Dita e 26 marsit e vitit 1999, ishte e kobshme për familjen Berisha nga Suhareka, ditë në të cilën ata u ndanë përfundimisht nga më të dashurit e tyre.

Gramozi, është njëri nga protagonistët e asaj ngjarje për të dëshmuar krimin makabër që ndodhi mbi civilët e pafajshëm.

Djaloshi, tash 29 vjeçar,shpalos dhimbjen e 21 viteve më parë krejt pranë vendit ku iu vranë vëllai, motra, derisa ai e nëna mbeten të plagosur për të shpëtuar mrekullisht.

“Me 26 mars të vitit 1999, si çdo ditë tjetër të asaj kohe, ku asnjë ditë nuk ishte e zakonshme, sepse gjithmonë ishim me frikën se do të na ndodhë diçka, edhe atë ditë jemi zgjuar me të njëjtën frikë. Përveç familjes së ngushtë në shtëpinë tonë ishin edhe familjet e xhaxhallarëve, kushërinjtë më të afërt, të cilët ishin larguar prej shtëpive të tyre për tu grumbulluar në shtëpinë tonë. Ne vazhdimisht shoqëroheshim me frikën se kur do të hynë forcat policore serbe, sepse rreth shtëpisë tonë kishte forca të shtuara të policisë serbe, të shoqëruara me autoblinda, tanke, etj”, ka shtuar Gramozi.

Ai ka treguar se ata si familje e gjerë kanë qenë 22 anëtarë të vendosur në shtëpi, përveç gjyshit të Gramozit, i cili sipas tij, dy ditë më herët kishte shkuar të vëllezërit, sepse ai mendonte që nëse ata largohem, ai në pamundësi që të ecte, do të bëhej vetëm pengesë.

“Gjyshi tha po shkoj te vëllezërit e mi, çka të bëjnë ata do të bëjë edhe unë. Madje na ka lutur edhe në fëmijëve nëse doni ejani me mu, mos rrini të gjithë së bashku me një vend. Por, ne nuk pranuam sepse dëshironim që të qëndronim të gjithë në një vend”, ka theksuar Gramozi.

Më tutje situata vetëm sa përkeqësohej, derisa ishte mesi i ditës i 26 marsit, kur forcat serbe u afruan te shtëpitë e familjes Berisha, fillimisht në shtëpitë e xhaxhallarëve të Gramozit që ishin më përpara, e të cilat ishin të zbrazura, për të ndaluar të shtëpia, ku do të fillonte drama e vërtetë.

“Ne si fëmijë nuk e dinim se çfarë të bëjmë. Vetëm kemi qëndruar grumbull, edhe kemi pritë çka do të na ndodhë. Babai edhe xhaxhai kanë dalë jashtë, derisa policët serbë janë drejtuar dhe kanë ardhur të shtëpia jonë, duke na urdhëruar që të gjithë të dalim jashtë, e në anën tjetër burrat duhej të qëndronin aty. Ne si fëmijë, më mamanë dhe gratë e xhallarëve, kemi dalë jashtë shtëpisë, derisa babai dhe xhaxhallarët janë vendos në ballkon të shtëpisë. Kemi vazhduar të ikim nga kemi pasur mundësi. Në një moment jemi drejtuar nga stacioni i autobusëve, kur në ato momente kemi dëgjuar krismat e para të cilat vinin nga shtëpia, të cilës për më tepër kishte filluar t’i dal tymi. Nuk kemi guxuar ta kthejmë kokën prapa ta shikojmë çfarë po ndodhë”, ka theksuar ai.

Ajo që i kujtohet atij është se kanë vrapuar në drejtime të cilat kanë pasur mundësi pa ndonjë koordinim.

“Madje unë as mamanë nuk e kisha me vete. Kam qenë me Altinin – djalin e xhaxhait. Kemi vrapuar në drejtim të qendrës zejtare. Kur kemi arritur aty, forcat serbe kanë filluar të shtinë me armë. Jemi kthyer prapa, kur në ato momente janë afruar edhe kushërinjtë tjerë, duke menduar që po largohemi me kolonën që mund të nisej për Shqipëri. Jemi bashkuar dhe me ta së bashku jemi afruar të lokali – Piceriza Kalabria aso kohe – në një vend, derisa të gjitha rrugët ishin të bllokuara dhe ishim të rrethuar prej të gjitha anëve”, ka sqaruar Gramozi.

Lexo po ashtu:  Fjalimi madhështor i Skenderbeut, nga Marin Barleti!

Ai ka treguar se një grumbull njerëzish prej 40 personave, me shumicë gra e fëmijë, e në moshë që lëvizte prej foshnjës  6 muajsh e deri të plaka 80 vjeçare.

“Të gjithë kemi qëndruar në lokal deri kur janë afruar forcat e policisë, të cilët kanë filluar të gjuajnë dhe të shajnë, ne në pamundësi për të bërë diçka, jemi shtrirë për tokë duke tentuar të mbrohemi. Për fat mamanë e kisha afër vetit, edhe ajo me trupin e saj më ka mbuluar, afër e kisha edhe Altinin, djalin e xhaxhait, madje edhe Shyhretin, nënën e tij. Ajo të birit të saj Altinit, i ka hipur përmbi për ta shpëtuar nga ai rrebesh plumbash. Në anën tjetër vëllai dhe motra ishin në qoshen e lokalit. Nuk kemi guxuar as kokën me e qu, dhe me pa se çka po ndodhë. Kemi qëndruar në atë pozitë, ata gjuanin vazhdimisht. Në një moment e kam ndier dhimbje në shpinë, dhe ka filluar të më pikoj gjak. E kam kuptuar që jam plagosur, por prapë nuk guxoja të lëvizë, derisa aty kishte fëmijë të vegjël që filluan të qajnë e bartasin. Atyre ju pengonte çdo zhurmë, duke shtënë edhe më shumë, derisa filluan të qetësohen”, ka shtuar Gramoz Berisha.

Ai ka treguar se në ato momente e ka dëgjuar Shyhreten, gruan e xhaxhait, duke i thënë të birit Altinit që të shtiret kinse ka vdekur dhe të mos lëvizë, në mënyrë që sipas tij, serbët të mos e kuptojnë që Altini është i gjallë.

“Kur e dëgjova këtë jam bërë edhe vet si i vdekur. Ata kanë filluar me hy brenda, duke e kapur secilin dhe nxjerrë prej lokalit, kur ka ardhur radha të unë, jam frikësuar që po më kapin për krahun e plagosur, më pas do të reagoja dhe do ta kuptonin që jam i gjallë. Për fat me kanë kapur për krahun tjetër, me kanë vendosur në lese, dhe me kanë hedhur në kamion. Nuk e kisha idenë nëse mamaja është gjallë, njëjti as mamaja për mua. Në kamion na kanë ngarkuar të gjithëve, dhe është nisur në drejtim të Prizrenit. Gjatë rrugës për Prizren, prapë nuk kam guxuar të lëvizë, duke mëndu që është dikush brenda, dhe mund të më vërej se jam gjallë, e pastaj të më ekzekutoj. Kam qëndruar kështu derisa mami më ka vërejtur jaknen. Ka thënë ta shoh djalin edhe njëherë,  për herën të fundit së paku. Kur me ka prekur unë kam filluar të lëvizë, e ktheva kokën, i hapa sytë. Me ka thënë Moxi a je gjallë, i kam thënë po, ka thënë hajde me mamanë të kërcejmë nga kamioni, se këta mund të na fusin në një gropë, dhe nuk mund të dalim më”, ka thënë ai për telegrafin.

Lexo po ashtu:  Kjo është gjuha e katërt që flitet në Zvicër (FOTO)

Sipas tij, fillimisht nga kamioni është hedhur Shyhretja, gruaja e xhaxhait, e cila djalin e kishte para duarve, por të vrarë.

“Tha unë po i lë katër fëmijë këtu, e ndoshta e kam burrin gjallë. Pas asaj mamaja me kapi mua, po në ndërkohë në kamion ishte edhe një fëmijë tjetër i  gjallë në kamionë prej kushërinjve. Ai ka qenë Mirati, një vit më i madh se unë, i cili kërkojë ndihmë, thonte largoma trupin përmbi, sepse nuk po mundem të marrë frymë. Mamaja i tha hajde edhe ti me ne, ju kapi të dyve edhe kërcejmë bashkë. Mirati tha jo, po du me qëndruar me mamanë. Vetëm largoma këtë trup mbi mua, se nuk mundem me marrë frymë. Atëherë nga frika se mund ta na dëgjoj dikush, mamaja me kapi mua edhe kërcyem në asfalt. Ashtu të dytë të plagosur, mamaja në këmbë, unë në krah, jemi ngritë menjëherë në këmbë, kemi vazhduar me hy nëpër arra, deri kur e kemi pa një shtëpi, i jemi drejtuar personave që ishin aty për ujë”, ka theksuar ai.

Rreziku që e kishin kaluar duke u hedhura nga kamioni, ishte prezent përsëri, sepse shtëpia në të cilin po kërkonin ndihmë ishte e serbëve, por që gjithçka sipas Gramozit kishte kaluar mirë.

“Si kemi arritur aty, një burrë ka qenë tu ngrënë bukë në oborr. Një grua u afrua, mami po i thotë a ka mundësi një gotë ujë për djalin, gruaja pranoj ma sjelli një gotë me sherbet. Burri tha nëse duan luti edhe për buke. Kur e pamë se janë serbë, menduam se na zbuluam dhe çdo gjë do të përfundoj këtu. Ata na thanë më shumë nuk guxojmë të ju mbajmë edhe po ju dërgojmë te një shtëpi e shqiptarëve. Kaluam të një shtëpi që ishte ne pronësi të shqiptarëve, aty nuk kemi guxuar të qëndrojmë, sepse jemi frikësuar mos po na lajmërojnë ose e marrin vesh se jemi strehuar aty, sepse ishte shumë afër rrugës kryesore. I jemi lutur me na dërguar me një fshat afër, respektivisht në fshatin Caparc, ku e kam pas tezen. Na kanë hipur në veturë, nëpër rrugë dytësore, na kanë dërguar aty, ku kemi qëndruar 3 muaj, derisa ka përfunduar lufta”, ka theksuar ai.

Sipas tij, gjatë këtyre muajve vazhdimisht kanë qenë në frikë e ankth se mos po zbulohen, e po që nuk kanë munguar edhe tentativat për tu larguar në drejtim të Shqipërisë, por që nuk janë realizuar. Ai së bashku me nënën qëndruar në Kosovë deri në përfundim të luftës.

“Ajo që më kujtohet është se gjatë kohës që kemi qëndruar të tezja jemi shëruar me barëra popullore. Fati im ka qenë se plumbi nuk ka hyrë brenda trupit tim, e ku plagën time e kam mjekuar me fetë djathi të cilën na ka sjellur kohë pas kohe një grua në afërsi të fshatit. Mami ka qenë e plagosur në pjesën e poshtme të trupit, ku nga granatat dhe plumbat i kanë mbetur pjesë në këmbë, të cilat i ka ende, e që as mjekët më pas nuk kanë guxuar të intervenojnë”, ka shtuar Gramozi.

Lexo po ashtu:  Peza, konferenca e bashkimit që përkujtohet vetëm nga pasardhësit e komunistëve

Djaloshi 8 vjeçar aso kohe tregon se ditët e para pas përjetimit të ngjarjes ka përjetuar ankthe të mëdha, ku është zgjuar gjatë natës duke thënë se “ja ku janë, po duan me na vra”.

“Shpesh herë e mendoj këtë pjesën qysh ka qenë e mundur me qenë në atë lokal, së bashku me mamanë, pas gjithë ata plumbave që janë gjuajtur të shpëtojmë. E falënderoj Zotin që kemi shpëtuar, pastaj na ka dhënë forcë t’i kalojmë këto përjetime, e të rrëfejmë ato që kanë ndodhë”, ka theksuar ai.

Gramozi dhe nëna i tejkaluan dhimbjet, plumbat, po fillonte një kapitull i ri në jetën e tyre, por ishte i mangët, sepse mungonin të dashurit e tyre, të cilëve nuk ua dinin as varret.

“Krejt pjesën e pasluftës jemi marrë me atë se çka ka ndodhë me trupat e tyre, deri kur kanë filluar me u gjetë trupat e parë. Ne nuk kemi pasur idenë se ku i kanë dërguar. Çdo here kemi pritur për informata, se ku janë dhe çka ka ndodhë me ta. Pas një kohe, diku në vitin 2002, atëherë ka filluar identifikimi i trupave të parë, një pjesë në Suhareke, te shtëpia jonë, respektivisht te varrezat, pjesa tjetër ne fshatin Lubizhdë afër Prizrenit, te poligoni i ushtrisë, një pjesë në Batajnicë në Beograd. Janë gjithsejte 49 anëtare që janë vrarë, prej tyre gjysma e trupave janë gjetë,  gjysma tjetër ende mungojnë, dhe nuk dihet për ta”, ka thënë ai.

Gramozi ka treguar se trupi i babait është gjetur ne Suharekë, trupi i vëllait është gjetur në Batajnicë, derisa trupi i mtorës nuk është gjetur ende.

“Ka pasur raste kur prej një trupi janë  gjetur në dy vende të ndryshme, pjese të një trupi janë gjetur në dy vende të ndryshme. Kjo na jep me kuptu që ata i kanë varrosur një herë, i  kanë zhvarrosur prej atij vendi, i kanë dërguar diku tjetër. Kjo ka qenë krim përmbi krim, ne asgjë tjetër nuk kemi kërkuar, vetëm t’i gjejmë trupat e familjarëve tonë, te paktën me pas një vend ku mund të shkojmë të dërgojmë një lule ose të qajmë”, ka shtuar ai.

Ndryshe, ai ka theksuar se është i gatshëm që në një të ardhme të takohet me liderë dhe personalitete të shteteve të ndryshme, në mënyrë që ta prezantoj ndodhinë e tij, sepse ai thekson të gjithë duhet të njoftohen me atë që ka ndodhur në Kosovë.

Por, Gramozi ka edhe një porosi për të rinjtë, e ajo është që të mos harrohet e kaluara, derisa porositë institucionet përgjegjëse që të bëjnë më shumë që të dihet fati i familjarëve që ende mungojnë dhe nuk dihet se ku i kanë trupat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *