Sot në media ka rrjedhur një pasazh nga opinioni fillestar i Komisionit të Venecias për debatin mes Presidentit të Republikës dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vakancën në Gjykatën Kushtetuese. Nga sa lexohet në atë pasazh Komisioni i Venencias vlerëson se Presidenti i Republikës ka ndjekur një interepretim të arsyeshëm të Kushtetutës në qasjen e tij.
Menjëherë pas këtij momenti në mediat pranë pushtetit është shfaqur një qëndrim i numrit dy të Partisë Socialiste, Taulant Balla që njoftonte shtyrjen e vendimit të Kuvendit për ligjin e ri që rregullon betimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese deri në dhënien e opinionit final të Komisionit të Venecias. Sipas z. Balla, Komisioni ka kërkuar që palët të ruajnë konfidencialitetin deri në fund.
Pas z. Balla në mënyrë krejt të pakuptueshme u shfaq ambasada amerikane e cila teksa përshëndet opinionin e Komisionit dhe qëndrimin e Presidentit të Republikës për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.
Duket se drafti i prezantuar ka minuar operacionin politik të diskreditimit final të Presidentit. Nxjerrja e pasazhit të sipërcituar që njofton se Komisioni e gjen kushtetues veprimin e kreut të shtetit mjafton për të sqaruar së paku se akuza e tanishme se Ilir Meta ka humbur rolin e të qenit mbi palët dhe se ai nuk përfaqëson më unitetin e kombit, nuk qëndron.
Ndërhyrja e presidentit nëse konsiderohet kushtetuese nga Komisionit rivendos në balancë institucionin në fjalë, ia njeh atij atributin e arbitrit dhe garantit me integritet të Kushtetutës, duke e zhvendosur pikën kritike të krizës drejt shumicës, por edhe drejt Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Me një opinion që njeh kushtetueshmërinë e veprimeve të Presidentit mazhoranca dhe KED do të jenë të detyruar të respektojnë kërkesat e Presidencës dhe interpretimin e saj duke ngritur kështu pikëpyetje të mëdha mbi seriozitetin dhe më keq, qëllimet e reformës në drejtësi.
Është kjo një ndër arsyet që shpjegon ndërhyrjen krejt pa vend të Ambasadës së Bezdisshme të ShBA-ve në Tiranë, për një çështje që as i takon fare. Përveç se në rastin se institucionet e reja të drejtësisë janë thjesht vegla të politikës së saj në Tiranë. Opinioni i Venecias e çliron presidentin nga detyrimi patetik dhe i sforcuar për 15 marsin duke qenë se ai do të përcaktojë arbitrazhij e kësaj çështjeje që duket se nuk favorizon shumicën. Ndonëse duhet pritur deri në momentin final, një gjë është e sigurtë: Opozita shqiptare, kushdo që ka mundësinë duhet të publikojë sa më parë opinionin fillestar për arsye të përvojës së hidhur me të huajt e tipit Lu-Vlahutin.
Apeli i sotshëm për diskrecion nga ABA(Ambasada e Bezdisshme Amerikane) është një sinjal alarmi se diçka po luhet, nëse këtë lloj qëndrimi i vendosim në relacion me deklaratën e djeshme të ish-kryeministrit Berisha që zbuloi se dy ambasadorë i kërkuan PD-së që subjektet e vetingut të mos ankoheshin në Gjykatë Kushtetuese. Pra kemi dy diplomatë që para mediave flasin për të drejtën, kurse pas dyerve kërkojnë mohimin e një të drejte themelore.
Në këtë kuptim publikimi i opinionit të tanishëm është një domosdoshmëri për të mbyllur çdo mundësi manovrimi dhe interpretimi nesër nga një kategori aktorësh publikë si ambasada që luajnë lojën e tyre në kundërshtim të hapur me interesin e të gjithë shqiptarëve që duan të jetojnë në këtë vend. Përndryshe vlen ajo fjala e urtë që na thotë se “herën e dytë je budalla”.