Nga Kreshnik Osmani

Vizita e kryeministrit të ri të Kosovës z.Albin Kurti në Tiranë, ka qenë sot në epiqendër të një cikloni vëzhgimi me intensitet të lartë nga të gjithë shqiptarët, por jo më pak edhe nga faktori ndërkombëtar që është kudjesur ta masë me kujdes tensionin tek krahët e dy krerëve të qeverive në Prishtinë dhe në Tiranë. Kjo për arsye të simbolikës së vizitës por edhe të reaksioneve politike zinxhir që shkaktojnë efektet e saj, tek zhvillimet e ardhshme shumë të rëndësishme në rajon, veçanërisht në marrëdhëniet Prishtinë-Beograd.

Qeveria e re dhe e porsalindur e Prishtinës, paçka se është një miks i majtë dhe i djathtë që nuk takojnë asgjëkundi në kontekstin programor dhe atë ideologjik, është shfaqur si një ekip i mirëkonsoliduar që preferon të lërë ndasitë dhe qasjet që ua diktojnë ideologjitë respektive, për llogari të një agjende shumë më të rëndësishme që është qeverisja e Kosovës në një moment historik dhe delikat për të fatet dhe ardhmen e saj.

Nisur nga ky fakt, që presupozohet natyrshëm të ushtrojë trysni tek protokolli shtetëror i pritjes në Tiranë, duhej të kishte një kujdes të shtuar kryeministror nga Rama, për t’u kujdesur për të gjitha imtësitë dhe detajet që i nevojiteshin takimit, qoftë në dekor, qoftë në përmbajtje të deklaratave.

Albini kishte ardhur në Tiranë për të “marrë zemër” paçka se ajo nuk i ka munguar kurrë dhe deri tani më shumë ka dhënë se ka marrë. Zgjodhi Tiranën sepse ai e ka të qartë se Tirana e rrit atë, ashtu siç e zbukuron ai Tiranën. E dëshiroi këtë rritje prej Tiranës jo se ai nuk di të rritet ndryshe, apo se nuk di të rritet vetë, por sepse simbolika e rritjes me Tiranë është shumë e rëndësishme në këto kohëra të vështira për shqiptarët. Ai e zgjodhi Tiranën për t’i thënë Beogradit se nuk është vetëm, pikërisht në 100 vjetorin e Tiranës si kryeqytet. E zgjodhi Tiranën për t’i thënë z. Grenell se i duhet një koordinim me Tiarnën përpara se t’i japë një përgjigje kërkesës së tij për heqjen e taksës ndaj Srbisë, përtej kushtit të reciprocitetit. E zgjodhi Tiranën për t’i treguar Brukselit se një vizitë në Tiranë për shqiptarët e Kosovës mund të jetë ndonjeherë shumë më e rëndësishme se liberalizimi i vizave me Zonën Shengen. Zgjodhi Tiranën ndoshta dhe për të ndërtuar simbolikën tjetër të mbrojtjes, për të pregatitur mbështetësit e tij dhe të gjithë shqiptarët e tjerë që kanë pritshmëri të larta prej Qeverisë Kurti, se në çdo betejë të mundshme të humbur me Beogradin, aksionerja më e madhe e humbjes është Tirana, pra Edi Rama. Rama nuk është se nuk ka mundesi që t’i kuptojë të gjitha këto, por ai ishte shumë i tensionuar per të kuptuar thellësisht rëndësinë e ngjarjes dhe simbolikat e takimit.

Lexo po ashtu:  Vëllai i madh të rrafë dhe nuk të lë të qash!

Kryeministri shqiptar ishte në një pozicion shumë të vështirë, pasi lideri karizmatik majtist që vinte nga Prishtina po thërrmonte kultin që ai kishte investuar aq shumë për të qenë në majën e olimpit shqiptar të politikës për të gjithë shqiptaërt në trojet etnike. Ishte shumë i tensionuar sepse lideri majtist nga Prishtina po ia rrëmbente shiritin e kapitenit të së majtës shqiptare nga krahu, me thjeshtësinë e të qenit njeri dhe i vërtetë dhe pavarësisht nëse i përket apo nuk i përket kampit të tij ideologjik çdosku e ka të lehtë për ta kuptuar këtë. Ishte në tension sepse majtisti karizmatik nga Prishtina përfaqëson një përpjekje idealiste që nuk ka gabuar asnjëherë deri tani dhe as ka rrezikuar seriozisht për t’u dukur false apo e shtirur, ndërsa ai përfaqëson rrugecërit, trafiqet, drogën, analfabetët, të fortët. Ishte në tesnsion sepse të majtët e Shqipërisë janë strukur skutave ku të munden dhe se ai e kishte katandisur të majtën tashmë vetëm një sekt palaçosh e rryshfetçinjsh pa din e pa iman që merren me PPP, Koncesione, drogë, hashash dhe tendera.

Lexo po ashtu:  Milosh Kopiliqi, shqiptar apo serb?!

Rama ishte i pushtuar prej një tensioni dhe sëkëlldie që nuk mundi ta fshihte as ta maskonte për asnjë moment, sepse majtisti rrebel nga Prishtina përfaqëson djem dhe vajza të rinj idealistë që nuk e kanë humbur kurrë besimin se Shqipëria mund të bëhet dhe kanë ardhur në pushtet me protesta, me kacafytje dhe kur është nevojitur edhe me molotv, ndërsa ai erdhi nga Parisi i katapultuar nga pushteti në pushet derisa mbërriti në krye të qeverisë duke shkelur me pasion prej artistesh të çmendur mbi kufoma shokësh e miqsh të cilët i shpërbleu me tradhëti si profesioni i vetëm që ai di të bëjë më mirë dhe ku nuk mundet ta konkurojë askush.  

Kryemisnistri i kompleksuar i Shqipërisë u përball sot me një kryeministër shqiptar nga Kosova që kërkoi me zë të vendosur “Megashengenin Shqiptar” të shqiptarëve përpara “Minishengenit Ballkanik” të Vuçiç dhe si shpërblim mori përgjigjen e Vuçiç nga goja e vëllait të tij në Tiranë. Vetëm Vuçiç mund të kërkonte prej Albinit të bënte kujdes se ishte i ri në detyrë dhe se dallaveret mund ta joshnin rrugës.  

Rama ishte në tension sepse lideri i majtist nga Prishtina i kërkoi të rinisin nga e para marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës dhe ai nuk mund të shembte me dorën e tij gjithçka ishte ndërtuar me aq shumë mund deri tani prej tij dhe aleatëve të tij në Beograd. Kërkesa e majtistit nga Prishtina për të ndërtuar marrëdhëniet nga e para ishte një refuzim i planeve te errëta të majtistit nga Tirana për të ardhmen e Kosovës. Albini e vuri sot një kallëp të madh tritoli tek themelet e ndërtesës dhe ato të përfytyrimit të Ramës për rajonin, për t’u bërë gati për një shpërthim të komanduar tek themelet e ndërtesës, pasi e shpalli sot plotësisht të pabanueshme. Rama ishte në vështirësi të madhe dhe në tension pasi i duhet të përmbushë misionin shpejt sepse nuk i ka mbetur më shumë kohë politike në dispozicion. Rama ishte në tension sot sepse majtisti nga Prishtina ia thërrmoi sot mbi kokë kështjellën prej rëre të karizmës, që ai kishte përfytyruar tek hollet e imagjinatës së tij të shthurur.

Lexo po ashtu:  A mund të bëhemi aq pro shqiptarë sa amerikani Engel?

Rama ishte në tension sot sepse kryeministri shqiptar majtist nga Prishtina e dënoi me “burg” të përjetshëm politik, dhe më shumë se për të hyrë në konkurencë me dikë brenda familjes së tij ideologjike, u duk sikur po kërkonte një rival të ri të djathtë në Tiranë si për të treguar se brenda familjes së tij nuk njeh për momentin rivalë. Rama ishte në sëkëlldi të madhe sepse Albini ishte në kërkim të një rivali konservator dhe të djathtë me të cilin do t’i duhej të zhvillonte betejat e radhës brenda megashtëpisë politike shqiptare, që tashmë ka nevojë për transfuzion të plotë dhe për gjak të ri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *