Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur ka shfuqizuar vendimin për përfitimin financiar të kabinetit pas mandatit.
Po me këtë vendim ndryshohet dhe plotësohet vendimi i Qeverisë, i datës 17.11.2015, kështu që nga pika 2 e këtij vendimi ndryshon nga, “paga e plotë që kanë marrë gjatë muajit të fundit të mandatit të tyre” është zëvendësuar me tekstin, “paga aktuale e tyre”.
Në këtë mbledhje, po ashtu është ndryshuar vendimi i qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj për rritjen e pagave të kabinetit qeveritar, duke i ulur pagat në nivelin që kanë qenë më herët.
“Duhet cekur se ky vendim nuk prek pagat aktuale në sistemin e drejtësisë dhe në Gjykatën Kushtetuese. Po ashtu, propozoj që të plotësohet dhe të ndryshoj pika 2 e vendimit të Qeverisë 02/59 i datës 17.11.2015, që ka të bëjë me përfitimet e ish-zyrtarëve pas mbarimit të mandatit të tyre. Obligohet Ministria e Financave dhe Transfereve dhe institucionet përkatëse për zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hynë në fuqi në ditën e nënshkrimit dhe zbatohet nga data 3 shkurt 2020”, tha kryeministri Albin Kurti në arsyetimin e vendimit.
Në pikën 2 të këtij vendimi thuhet se, “paga e ish-zëvëndëskryeministrave, ish-ministrave, ish-zëvendësministrave dhe ish-drejtorit të AKI-së, do të jetë në vlerë të 70 për qind të pagës që kanë marrë gjatë muajit të fundit të mandatit të tyre”.
Po ashtu, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu konfirmon se vendimi për përfitimet pas mandatit është shfuqizuar.
“Dy vendime të padrejta u shfuqizuan në mbledhjen e Qeverisë. Së pari, vendimi i kundërligjshëm i ish Qeverisë për ngritjen e pagave për vete. Ky vendim nuk do të ketë efekt juridik për pagat e prokurorëve dhe gjyqtarëve si dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese. Vendimi i dytë që u shfuqizua, ishte ai për pagat që përfitonin kabinetet e ish Qeverive, pas mandatit”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.