Ambasada e SHBA’së në Kosovë i është bashkuar thirrjes së Përfaqësuesit Special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, për largimin e taksës 100% ndaj prodhimeve me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.
Ambasada në Prishtinë në një deklaratë ekskluzive për RTK tha se qëndrimi i SHBA, Presidentit Trump dhe Ambasadorit Grenell mbetet i njëjtë dhe se Kosova duhet ta heqë tarifën 100 përqind për mallrat serbe ndërsa Serbia duhet të ndalojë fushatën kundër Kosovës për ç’njohjen e shtetit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se do të heqë taksën ndaj produkteve serbe por që kjo do të zëvendësohet me reciprocitet të plotë ndaj Serbisë. Mirëpo Grenell nuk e ka përkrahur këtë nismë të Kurtit.
Grenell kishte kërkuar heqjen e taksës, pasi ajo po dëmton ekonominë vendase dhe rajonale.
Taksa 100% është vendosur nga ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, si përgjigje ndaj fushatës së egër të Serbisë për heqjen e njohjeve ndaj Kosovës dhe mospranimin në organizata ndërkombëtare.