Sead Zimeri

Marcel Gauchet, në Le Désenchantement du monde, e përmbledh me një fjali të vetme krejt predikamentin e njeriut modern. Po e parafrazoj: Tani e tutje, thotë ai, ne jemi dënuar të jetojmë lakuriq dhe në ankth, diçka nga e cila njeriu ishte kursyer, për shkak të perëndive, që nga fillimi i aventurës njerëzore.

Në modernitet kërkuam liri dhe emancipim nga vlerat tradicionale, sidomos ato fetare, në veçanti vlerat e krishterimit. U emancipuam por emancipimi nuk erdhi vetëm por solli me vete një mori dukurish psikike dhe sociale negative që, thënë shkurt e shqip, na i lidhën këmbët përsëri. Dhe kjo lloj varësie, humbje e ndjenjës së lirisë, është më e rëndë sesa mungesa e lirisë individuale paramoderne. Normat e krishterimit ishin dhe pranoheshin si të jashtme në raport me individin. Ato nuk vinin nga brenda, nga vetja e tij apo nga shoqëria, por nga Perëndia, dhe si të tilla ato nuk kërkonin legjitimim tjetër. Perëndia është legjitimimi absolut i tyre.

Por me rëniën e Perëndisë, me hyrjen në epokën e arsyes, gjërat marrin kahje dhe dimension tjetër. Perëndia më nuk qëndron prapa vlerave por njeriu me arsyen e tij. Arsyeja e tij megjithatë dëshmohet e pafuqishme ta zëvendësojë Perëndinë plotësisht sepse përmes saj mund të legjitimohen edhe vlera që janë shtypëse apo edhe shfarosëse të disa njerëzve.

Lexo po ashtu:  Intelektuali nga Kosova: Të lutem redaksi mos e publikoni emrin tim. Më largojnë nga puna - "Vjedhë politikani, vjedhë advokati, vjedhë prokurori, vjedhë gjygjtari, vjedhë ekonomisti, vjedhë mjeku, vjedhë polici, vjedhë hoxha e vjedhë prifti, por sot – sot o vëlla u mbush kupa!"

Hyrja në epokën e arsyes u paralajmërua si një fitore e madhe për njerëzimin, por fitorja nuk zgjati shumë sepse përderisa u çliruam nga prangat e jashtme u bëmë skllevër të fuqive të anktheve dhe pasigurive që shkaktoi rrënimi i Perëndive. Pasojat e këtij transformimi askush nuk do t’i kuptojë më mirë se Niçe (dhe Heideggeri pas tij) për të cilin vrasja e Perëndisë shkaktoi nihilizmin e modernitetit. Vlerat tradicionale të ankoruara në fe më nuk mund të ekzistonin si më parë, por me çka do të zëvendësosheshin? Niçe do të japë një përgjigje të veten, Mbinjeriun, por jo të gjithë mund ta pranojnë atë.

Moderniteti që nga fillimi është inkuadruar në shtypje dhe kolonializëm. Postmodernët bënë çdo gjë për të na bindur që këto tendenca janë pjesë e pandashme e vetë modernitetit, por kjo nuk mund të jetë e vërtetë. Është e vërtetë që me kalimin në modernitet, si epokë e arsyes, shumë gjëra u trazuan, dhe njeriu perendimor me lirinë e sapo fituar do të hyjë në aventura që do të përfundojnë keq për ata që akoma nuk kishin hyrë në modernitet, por njëkohësisht këto aventura nuk u bënë sepse arsyeja i kërkonte, por sepse situatat kalimtare, ku gjithçka është e pezulluar, ku e vjetra nuk ka vdekur plotësisht dhe e reja nuk ka lindur ende, por ne shohim vetëm siluetin e të resë, janë situata kaotike.

Lexo po ashtu:  GRABITËSIT E RINASIT, MË PAK TË FAJSHËM SE ÇDO GRABITËS TJETËR

Problemi më i madh i modernitetit është që akoma nuk kemi gjetur një mënyrë të çlirimit nga prangat e brendshme që janë duke shkaktuar vuajtje tek njeriu modern. Ai kupton se liria është ideali më i madh i modernitetit dhe i vetmi legjitimim i formave të jetës në modernitet, por moderniteti nuk ka zgjidhje për format e skllavërisë së brendshme. Moderniteti ishte sajuar që të na emancipojë nga traditat e imponuara nga jashtë, por është treguar i pafuqishëm në emancipimin tonë nga pasojat e emancipimit shoqëror. Është duke na mbajtur me ilaçe antidepresive, por kjo nuk është zgjidhje permanente.

Kërkohet një mënyrë tjetër e të jetuarit që mund të na çlirojë nga çlirimi modernist, por pa rënë në fantazitë e tradicionalistëve se mund të kthehemi në traditat e vjetra paramoderne. Këta që flasin kështu japin këshillat më të këqia që ekzistojnë sot, ndoshta ngaqë nuk kanë kuptuar asgjë nga transformimi radikal që shkaktoi moderniteti.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *