Pushkën e parë në luftë ma dha Qerim Kelmendi

Sadik Zeqiri

Viti 1998. Luftë. Krismat e atyre pak armëve të shqiptarëve kishin filluar të krisnin nëpër Kosovë. Ne që s’kishim armë, por që kishim vullnet për luftë, ishim mbledhur në fshatrat e Gjakovës për t’ia mësyrë Tropojës.

Ne u nisëm nga Stublla 6 shokë, ndersa rrugës u bëmë shumë që po shkonim për të marrë armatim. Kishim marrë edhe një porosi me vete nga komandanti i Smolicës për t’ia përcjellë “Demës”. Porosia i ishte dhënë bashkëluftëtarit (Azmanit) i cili duhej t’ia jepte Qerimit.

Pas një rrugë të gjatë e të mundimshme, shkuam në Tropojë. Aty takuam shumë ushtarë të UÇK-së që pritnin të armatoseshin e të ktheheshin nga kishin ardhur – në Kosovë.

Nuk i kam numëruar saktësisht, por një shifër të rrumbullakët mund ta jap për ta: ishin mbi 3 000 ushtarë që flinin në shkollën e Tropojës dhe në shtëpitë afër shtabit.

Para se të ktheheshim në Kosovë, donim të takoheshim me “Demën”. Na thanë se atë mund ta gjejmë në shtabin e Bajram Currit. Vajtëm deri në Bajram Curr. Pasi e gjetëm shtabin, e gjetëm edhe “Demën”.
Ia dhamë porosinë: një letër të shkruar me dorë. E pritëm derisa e lexoi dhe na dha një porosi për komandantin e Smolicës, po ashtu edhe na ngarkoi me armatimin. Vetë Qerimi Kelmendi na i dha armët, kurse motra e tij, Lusha, që po përgatiste petulla, na dha disa dhe i hëngrëm shpejt e shpejt sepse ishim të uritur. U nisëm për kufi, por aty mbetëm disa ditë sepse ishte bllokuar kufiri.

Lexo po ashtu:  Jireçek: Shqiptarët kanë humbur shumë tokë tek serbët

Megjithatë, hymë pas disa ditësh radhë-radhë, mbi 1 000 ushtarë, duke kujtuar, që nga ajo ditë e sot, mirësjelljen e motrës Lushe dhe të vëllait të saj Qerimit, dritë shpirti i bëftë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *