Albin Kurti ka folur për herë të parë si kryeministër i Kosovës për një gazetë prestigjioze gjermane. Për “Süddeutsche Zeitung” ai është deklaruar për shumë tema: për rolin që po luan në Ballkan ambasadori amerikan në Berlin, i cili nga Donald Trumpi u emërua në postin e drejtorit në detyrë të inteligjencës kombëtare, për vdekjen e projektit për prishjen e kufijve të Kosovës, për luftimin e korrupsionit, raportet me Serbinë, për largimin e njerëzve nga Kosova, për krijimin e vendeve të punës dhe për dembelinë e skeptikëve.

Në vijim disa nga përgjigjet e Kurtit sipas temave.

Mbi marrëveshjen për lidhjen hekurudhore mes Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në München

Kurti: Çfarë është nënshkruar është një deklaratë për shprehje të synimit, pa shumë detaje. Sigurisht na duhen më shumë rrugë dhe vija hekurudhore. Por negociatat janë zhvilluar nga qeveria paraprake, ne nuk kemi qenë të përfshirë. Kam rezerva, mes tjerash lidhur me çështjen nëse financimi do të ishte në pajtim me Kushtetutën. Versionin final (të marrëveshjes) nuk e kam parë. As ministri i infrastrukturës, as unë si kryeministër nuk e kemi miratuar nënshkrimin. Ende ka njerëz të fuqishëm në pozita të rëndësishme, por ne nuk mund të kthehemi prapa në kohën para 6 tetorit, kur njerëzit votuan për ndryshime. Kosova dhe njerëzit e saj kanë dëshmuar se opozita mund ta largojë dhe zëvendësojë qeverinë. Për dallim nga disa vende fqinje.

Lexo po ashtu:  NATO paralajmëron një sulm më armë kimike të Rusisë mbi Ukrainë

Mbi rolin e Richard Grenellit, të emëruarit të Donald Trumpit për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti: Grenell ka sjellë energji të re në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk besoj se ka qëllime të këqija. Por tani kur Kosova ka qeveri të re, negociatat e tilla nuk mund të zhvillohen mes presidentëve. Këtë duhet ta bëjnë qeveritë e zgjedhura.

Luftimi i korrupsionit.

Kurti: Korrupsioni më shumë është sistem se kulturë. Andaj jam optimist se do ta luftojmë. Në një studim të publikuar para dy viteve vetëm dhjetë për qind e familjeve të anketuara kanë thënë se kanë paguar ryshfet për ndonjë shërbim publik. Në njërin nga vendet fqinje kanë qenë 34 për qind. Te ne korrupsioni përqendrohet në nivelet më të larta të shtetit. Na duhen procedura urgjente për përzgjedhjen e gjykatësve, prokurorëve dhe zyrtarëve të lartë të policisë. Na duhen prokurorë trima, të cilët do të jenë më të njohur se unë. Suksesi varet nga ajo nëse do të kemi një Eliott Ness kosovar. (Ness u bë i famshëm në luftimin e grupit mafioz zë Al Kapones në SHBA).

Mbi skeptikët që thonë se “muaji i mjaltit” të qeverisë Kurti do të përfundojë shpejt.

Lexo po ashtu:  Tash Hoti kërcënon se do të shfuqizoj vendimet ndaj Serbisë të Qeverisë Kurti

Kurti: Është lehtë të jesh pesimist. Për neve së pari kanë thënë: është e pamundur që të fitojnë. Pastaj: kurrë nuk do të arrijnë të krijojnë qeveri. Tash thonë: nuk ka gjasa të jenë të suksesshëm. Njerëzit e tillë unë i akuzoj për dembeli. Guxim domethënë të mos i dorëzohemi këtij pesimizmi të plogët.

Planet për të ndërprerë largimin e të rinjve nga Kosova.

Kurti: Njerëzit janë të dëshpëruar, sepse politikanët e korruptuar janë bërë njerëzit më të pasur në vend. Zgjedhjet e 6 tetorit kanë qenë një votë e zemërimit, por edhe e shpresës. Qeveria jonë do të forcojë drejtësinë për të luftuar korrupsionin, do të përkrahim talente dhe tregun e punës do ta ndërlidhim më mirë me arsimin. Sigurisht edhe më tutje të rinjtë do të braktisin vendin. Por ne do të punojmë me ngulm që disa edhe të kthehen. Në Kosovë më shumë se 20 mijë gra e burra të moshës së re kanë diploma universitare, por s’kanë vende të punës. Shumë kamerierë kanë diplomuar në sociologji apo marrëdhënie ndërkombëtare. Neve na duhet një sistem arsimor dual si në Gjermani, Zvicër apo Austri. Shoh shanse të mëdha jo vetëm në sektorin e IT-së, por edhe në atë të energjisë dhe në bujqësi. Gjysma e vendit tonë nuk punohet. Duam t’i bindim edhe investitorët e huaj, por edhe nga diaspora jonë.

Lexo po ashtu:  Sot të gjithë nxënësit e klasëve të para deri në të pestën duhet të ulen para televizorit

Dialogu me Serbinë.

Kurti: Nuk jam kundër dialogut me Serbinë, por ai duhet të zhvillohet me parime të qarta, të cilat janë të obligueshme për të dy palët. Serbia duhet të pranojë realitetin: Kosova është shtet i pavarur. Dhe ne nuk mund të kthehemi në kohën e Millosheviqit. Sa më parë që e pranojnë këtë, aq më mirë për të dy palët.7. Mbi të ashtuquajturin “shkëmbim të territoreve” dhe ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.Kurti: Ky projekt ka dështuar, por ideja nuk ka vdekur. Duhet të jemi të kujdesshëm. Zgjidhjet e tilla me shkëmbim territori mund të hapin Kutinë e Pandorës.

Nëse Kosova hyn në BE në vitin 2030 – cili flamur do të valojë mbi ndërtesën e qeverisë në Prishtinë?

Kurti: Mendoj se do ta shohim flamurin europian – dhe çka është më e rëndësishme: do të shohim njerëz që kanë punë, mirëqenie dhe do të udhëtojnë të lirë në kontinentin europian.

Mbi idenë e bashkimit me Shqipërinë.

Kurti: T’i lësh njerëzit të zgjedhin është diçka tjetër se sa të sillesh si gjeneralët e Luftës së Parë Botërore, të cilët qëndronin mbi hartat e tyre. Gjithçka do të duhej të ndodhte në mënyrë paqësore, demokratike dhe transparente. Atëherë është në rregull.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *