Nuk dihet pse qëlloi që në momentin kur në Parlament po vërviteshin karriget e protestës për Salianjin, ose po digjeshin, të dilte përpara një shkrim i Ben Blushit i 13 shtatorit me titullin: A duhet të armatoset Shqipëria?

Duke njohur personin publik në fjalë, mungesën e seriozitetit si tipar dominues, ngjan disi e parpitur që “ky tip” të shkruajë për ushtrinë. Ushtria shqiptare, siç u formua në kohën e Enver Hoxhës, shihej me një lloj përçmimi nga të përkëdhelurit e qyteteve, si një strehë katundarësh dhe një llogore të djersiturish të cilës duhet t’i rrije larg. Është ai mosbesim kritik që dominon sot marrëdhënien tonë me publiken. Klikimin mbi shkrimin e një personi që nuk duhet humbur kohë ta lexosh, e “imponoi” titulli atipik për profilin e këtij individi.

Shkrimi merret me një paradoks: Kur Shqipëria kishte ushtri, shqiptarët adhuronin armikun. Tani që bota po I afrohet katastrofës, shqiptarët nuk kanë ushtri. Shkruan ndër të tjera Blushi. Ose më saktë, shkruhet në tekstin që gazeta “Dita” publikon nën emrin e Ben Blushit:

Nëse Bota jashtë nesh ka ndryshuar shumë, megjithëse disa thonë që nuk ka ndryshuar shumë, në 30 vjet diçka ka ndryshuar shumë brenda nesh.

Fëmijët që tani kanë mbushur moshën e armëve kanë më shumë arsye për ta mbrojtur vendin. Ky vend mund të mos jetë çdo ditë i dashur, por nuk të jep më asnjë arsye për ta urryer. Ai nuk të fut në burg kur e shan, nuk të vret kur e braktis dhe nuk të ndalon të kesh prona.

Të rinjtë e Shqipërisë kanë sot po aq arsye sa një francez, një zviceran dhe një kroat për të mbrojtur vendin e tyre.

Atyre nuk ju mungon as shpirti, as fuqia dhe as dashuria. Atyre ju mungojnë vetëm armët. Sepse prindërit e tyre i shitën

Cilat janë këto arsye? Zoti Blushi do bënte mirë të na i rendiste. Jo neve që jemi një brez që si i thonë Fjalës, “pordhëm tani”, por atyre të rinjve për të cilët flet. P.sh fëmijëve të vet si u paraqet nevojën për të luftuar për Shqipërinë? Me cilat fjalë dhe më e rëndësishmja: me cilin shembull?

Është në gjendje z. Blushi të na sqarojë edhe ne të roiturve tashmë se pse duhet t’i themi fëmijës: mëso, mundohu, përpiqu dhe po desh në zjarr për Atdheun! Shqipërinë! Për një klishe retorike? Jeta nuk është lodër kaq e vockël. Të thuash një gjë të tillë, duhet të jesh serioz dhe të kesh bindjen vetë se po bën gjënë e duhur. Se ia vlen sakrifica.

Zoti Blushi thotë se në regjimin komunist kishim “një atdhe pa pronë” ndaj nuk e donim. Po sot vallë këta fëmijë çfarë prone kanë? Që ta lidhin jetën e tyre me të? Çfarë prone kanë në një vend ku mendohet për ikjen nga mëngjesi në darkë? Këtu vjen në mend ajo vërejtja e bërë se shqiptarët kanë qenë luftëtarë dhe jo ushtarë. Është kalim i vështirë. 

Si mundet të arrijë njeriu normal të predikojë fëmijës së vet një gjë të tillë, për një vend që e gëzojnë Blushi, Fevziu, Rama, jo si njerëz në vetvete sepse kanë të drejtën e natyrshme ta gëzojnë, por si Kategori. Këta janë bacilet e pandemisë së mosbesimit në këtë vend, që kanë sterilizuar edhe të ardhmen. Me shtirjen, ndotjen, korrupsionin dhe këtë shfaqjen me çdo kostum.

Shqiptarët – një pjesë e madhe – nuk luftojnë për Shqipërinë sepse askush nuk Lufton për Gënjeshtrën. Shqipëria ka qenë përherë e varfër, e plaçkitur, e sunduar. Por për aq sa dimë, asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq e gënjyer dhe e braktisur në të pavërtetën që përsërit papushim çdo ditë.

Ne po ikim, emigrojmë edhe mendërisht, dhe politikisht vegjetojmë, sepse e dimë që gënjehemi dhe gënjejmë. Siç bën ky Blushi kur na thotë këtë në shkrim. Ne e kemi gënjeshtrën interes parësor, kontekst jetësor të konsoliduar tashmë, që zë fill që nga banka e klasës së parë, more nga rrëfimet e të afërmeve e derisa dalim vetë në punë e kuptojmë se jemi gënjyer, por edhe Duhet të Gënjejmë.

Aq sa vështirë të gjesh më dikë që të besojë, apo edhe të mendojë se ja vlen të besosh se ka një Shqipëri në një të ardhme që mund të jetë më e mirë. Më e ndershme, më e qetë. Më normale. Për të cilën po, do ja vlente të luftoje. Lëre më të shkoje ushtar. 

s.zaimi