Të mirat që vijnë nga leximi i librave nuk kanë fund. Kaq besoj e pranojmë të gjithë. Dhjetëra studime bëhen çdo vit vetëm mbi ndikimin që ka leximi në jetën dhe mendjen e njeriut. Dhe jo sepse kemi nevojë që të na mbushet mendja, thjesht për të kuptuar më mirë psikën njerëzore.
E dimë shumë mirë që leximi largon stresin, zbut ankthin, përmirëson cilësinë e jetës, përmirëson kujtesën dhe procesin e të menduarit, madje i bën njerëzit më të mirë në përgjithësi dhe më të dashur.
Kjo e fundit ishte rezultati i një kërkimi, ku studiuesit i pyetën pjesëmarrësit rreth preferencave të tyre për libra. Pas kësaj, ata ishin testuar për aftësitë ndërpersonale, sa i vlerësonin ndjenjat e personave të tjerë dhe nëse veprojnë për t’i ndihmuar të tjerët.
Studiuesit zbuluan disa të përbashkëta te personat që lexojnë.
Në veçanti, ata që pëlqenin librat triller rezultuan si më të kuptueshëm dhe më të ndjeshëm. Sipas grupit të kërkuesve, kur njerëzit lexojnë libra, ata i kërkojnë përvojat personale. Ata mbështeten jo vetëm te fjalët e shkruara në faqet e librit, por gjithashtu edhe në përvojat e kaluara personale. Edhe pse trilleri është i sajuar, ai mund t’i transmetojë të vërtetat rreth psikologjisë dhe marrëdhënieve njerëzore.
Përmes leximit, ne mund të lidhemi me karaktere duke e kuptuar realitetin dhe përvojat e jetës së tyre, të cilat vetë ndoshta nuk do t’i provojmë kurrë.