Jeta pa dinjitet

Sead Zimeri

Më çmendën Buzhala dhe Latifi! Dinjiteti i kosovarëve qenka tërësisht i varur në teket e presidentit Amerikan. Dinjiteti qenka folklor romantik, sepse shtetet e vogla nuk munden të funksionojnë me koncepte morale të dinjitetit…

Por nëse ka diçka që është folklor romantik është pikërisht të ekzistuarit pa dinjitet.

Kjo formë e të kzistuarit pa dinjitet nuk i ka sjellur Kosovës asnjë levërdi politike dhe ekonomike. Dëshmi për këtë është e tërë historia e pas shpalljes së Pavarësisë. Kosova fitoi simpatinë e botës dhe luftën kundër agresorit sërb vetëm atëherë kur ajo vendosi ta respektonte veten, të i tregonte botës që ajo ishte si ata që nuk e duronte shtypjen, nënçmimin, por që kishte dinjitet dhe dëshironte të jetonte në pavarësi. Pavarësia nënkupton të jetuarit me dinjitet, e të jetosh me dinjitet do të thotë të kesh integritet dhe ta trajtosh veten tënde jo si të ngurtë, jo si fundamentalist të pandryshueshëm, e as si ndonjë instancë e ndarë nga historia dhe lufta për liri, por si kulturë e hapur ndaj ndryshimit, e gatshme që të bisedojë edhe me armiqtë e saj, por mbështetur mbi disa parime që ruajnë konsistencën e narrativës dhe identitetit historik të saj si popull. Të jetosh me dinjitet do të thotë të jetosh si qenie e lirë që i përkulesh vetëm parimeve që edhe tjetri i pranon si të arsyeshme. Kosova luftoi për liri, dhe e vetmja arsye për të luftuar për liri është dinjiteti, që të bësh jetën që do vetë ti, që vendimet për fatin tënd individual dhe kolektiv t’i marrësh vetë apo në bashkëpunim me grupin të cilit i përket. Nuk vdes njeriu për liri që pastaj t’ia japë falas atë dikujt tjetër.

Lexo po ashtu:  Rinia e diasporës e ka kapur idenë

Politikat e pas shpalljes së pavarësisë ishin pa dinjitet dhe po të ishte e vërtetë që kjo formë e ekzistencës është superiore dhe me levërdi ekonomike dhe politike më të mëdha se format e dinjitetshme të ekzistencës, ndoshta ky supozim do të gjente mbështetje instrumentaliste; por as këtu nuk ka mbështetje.

Presupozimi që dinjiteti ska asnjë vlerë në vetvete por që është tërësisht i varur në mëshirën e Amerikës, është, për më tepër, një fyerje e rëndë edhe ndaj Amerikës, sepse ajo qasje lë të nënkuptohet se Amerika nuk ka dinjitet, se ajo nuk është e besueshme, se asaj nuk mund t’i besohet, se ajo pra, nuk ka politikë parimore dhe, si rrjedhojë, nuk i trajton miqtë e saj sipas parimeve morale të lirisë dhe dinjitetit, por vetëm sipas tekeve të ambasadorëve dhe presidentëve të saj. Me një fjalë, Amerika kur janë në pyetje popujt e vegjël, sillet me ta si çdo mafioz me pushkë në dorë, e jo sipas parimeve dhe integritetit të saj politik. Amerika nuk është vendi i lirisë dhe respektimit të ligjit por vend i cubave dhe njerëzve që dinë vetëm të shantazhojnë dhe kërcënojnë ata që nuk pajtohen me dëshirat e tyre.

Lexo po ashtu:  Policia është e Kosovës

Nuk është shenjë miqësie dhe respekti ta trajtosh Amerikën kështu, sikur që nuk është kurrfarë konsiderate e veçantë t’i thuash asaj që para teje ne njohim vetëm përkuljen. Amerika e konsideron veten si personalitet moral, dhe kërkon nga të tjerët që ta trajtojnë si të tillë. Ata që nuk e trajtojnë atë si autoritet moral Amerika i shpall armiq! Prandaj ne kemi më shumë gjasa të bëhemi armiq të saj nëse nuk e trajtojmë atë si autoritet moral, por vetëm si fuqi pa parime, sesa nëse e trajtojmë si autoritet moral.

Forma jodinjitoze e ekzistencës nuk e sheh as autoritetin moral si të tillë por si forcë e zhveshur nga parimet morale dhe si e tillë kjo perspektivë, apo kjo formë e ekzistencës pa dinjitet, e paragjykon dhe e lëndon integritetin e autoritetit moral të Amerikës. Syri i keq sheh keq gjithandej. Me Amerikën mund të flasësh vetëm duke ia njohur asaj autoritetin moral, që do të thotë, duke e njohur atë si personalitet parimor që nuk merr vendime ad hoc, por në bazë të integritetit të saj moral, e jo vetëm të interesave ekonomike, por interesat ekonomike janë pjesë integrale e politikës së saj.

Lexo po ashtu:  “U thoni shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të imitojnë dhe të veprojnë si serbët e Mitrovicës. Diplomacia europiane lëviz dhe vepron vetëm kur plasin ujrat”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *