Pjesë nga editoriali i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në gazetën konservatore gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ). Teksti botohet në numrin e nesërmen të FAZ

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka shkruar një editorial për gazetën konservatore gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ) në lidhje me arritjen e një marrëveshjeje për paqe me Serbinë. Editoriali botohet në numrin e nesërm të gazetës gjermane. Të drejtën ekskluzive të botimit paraprak të tekstit në gjuhën shqipe e ka “Koha Ditore”.

Kurti shkruan se është mirë të arrihet një marrëveshje e shpejtë mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe më mirë është një marrëveshje e mirë. “Një marrëveshje e mirë duhet të bazohet në parime demokratike”, shkruan Kurti. Vetëm kështu kjo marrëveshje, sipas tij, mund të ketë sukses afatgjatë. Reciprociteti ndaj Serbisë, që po kërkohet nga qeveria kosovare dhe që ka për qëllim të krijojë parakushte për një marrëveshje substanciale, në aspektin afatshkurtër paraqet një hap të rëndësishëm për të arritur stabilitet ekonomik dhe politik mes Kosovës dhe Serbisë.

Në aspektin afatgjatë, nënvizon kryeministri Kurti, reciprociteti është një hap i rëndësishëm për ndërtimin e raporteve të mira fqinjësore deri te normalizimi i plotë i këtyre marrëdhënieve. Normalizimi i raporteve ndërshtetërore mund të arrihet vetëm nëse palët “normalizuese” pajtohen për rregulla dhe parime të cilat i respektojnë të dyja palët. Vullneti i mirë dhe takimet në kushte të barabarta janë parakushte për të gjitha negociatat, të cilat synojnë krijimin e marrëdhënieve paqësore. “Politika që synon revanshizmin ka një jetëgjatësi të shkurtër dhe nuk ka perspektivë. I bëjmë thirrje Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës ta mbikëqyrin procesin dhe paraprakisht të definojnë masat që do të merren kur nuk respektohen parimet dhe kur eventualisht shkelet marrëveshja”, shkruan Kurti.

Lexo po ashtu:  Albulena Haxhiu nga burgu ku u vra Dehari: Do të zbardhet rasti

Kryeministri thekson se koalicioni qeveritar i përbërë nga Vetëvendosja si forcë e qendrës së majtë progresive dhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës si parti e djathtë konservatore, ka bërë një premtim elektoral i cili nuk synon revanshizmin, por parimin e barazisë dhe drejtësisë për ndërtimin e marrëdhënieve (tregtare) konstruktive dhe bilaterale. Kurti shkruan se tarifat 100 për qind ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina i ka trashëguar nga qeveria paraprake. “Parimi i reciprocitetit, ndërkaq, ka qenë përherë parim udhëheqës i partisë sime. Po ashtu, reciprociteti si vlerë buron nga koncepti i barazisë dhe është gjithkund i pranishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare. Paqja e qëndrueshme dhe barazia janë premisa udhëheqëse të qeverisë kosovare, kryeministër i së cilës jam nga fillimi i shkurtit. Respekti i ndërsjellë është i pashmangshëm për arritjen e këtyre qëllimeve, sepse vetëm kështu, një marrëveshje e mundshme mund të ketë efekte vërtet pozitive në jetën e njerëzve”, shkruan Albin Kurti në “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Sipas Kurtit, marrëveshjet e arritura “me detyrim dhe kërcënime” dhe jo duke u bazuar në respektin e ndërsjellë nuk kanë vlerë as sa letra mbi të cilën hidhen “nënshkrimet tona”. Për këtë arsye, shton Kurti, “ne duam që si shenjë të vullnetit të mirë dhe të gatishmërisë sonë për shmangien e ngatërresave politike, nga data 15 mars 2020 të heqim tarifat prej 100 për qind ndaj lëndës së parë të importuar nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina”.

Lexo po ashtu:  Kush është krimineli serb Vlado Zmajeviq, që vrau tre shqiptarë, anëtarë të një familje në Gjilan

Qeveria e Kosovës kërkon, sipas Kurtit, që Serbia të ndërpresë fushatën kundër njohjeve të pavarësisë së Kosovës dhe të heqë barrierat tregtare jotarifore. “Nëse pala serbe tregon vullnet të mirë, qeveria kosovare nga 1 prilli 2020 do t’i heqë plotësisht tarifat për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina për një periudhë prej 90-ditësh”, shkruan Kurti. Ai shpreson se Bashkimi Europian para Samitit të Zagrebit më 7 maj të heqë vizat për qytetarët e Kosovës. Në rast se Serbia nuk e respekton vullnetin e mirë të qeverisë kosovare për heqjen e barrierave ekonomike, tregtare dhe politike dhe rrjedhimisht nëse e vazhdon fushatën ndërkombëtare kundër Kosovës dhe po ashtu nëse nuk i heq barrierat ekzistuese tregtare, atëherë “ne më 1 prill do të nisim zbatimin hap pas hapi të parimit të reciprocitetit, së pari në tregti, pastaj edhe në ekonomi dhe në politikë”. Pastaj, premton Kurti, “ne do të përqendrohemi në synimet tona parësore të politikës së brendshme, të cilat janë qenësore për jetën e njerëzve: vende të punës dhe sundim të ligjit. Për të arritur këtë, do të luftojmë me të gjitha mjetet korrupsionin dhe kështu, do të kujdesemi për zhvillimin ekonomik të vendit tonë”.

Lexo po ashtu:  VV-LDK, sot takim me ambasadorët e Quint-it

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *