Qeveria e Kosovës e drejtuar nga kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e saj të tretë ka miratuar vendimin për shkarkimin e Bordit të drejtorëve të Telekomit të Kosovës.
Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.
☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.Sipas qeverisë, vendimi është mbështetur në Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe ka pasur parasysh funksionimin dhe gjendjen aktuale në këtë ndërmarrje, e vlerësuar si mjaft e rëndë dhe me nevoja për të ndryshuar konceptin menaxhues.
Shkarkimi i bordit vjen 23 muaj pasi ishin emëruar nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

Besa Shatri, Skënder Hoti, Osman Ejupi, Sead Ujkani, Suzana Angjelkoviq dhe Filiz Krasniqi ishin emëruar anëtarë të Bordit, por që ky i fundit kishte dhënë dorëheqje.
Po ashtu, Osman Ejupi kishte dhënë dorëheqje pasi kishte punësuar katër fëmijët e tij.
Para kabinetit të qeverisë, ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari ka dhënë arsyet e këtij propozimi.
“Drejtorët duhet të shkarkohen për tri arsye; nuk kanë përmbushur planet, drejtorët kanë shkelur detyrat financiare dhe kanë lejuar shpenzime të tepërta e të panevojshme”, ka thënë ministrja Hajdari.
Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të analizohen raportet e auditimit dhe performancës të të gjitha ndërmarrjeve publike.
Si rezultat, pas kësaj, siç ka thënë Hoti, qeveria do të ndërmerr vendimet meritore lidhur me bordet e tyre.
“Sot ishte vetëm fillimi. Sot qeveria ka shkarkuar Bordin e Telekomit. Në ditët në vijim do të analizojmë raportet e auditimit dhe performancës të të gjitha ndërmarrjeve publike dhe do të marrim vendimet meritore lidhur me bordet e tyre. Duhet të shpëtojmë nga falimentimi këto ndërmarrje”, ka shkruar Hoti në Facebook.
Ky bord shpesh ishte akuzuar për punësime të pakontrolluara në Telekomin e Kosovës.




