Veç kujdesit për ta përzgjedhur dhe organizuar brendinë e shkollimit, do duhet të familjarizohemi më shumë me idenë e shkollimit që të përgatit të nxësh vetë; thënë ndryshe, me idenë se si shkolla/fakulteti duhet të trajnojnë të mendosh, të nxësh…

Në këtë fillim viti shkollor, po ndaj me kolegët e mi dhe të interesuarit disa ide rreth nxënies në institucionet arsimore. Pasi mendoj se veç kujdesit për ta përzgjedhur dhe organizuar brendinë e shkollimit, do duhet të familjarizohemi më shumë me idenë e shkollimit që të përgatit të nxësh vetë; thënë ndryshe, me idenë se si shkolla/fakulteti duhet të trajnojnë të mendosh, të nxësh, të njohësh për të vepruar me sukses. Sikundër në kursin për gurgdhendës, p.sh., ku rishtari zhvillon disa shkathtësi dhe ndjesi të caktuara përmes detyrave që kryen, ashtu duhet parë edhe shkollimi: si trajnim afatgjatë, që mundëson zhvillimin e të menduarit, të kujtuarit, të shkruarit, të hulumtuarit dhe të komunikuarit, për të vepruar me sukses në jetë.

Kur A. Ajnshtajni thoshte se “arsimi është gjithë sa mbetet, pasi harrohen ato që na kanë mësuar në shkollë”, më duket kishte parasysh pikërisht, shkathtësi dhe qëndrime si këto. Nëse nxënësve/ studentëve u kërkojmë mësim pas mësimi të përballen me faktet, t’i kujtojnë me saktësi dhe t’i riprodhojnë kur t’u kërkohet, atëherë ata do të kultivojmë shkathtësitë e mbajtjes shënim, të ruajtjes në kujtesë dhe qëndrimin për të pranuar gjithçka pa pyetur. Por, nëse përmbajtjet mësimore përfshijnë situata, veprimtari dhe projekte që realizohen në grup, një pjesë të së cilëve subjektet duhet t’i caktojnë vetë, atëherë çka do të rrënjosen në mendjet e tyre, janë shkathtësitë e bashkëpunimit, të diskutimit dhe të vetorganizmit. Sigurisht, të fillosh t’u kushtosh vëmendje zakoneve të nxënies që fëmijët dhe të rinjtë duhet të zhvillojnë, kjo nuk do të thotë të mos kujdesesh për përmbajtjet ose cilësinë. Gurgdhendësi i ri që të mësojë ka nevojë për gurët, sikundër ka nevojë edhe për dikë që ta mësojë dhe ta gjykojë punën e tij. Ndërkaq, qëllimi i procesit që të aftëson të nxësh nuk është rezultat i çastit, por zhvillim hap pas hapi që vjen nga plotësimi i detyrave të caktuara. Kur interesohemi vërtet që t’i përgatitim fëmijët dhe të rinjtë, për sot dhe të ardhmen, atëherë ato që vlejnë të sigurohen me kalimin e kohës, duhet të jenë edhe cilësitë e këtyre shkathtësive dhe qëndrimi i subjektit ndaj nxënies. Nëse konstatojmë që shumë prej të rinjve dhe të rejave tona u mungon vetëbesimi për të nxënë, studiuesit dhe psikologët pohojnë se ata nuk kanë të zhvilluar në nivelin e përshtatshëm, cilësi personale si: kurioziteti, kuraja, hetimi, eksperimentimi, imagjinata, arsyetimi, të qenët i shoqërueshëm dhe reflektimi. Nuk janë tamam aftësi. Më shumë se të tilla, ato janë cilësi të mendjes, janë vullnet dhe prirje. Fëmijët, të rinjtë dhe të rejat ndjehen më të sigurt dhe janë më të gatshëm të përballen me vështirësitë e jetës, kur ndihmohen të zhvillojnë këta “muskuj” mendorë. Këto cilësi mund të kultivohen nga arsimi, por shumë institucione, të ndodhura nën trysninë për të përmirësuar rezultatet, cenojnë më thelbësorin e funksioneve të tyre. Rendja pas rezultateve formale, më shumë i minon themelet e vetëbesimit për të nxënë, se sa për i forcon ata. Të rinjtë e të rejat, shumica e të cilëve janë të suksesshëm në provime, e humbasin kuriozitetin, pikërisht si pasojë e këtij lloj arsimi që u ofrojmë. Ata humbasin kuriozitetin për t’u habitur, interesin për të pyetur në mënyrë kritike dhe për të vepruar si duhet në mënyrë të pavarur. Në vend që të bëhen më të bindur, por të patrembur, ata bëhen më “rebelë”, por më të thyeshëm nga sfidat dhe pengesat. Ata aftësohen të mendojnë ngushtë, në vend që të mendojnë në një spektër të gjerë; aftësohen të kundërshtojnë, në vend që të bashkëpunojnë dhe u frikësohen paqartësive dhe rrezikut të gabimit që i shoqëron.

Lexo po ashtu:  Doni të zgjoheni të freskët? Kjo është koha kur duhet të flini

Duke shtruar çështjen e kapaciteteve dhe atributeve që duam të ndërtojnë të rinjtë, ne nuk mundet, në të vërtetë nuk duhet të mos marrim parasysh më thelbësoren – natyrën karakterformuese të shkollës. Shoqërisë sonë i kushton shtrenjtë përgatitja e të rinjve që e shohin veten të dështuar në nxënie. Çdo vit, mjaft të rinj, që hyjnë në botën e punës, përveç të tjerave, nuk kanë shprehitë e duhura për lexim, shkrim dhe njehsim, çka mund të llogaritet si mosarritje e sistemit. Nuk mund të tolerohet një institucion që, në vend të përmirësojë sigurinë dhe besimin e nxënësve, shton pasigurinë dhe dështon t’i aftësojë të ndërtojnë kompetencën bazë të nxënies.

Njëherazi nuk mund të mos mbajmë parasysh se, në erën e dijes dhe të informacionit, rrallë, shumë rrallë mund të gjendet “një bllok mençurie i përjetshëm, i vendosur në raft”, i gatshëm të zgjidhë problemin tonë. Në ekonomitë e dijes, për njerëzit është normë të bashkohen dhe të ndërtojnë menjëherë, përmes nxënies, “dijen” që u duhet, në kontekstin e problemit që po gjurmojnë, të pangjashme me diçka tjetër, të ndërlikuar dhe të posaçme. Mund të ketë fare mirë ndonjë precedent të përafërt, por dija e ndërtuar rishtazi përmes nxënies përfshin huazimin, rregullimin, korrigjimin, kombinimin dhe krijimin – jo ruajtjen në kujtesë dhe riprodhimin. Sot vlen të nxësh si ta përdorësh dijen dhe si të ndërtosh dije të reja me të; jo magazina e pafundme e informacionit që mendon se mund ta përdorësh sipas rastit.

Lexo po ashtu:  Pse patatet duhen ruajtur gjithmonë në frigorifer

Për arsye si këto, tani e në të ardhmen do të theksohen fort ndërtimi i kompetencës për të nxënë (individualisht/në grup) dhe përpjekjet për t’ia zhvilluar kompetencën kujtdo. Çka, edhe pse duket e thjeshtë, nuk është aspak e tillë. Ky zhvillim nënkupton riorganizimin thelbësor të mënyrës si i shkollojmë fëmijët/të rinjtë. Pedagogët, mësuesit, studentët, nxënësit, prindërit dhe drejtuesit lipset të mendojnë ndryshe, por edhe të kuptojnë pse duhet të mendojnë ndryshe.

Për arsimin tonë të reformuar do të jetë e rëndësishme që nxënësve/studentëve t’u ofrohen mënyra alternative për të nxënë gjërat themelore. Ata, përmes burimeve të reja, mediave, internetit dhe rrjeteve shoqërore të cilëve u përkasin, do të nxënë shumë më tepër nga sa u mësojmë sot institucionet arsimore. Kjo do të na çojë në një situatë, ku një numër gjithnjë në rritje nxënësish/studentësh do t’i gjejnë mësimet formale të parëndësishme, sepse atë që është domethënëse për ta, e kanë nxënë tashmë gjetkë. Një zgjidhje e mirë për këtë është që ta rimendojmë procesin e nxënies, ​që kjo të mbështetet sa në plane të përshtatura për nxënien vetjake, aq edhe në mësimet e hartuara nga kurrikuli i standardizuar për të gjithë. Arti i reformimit të arsimit do të gjejë baraspeshën mes këtyre elementeve. Për shkak të zgjerimit të mundësive arsimore në botën dixhitale, fëmijët do të hyjnë në shkolla me dallime të mëdha për sa njohin dhe janë në gjendje të bëjnë. Kjo do të thotë që ata do të jenë të interesuar për shumë çështje dhe gjëra që mund të jenë krejtësisht të huaja për mësuesit ​​e tyre. Ndërkaq, planet e studimit vetjak dhe nxëniet e personalizuara nuk nënkuptojnë nxënësin që studion vetë me mjete dixhitale dhe informacion nga interneti. Përkundrazi, për nxënien, ata do të kenë plane vetjake të mirëpërgatitura, të pasura, të justifikuara dhe edukuese, që janë projektuar dhe miratuar nga pedagogët, mësuesit, prindërit dhe vetë subjekti. Zhvillimi i nxënies së personalizuar të bazuar mbi veprimtarinë shpie përfundimisht në situatën ku subjektet mund të nxënë më shumë nga sa nxënë tani në shkolla, përmes pajisjeve dixhitale, kudo dhe kurdo. Nëse besojmë se aftësimi për të nxënë i të rinjve është një nga burimet e suksesit të dëshiruar, vlen jo pak ta qartësojmë veten për disa gjëra që ndikojnë baraspeshën “përpjekje-sukses”. Dhe, mënyra më e mirë, është nxënia duke bërë.

Lexo po ashtu:  TË DISH është më mirë se TË KESH, 5 kriteret që duhet të merrni parasysh kur blini lodra për fëmijë

(Nga Pëllumb KARAMETA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *