Lorenc Vangjeli

Munihu nuk ka zhgënjyer. Konferenca e sigurisë për Ballkanin Perëndimor, me praninë e disa prej drejtuesve të vendeve të tij dhe “mbikëqyrësve” evropianë, ballafaqoi për herë të parë kryeministrin e Kosovës, pothuaj në fillim të mandatit të tij, me presidentin serb që është pothuaj në prolog të zgjedhjeve në vendin e tij. Për këtë arsye të parë të dukshme, Munihu ishte kulmi i një trekëndëshi ku flitej edhe për të dëgjuar respektivisht Prishtina dhe Serbia. Në Ballkan ndodh rëndom që politika e jashtme është përgjigje për deformimet e politikës së brendshme.

Takimi, si rregull, duhet të ishte informal dhe pjesëmarrësit nuk duhet të publikonin të dhëna nga takimi, por media gjermane, DW, ka bërë një raportim të hollësishëm të pikave më të nxehta të takimit. Duke nisur me frazën monumentale të Kurtit se mbasi bota ndihmoi Kosovën të çlirohet nga Serbia, tani “…duhet të ndihmojë Serbinë të çlirohet nga Kosova”. Dhe, duke vazhduar me të njëjtin ton nga Vuçiqi, i cili pretendon se Kosova është ende Serbi.

Debati ka prekur çështje të Mini-Shengenit, të procesit të Berlinit, integrimit evropian të rajonit, por dhe rrisqeve jo evropiane që kërcënojnë me ndikim të papërshtatshëm rajonin. Përveç të gjithave, Munihu ka një rëndësi të posaçme edhe për krejt tjetër gjë. Ai duhet të jetë një stacion i parë i riformatimit të një marrëdhënieje mes drejtuesve të dy republikave shqiptare në rajon, Shqipërisë dhe Kosovës. Kriza e dukshme, jo vetëm në raporte personale mes Ramës dhe Haradinajt deri dje, është zëvendësuar me një tjetër lloj “ngërçi’ mes tij dhe Kurtit. Nga takimi zyrtar dhe protokollar i Tiranës, i cili u komentua deri dhe për gjuhën e trupit të protagonistëve nga një shumicë protagonistësh të zhurmës që nuk njohin as gjuhën e turpit, Rama e Kurti kanë ende një rrugë të gjatë për të bërë. Jo vetëm si dy individë që duhet të njohin njëri-tjetrin, por si dy personazhe politike të dënuar nga detyra që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Dhe, që minimalisht duhet të bëjnë maksimumin që humori personal i tyre, të mos ndikojë në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Lexo po ashtu:  Opinioni i DW: Afganistani – i gjithë pushteti talibanëve?

Shqipëria dhe Kosova janë shumë të mëdha për t’u matur me staturën e përkohshme të politikanëve të tyre. Dy shtetet shqiptare janë një realitet shumë i madh për të qenë të ndikuara ligsht nga emocione të vogla njerëzore. Rama e Kurti nuk kanë “dashuri” reciproke, janë shumë të zënë me emocione vetjake, por kjo nuk duhet të ndikojë në të nesërmen. Të dy janë nën pushtetin e “hernies” politike, Rama me shpinën e kërrusur nga pushteti absolut që mban prej shumë vjetësh dhe Kurti me kurrizin e harkuar këto katër muaj nga pesha e pushtetit që ende nuk e ka marrë plotësisht. Modestia, një virtyt që i pari nuk e njeh si koncept dhe i dyti e shpërdoron duke e shndërruar në mendjemadhësi, duhet të jetë mesazhi që ata duhet ta ndajnë në raport me shqiptarët. Sepse, pavarësisht retorikave triumfaliste, ata vazhdojnë të jenë qytetarët më të varfër të rajonit.

Ndarja mes dy kryeministrave është në thelb më pak sesa duket në sipërfaqe: ajo ka të bëjë me distancën mes dëshirës dhe mundësive, humnerën mes shpresës në opozitë dhe zgjimit në pushtet, mes romantizmit të fjalëve dhe realizimit të ashpër gjeopolitik praktik.

Edi Ramën e kanë dashur në Prishtinë si çdo politikan tjetër të Tiranës. Albin Kurti e ka marrë “qelepir” dashurinë nga Tirana. Të gjithë ata që për shumë arsye nuk durojnë dot Ramën, e kanë shndërruar urrejtjen në dashuri me klering për Kurtin. Ca nga dëshira për të fjetur me secilin që e quajnë “armik” të armikut, ca nga pamundësia për të bërë ndryshe, ca dhe nga zakoni i yshtur dhe nga vetë tipi i keq njerëzor i Ramës për t’u përplasur me të gjithë, ata bëjnë gabimin thelbësor të krahasimit të njërit me tjetrin. Ramës i bëjnë çdo rast bilancin e punëve të shumë viteve në pushtet e politikë, tjetrit i peshojnë vetëm jehonën e fjalëve të rrjedhshme në opozitë. Pa kuptuar dhe pa ditur se mes të thënës dhe të bërës është një gardh telash më i egër se kufiri i imponuar mes ish-Jugosllavisë së vdekur dhe ish-socializmit grotesk të Shqipërisë së dikurshme.

Lexo po ashtu:  The Washington Post: Zgjidhja e vetme e Trump janë gënjeshtrat!

Ecja përdore e të dyve në politikë, e kushtëzuar nga rrethana, forca e faktorë shumë më të mëdhenj se ata, është e vetmja gjë që mund të bëjnë së bashku.

Rama e Kurti nuk duhet të jenë medoemos miq! Ata janë të dënuar të jenë partnerë!

Dhe, bashkë me ta, këtë aksiomë elementare duhet ta kuptojnë gjithë maskarenjtë e padobishëm, të gjithë idiotët anonimë të rrjeteve sociale, të gjithë horrat e katundeve respektive, por dhe sazexhinjtë e gallatës që fryjnë dhe frymëzojnë ndarje. Ka një mijë e një hapësira të tjera për ta; në Ballkanin fodull ku secili e ndjen veten edhe filozof në gjykim, edhe mbret në pushtet, për shqiptarët normal kjo retorikë ndarjeje duhet të jetë tabu’!

Në të gjithë këtë panoramë, ka një tjetër fakt të rëndësisë së dorës së parë. Janë një mori detajesh që vërtetojnë rikthimin e fortë të interesit amerikan në rajon. Ata janë aksionerët kryesorë të hartës së re dhe ekuilibrave të rinj gjeopolitikë në Ballkan. Shqiptarët janë përfituesit kryesorë absolutë të saj në këto dy dekadat e fundit. Sinjale analizash që vijnë në mënyra të ndryshme nga Uashingtoni, dëshmojnë se në pritje të rizgjedhjes së tij, presidentit Trump i nevojitet një “fitore” në politikën e jashtme të vendit të tij. Dhe, në Ballkanin që ngjan shumë i komplikuar, ajo mund të vijë shumë më lehtë, krahasuar me tentativat për të krehur lëmshet arabe, për të çaktivizuar terrorin bërthamor iranian apo socializmin qesharak korean. Akti politik që mund të frymëzohet dhe të shtyhet nga Uashingtoni mund të zgjasë sa një Twitter në komunikimin e presidentit Trump, por në mënyrë absolute do të ndikojë në shumë vite në temperaturën e rajonit dhe në fatin e shumë milionë banorëve të tij e më gjerë. Dhe, me shumë gjasë, shumë shpejt mund të ketë të reja drithëruese në aksin Prishtinë-Beograd. Politika lokale do të jetë vetëm dëshmitare e një akti të nënshkruar gjetkë. Në këtë kuptim, Rama e Kurti, të dënuar që të fitojnë bashkë, jo si individë, por si kryeministra të dy republikave shqiptare në rajon, duhet të kuptojnë se një bashkë janë shumë më shumë se dy veç e veç. Edhe pa llogaritur Vuçiqin në sfond, madje.

Lexo po ashtu:  Rroftë kozmopolitizmi i udhëhequr nga Serbia!

Ndodh shpesh që maksimumi i ndërlikimit fshihet tek veprimet dhe aktet e thjeshtë. Aty ku të gjithë mund të shohin teori komploti e konspiracioni, mund të jetë edhe thjesht vullnet i ca pak individësh. Historia e ka lënë me shkrim këtë leksion të hidhur. Plot 76 vjet më parë, në një copë letër të bardhë, të cilën kryeministri britanik Churchill ia vuri përpara sovjetikut Stalin, u shkrua fati për gjithë Evropën e pasluftës. Fare thjeshtë. U bë një me aksione e përqindje për Poloninë, Greqinë, Hungarinë, Rumaninë, Bullgarinë e të tjerë.

Shqipëria nuk përmendej fare. Ish-Jugosllavia, për fatin e mirë edhe të vetë sllavëve të jugut, ka vdekur përfundimisht. Por, hijet e të shkuarës janë ende shumë të forta në rajonin ku heronjtë kanë të njëjtin portret me tradhtarët. Dhëntë Zoti që Shqipëria të shpëtojë nga marrëzia e të bërit bashkë të këtyre portreteve: ndryshe fataliteti do të vërtetonte se shqiptarët mund t’i mposhtin realisht vetëm shqiptarët dhe se shqiptarët nuk mund të fitojnë dot kurrë të vetëm në një botë që është tmerrësisht e madhe, edhe përballë megalomanisë së tyre pa kufi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *