Gruaja e Enver Hoxhës Nexhmije Hoxha është përcjellë sot në banesën e fundit. Me arkivolin e mbuluar me flamurin shqiptar, Nexhmije Hoxha është nisur drejt varrezave të Sharrës.

Nexhmije Hoxha, e veja e diktatorit Enver Hoxha , që u nda nga jeta mesditën e 26 shkurtit, u përcoll këtë të enjte në varrezat e Sharrës pranë vendit të bashkëshortit të saj. Përmes një ceremonie private të organizuar nga familja Hoxha, u largua nga kjo jetë e përcjellë në mënyrë modeste dhe të trishtë.

Një degë e familjes së saj, të birit Sokolit me bashkëshorten Liljanën, për shkak të përçarjes dhe konflikteve familjare mungonte, e jo vetëm përgjatë homazheve, por edhe në përcjelljen për në banesën e fundit.

Ndërkohë ishin të pranishëm djali i saj Iliri me bashkëshorten Teuta, vajza Pranvera dhe fëmijët e tyre. Në këto homazhe, mungoi pjesëmarrja e personaliteteve të njohura publike, ndërkohë që e veja e diktatorit Enver Hoxha u përcoll dhe u nderua nga një grup shoqatash të nostalgjikëve të veprës së Enver Hoxhës dhe diktaturës komuniste. Në mungesë edhe të shumë pasardhësve të anëtarëve të byrosë politike të diktaturës, Nexhmije Hoxha u përcoll në varrezat e Sharrës si besnike e bindjeve të saj dhe rolit që pati në shoqërinë komuniste, e cilësuar si “shoqja Nexhmije Hoxha”.

Lexo po ashtu:  I dashur Zot, të lutem le të fitojmë

Nexhmije Hoxha, në 30 vjet pas rënies së komunizmit nuk luajti asnjë rol në jetën politike të vendit. Jeta e saj vazhdoi mes spektakleve të nostalgjikëve të regjimit komunist, mbështetësve të tyre, një burgu 5-vjeçar që bëri për korrupsion në vitin 1994, dhe largimit nga Vila në  Bllokun e udhëheqësve të diktaturës, ndërsa e dha frymën fundit në një banesë të Laprakës, që ka qenë kazermë ushtrie. Nexhmije Hoxha nuk u shpreh asnjëherë e penduar për krimet e kryera gjatë diktaturës nga Enver Hoxha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *