Letra e Abdyl Frashërit Gazetën MONITEUR UNIVERSEL të Parisit i përgjigjet një shkrimi me propagandë antishqiptare të botuar nga grekomanët në gazetën “Republique Française”.

Qendrimi i Abdyl Frashërit nuk është aspak qëndrim ‘nacionalist’ dhe as qëndrim ‘romantik’ -si duan ta quajnë disa mendje bolshevike të gjithë veprën e Rilindjes. Qendrimi i tij është realist dhe aspak i ekzagjeruar: përkundrazi ruan të gjitha rregullat e mirësjelljes dhe urtësis dhe mes rracionalitetit i kujton opinionit francezë të njohi realitetin dhe të mos mbështesi idetë ekspansioniste të ‘grekomanëve’ të Europës.

Mes të tjerash Abdyli i kujton se lagjia Plaka banohet nga 200 mijë shqiptarë. Plaka rrëzë Akropolit- Lagjia e autoktoneve.

Shkruan Abdyl Frashëri

Me habi pamë se gazeta e rëndësishme “Republique Française”, e cila në polemikën e saj të zakonshme kurrë nuk devijon nga rregullat e modestisë, botoi disa pjesë të shkëputura nga Memorandumi i Lidhjes Shqiptare, dhe poshtëroi e bëri qesharake atdhetarët tanë. Atij artikulli nuk i dhamë asnjë përgjigje, por “Republique Française”, duke u rikthyer prapë në çështjen në fjalë, u orvat të tallë dy të dërguarit e Lidhjes Shqiptare.

Lexo po ashtu:  Historia e Sahatit të Inglizit në Shkodër

Një sjellje të tillë fare nuk e pritnim prej një gazetave që simpatizonte luftën e kombësive. Franca qanë gjithmonë humbjen e krahinave të saj: banorët e Alsace e Lorraine rënkojnë kur kujtojnë privimin e kombësisë së tyre. Përse një gazetë franceze i gjen qesharakë shqiptarët, të cilët përpiqen të evitojnë rrezikun e një fatkeqsie të tillë? Nuk jemi savantë dhe as pretendojmë për të, por historinë e atdheut tonë e kemi studjuar dhe e dimë më mirë se kushdo tjetër. Banorët e Epirit i quajnë “Pellazgë”. Herodoti, Tuqididi dhe Straboni dalin me konkluzionin se ky vend nuk ka qenë pjesë e Greqisë. Sipas Strabonit, Greqia nga veriu kufizohet prej Akarnanisë dhe Gjiut të Ambrakisë. Pasi gjeografia e lashtë greke nuk u vjen në ndihme grekërve të sotëm, po pyesim ata që kanë mendime të kundërta, se cila pjesë e Epirit është greke?

Ai që pranon argumentet e sillogëve grekë do të besojë se Greqisë nuk i përket vetëm Shqipëria, por edhe Maqedonia, Thraka, Rumania, Azia e Vogël, sipas vendeve të Greqisë së Madhe, edhe Marseja e juaj!!! Epiri ka 650 mijë banorë. Sa janë vallë grekët që ndodhen në të dhe ku banojnë? Në Korçë? Në Berat? Në Gjirokastër? Apo në Çamëri? Ai që kalon nëpër këto vende takon vetëm epirotë shqiptarë, jo epirotë grekë. Do të sakrifikoheshin pra 650 mijë shqiptarë puro për të nginjur lakmitë e sillogëve grekë dhe lëvizjet artificiale të tyre… Sjellja e tanishme e Greqisë dëshmon se ajo ka ndërmend të imitojë Rusinë Cariste!!! Por kjo (Rusia) i përkrahë pretendimet e saj me anën e forcës, e cila për fat të mirë i mungon Greqisë. Sikur të ishin grekët aq të fortë sa tregohen!!! Që në fakt janë vetëm miq të zhurmës, Europa nuk do të kishte kurrë qetësi. Parimi i ngjashmërisë në gjuhë do të shpiente Greqinë shumë larg, por në rradhë të parë do të na jepej neve e drejta të kërkojmë nga grekët dyqind mijë shqiptarët që banojnë në një lagje të veçuar të Athinës të quajtur “Plakë”, dhe krejt ishujt Hidra dhe Speca. Epiri është dhe do të mbetet gjithëmonë shqiptar, ashtu si e krijoi natyra dhe historia. Mëkat që qeveria greke shpenzon për sillogjet shuma të majme, të cilat mund t’i përdorte në mënyrë më të arsyeshme. Ajo përpiqet t’i zgjasi një ngatërrese, e cila s’ka për të mashtruar asnjë europian. Po të ngulë këmbë Greqia në aspiratat e lakmitë e saj të pangopura, të cilat i kundërvihen drejtësisë dhe të drejtës së kombeve, shqiptarët kanë nji vullnet të patundur që të mbrojnë atdheun e tyre deri në fund dhe janë betuar të mos lëshojnë asnjë pëllëmbë tokë por të vdesin për të po të jetë nevoja. Këtu manifestojmë mendimin e të gjithë bashkë-atdhetarëve tanë. Europa do të marrë përsipër përgjegjësinë e luftërave shkatërrimtare që do të inauguronte për aneksimin e shëmtuar të tokave tona nga Greqia. Shpresojmë, zoti redaktor, se do ta botoni përgjigjen tonë, gjë për të cilën dhe ju falënderojmë qysh më parë.

Lexo po ashtu:  “Si mor At, ti edhe prift edhe hoxhë?” - At Gjergj Fishta kritikon fundamentalistët

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *