Profesori Elvis Hoxha kërkon nga shqiptarët që të shikojnë më shumë modelin e Angela Merkel në Gjermani, se sa atë Rexhep Taip Erdoganit në Turqi, për të kuptuar mënyrën sesi respektohet shteti dhe institucionet e tij.
Pasi bën krahasimin midis Merkel dhe kryeministrit Edi Rama, Hoxha thotë se “kur qytetarët ta kuptojnë se profanizimi që i bën Edi Rama institucioneve të shtetit nuk është gjenialitet, por cinizëm vulgar dhe arrogancë e pështirë, atëherë shoqëria do të ketë fituar një gram dije mbi çfarë është politika publike dhe historia e institucioneve.”
Reagimi i plotë i Elvis Hoxhës:
Është mirë të shohim pak nga Gjermania dhe jo nga Erdogani e apo udhëheqësit tanë të deritanishëm. Të shohim për të kuptuar mënyrën sesi respektohet shteti dhe institucionet e tij.
- Gjermania e respekton administratën e lartë të saj, shembull edhe letra e drejtuar z. Ditmir Bushati. Kancelarja e Gjermanisë nuk ka për këshilltar një pronar të dyshimtë mediash. Ndërsa Edi Rama ka për këshilltar Baton Haxhiun, dhe askush nuk e di se ç’mund të këshillojë një tip si Batoni. Madje dimë se të dy, Edi dhe Batoni na rekomandojnë masën e gjenialitetit të Gent Cakajt, a thua se këta të dy janë gjeni të diplomacisë dhe i ndjejnë me erë gjenit ë e tjerë.
- Gjermania nuk respekton kërpudhën dhe të kërkojë të shkatërrojë teatrin kombëtar, ta mbajë mbyllur Muzeun Kombëtar të Arteve dhe ta djegë e ta përmbyti Bibliotekën Kombëtare.
- Gjermania nuk e jep me koncesion tërë pasurinë publike dhe infrastrukturore të Gjermanisë. Ndërsa Edi Rama punon vetëm me ca emra biznesmenësh a thua se Shqipëria është një atdhe për t’u shitur dhe Rama trashëgimtari i vetëm dhe i fundit i saj.
- Gjermania nuk vë një nxënës anglishteje ministër financash, gjë që mund ta bëjë Edi Rama me Arbenin e vet.
- Gjermania nuk tallet me studentët dhe profesorët, pikërisht dhe sidomos me ata që e kanë vërtet shqetësim Universitetin. Edi Rama poston dhe faqe në fb të fryra nga ironi bajate dhe banalitet i përsëritur.
- Gjermania nuk vendos zv.ministreshë të arsimit personin që ekspozohet plazheve me çizme në poza seksi. Por këtë mund ta bëjë Edi Rama.
- Gjermania nuk tallet nga një qytet me kryeqytetin. Por këtë mund ta bëjë Edi Rama në Vlorë. Sepse vetëm Edi Rama mund t’i ndajë shqiptarët në të mirë e në të këqinj. Sipas tij ata dhjetëra mijëra të mbledhur në bulevardin e Tiranës janë barbarët.
- Gjermania është kundër dhënies së territoreve të Kosovës Serbisë, Rama punon që t’i falim territore Serbisë.
- Merkel do të kishte dhënë dorëheqjen nëse gjermanët do të largoheshin prej atdheut të tyre në masën 10% gjatë mandatit të saj, ndërsa Ramës aq i bën.
- Merkel do të kishte dhënë dorëheqjen nëse administrat e saj do të dilte e tëra me grada e tituj të marrë me plagjiaturë. Ndërsa Rama i ngre në detyrë, sepse aq i bën nëse publikisht armata e tij janë kopjacë dhe hajdutë.
- Merkel nuk do të shiste mend te biznesmenët e huaj se Gjermania nuk ka sindikata dhe se rrjedhimisht populli i saj është turmë skllevërish. Rama e shet publikisht e me krenari të qenit kryeministër i një bande skllevërish.
- Kostumi dhe zyra e Merkelit janë shenja e vënies sa saj në shërbim të GJermanisë, ndërsa veshjet dhe zyra e Ramës janë shembull se ai i shërben vetes dhe këmbëve të ngritura mbi tryezën e ekzekutivit.
- Merkel nuk rri në fb duke iu përgjigjur komenteve të qytetarëve të saj, ndërsa Edi Rama luan deri aktorin injorant në mediat sociale.
- Merkel nuk e shndërron institucionin e saj në ekspo, sepse nuk ia lejon vetes profanizimin e institucioneve të shtetit, ndërsa Edi Rama e denatyron kryeministrinë në media televizive personale dhe espozitë për lëpirësit e vet.
- Për Merkelin zyra e saj është zyrë e ekzekutivit të Gjermanisë, ndërsa për Ramën është atelier bojrash e ngjyrash, sallë dekori dhe ndoshta dhe fushë e vogël basketbolli.
Lista mund të shtohet natyrshëm. Udhëheqësit tanë nuk kanë mësuar kurrë se ç’është politika dhe atdheu.
Kur qytetarët ta kuptojnë se profanizimi që i bën Edi Rama institucioneve të shtetit nuk është gjenialitet, por cinizëm vulgar dhe arrogancë e pështirë, atëherë shoqëria do të ketë fituar një gram dije mbi çfarë është politika publike dhe historia e institucioneve./MekuliPress.com/