Presidenti i Malit të Zi ka akuzuar Serbinë dhe Rusinë për shfrytëzim të Kishës ortodokse serbe për të minuar qeverinë pro-Perëndimore të vendit të tij derisa e njëjta kërkon anëtarësimin në BE.

Millo Gjukanoviq tha se një sërë tubimesh kundër një ligji të feve të cilat kanë qenë të udhëhequra nga klerikë ortodoksë serbë në vendin ballkanik kishin për qëllim “të vënin në pikëpyetje pavarësinë e Malit të Zi”.

Mitropoliti Ilarion, klerik i Kishës ortodokse ruse, ka ngritur zërin për mbështetje ndaj interesave të Kishës ortodokse serbe në Mal të Zi. Mitropoliti Onufriy, kreu i Kishës ortodokse ukrainase, besnik i patriarkatit të Moskës, u është bashkuar protestave këtë javë në Podgoricë.

“Nëse po pyesni nëse kjo është një vazhdimësi e shkatërrimit (të mbetur në tentativë) të Malit të Zi dhe pengimit të qëllimeve të tij për të vazhduar rrugën drejt integrimeve evropiane dhe euro-atlantike, nuk ka dyshim për këtë”, tha Gjukanoviqi në një intervistë dhënë Reutersit, transmeton Koha.net.

Lexo po ashtu:  Paratë e kishës në klube nate, dy zyrtarë të Kishës Katolike greke nën hetim

“Moska ishte e qartë në shprehjen e interesave të saj për problemin e vazhdueshëm (për fe) në Mal të Zi”.

Gjukanoviqi akuzoi Beogradin për ringjalljen e konceptit nacionalist për Serbi të Madhe që kontribuoi në luftërat ballkanike të viteve të ’90-ta dhe kolapsin e ish-Jugosllavisë.

“S’kemi asnjë dyshim se… të gjithë mekanizmat e implementimit të projektit shtetëror për Serbinë e Madhe… janë vënë në lëvizje, dhe se Mali i Zi është po ashtu cak”, tha ai.

Maria Zakharova, zëdhënëse e ministrisë së Jashtme ruse, ka hedhur poshtë deklarimet e Gjukanoviqit, duke thënë se “askush s’mund t’i minojë veprimet e veta më shumë se vetë ai/ajo”.

Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, i mohoi komentet e Gjukanoviqit. Duke iu referuar protestave që vendi me 620 mijë banorë është përballur, ajo tha se ai (Gjukanoviqi) “ka një problem në vendin e tij dhe me qytetarët e Malit të Zi”.

“Jam e befasuar me retorikën e presidentit Gjukanoviq… Serbia ka hequr dorë nga të ’90-tat moti kohë dhe është kthyer kah e ardhmja”, tha Bërnabiqi, duke shtuar se Serbia po kërkon vetëm të drejtën për gjuhën dhe besimin e serbëve në Mal të Zi.

Lexo po ashtu:  At Gjergj Fishta, pak para se të ndahej nga kjo jetë tha këto fjalë...

Ambiciet e BE-së

Protestat që nisën në dhjetor kanë të bëjnë me një ligj që do t’i lejojë shtetit të marrë nën pronësi pronat kishtare nëse kisha s’mund të provojë se i ka pasur nën pronësi para vitit 1918 – kur Mbretëria e atëhershme e Malit të Zi iu bashkua Mbretërisë së serbëve, kroatëve dhe sllovenëve, paraardhës të Jugosllavisë.

Kisha ortodokse serbe është besimi dominues në Mal të Zi, vend me 620,000 banorë, dhe ka rreth 12 milionë pjesëtarë, kryesisht në Serbi, Mal të Zi e Bosnje.

Serbia dhe Mali i Zi që të dyja po negociojnë hyrjen në BE. Mali i Zi ka hyrë në NATO më 2017, por Beogradi nuk synon anëtarësim në aleancën mbrojtëse.

Serbët etnikë përbëjnë rreth një të tretën të popullsisë së Malit të Zi. Shumë serbë kanë prejardhje në Mal të Zi dhe familje në vend, ndërsa dhjetëra mijëra malazezë jetojnë në Serbi.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Beogradi nuk do të ndërhyjë në çështjet e Malit të Zi, por ka thënë gjithashtu se Serbia do të ndihmojë pakicën serbe atje.

Lexo po ashtu:  Përfituese edhe Shqipëria dhe Kosova/ Lajmi i madh nga Oxford dhe AstraZeneca: Vaksina jonë 90% efektive

“Serbia po nxiton drejt një gracke të rrezikshme të mbrojtjes së të drejtave të supozuara të rrezikuara të (pakicës) serbe … ndërsa rrezikon sovranitetin e shteteve tjera”, tha Gjukanoviqi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *