhe fshin kujtimet. Në vendin e britonëve dhe saksonëve, ku prej pak kohësh mbretëron paqja e vendosur nga mbreti Artur, të dy pleqtë hasin rrugës krijesa fantastike, përballen me mrekulli dhe u shpëtojnë rreziqeve vdekjeprurëse. Përgjatë gjithë udhëtimit, Akseli dhe Beatrisi rreken të kujtojnë jetën që kanë kaluar së bashku. Në sipërfaqe shfaqen kujtime të bukura dhe dhembje të thella, një dashuri që ka kapërcyer çdo vështirësi, ndonëse e spërkatur me mërira të fshehura mirë dhe kaq të thella, saqë asnjëri prej dy protagonistëve nuk arrin të flas qartë për to. Ky udhëtim do t’i shtyjë të mendojnë dhe zbulojnë diçka për botën që i rrethon dhe për lidhjen e tyre fort të thellë dhe të pazgjidhshme.

Lexo po ashtu:  Google thotë se produktet e kompanisë tashmë përdorin materiale të riciklueshme

Por, në rrëfimin e Ishiguros, personazhet e tij gjenden të dyzuar mes “kujtesës si bekim” dhe “kujtesës si mallkim”.

Ky libër është një vëzhgim i thellë për kujtesën dhe fajin, por edhe një rrëfim i mbushur me atmosferë të jashtëzakonshme, një histori që lexohet kaq lehtë dhe përpihet me një frymë. Një roman i dhimbshëm dhe shumë i bukur rreth detyrës për të kujtuar dhe nevojës për të harruar. /atsh/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *