Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), ka njoftuar se për shkak të situatës së krijuar si rezultat i pandemisë COVID – 19, ka filluar menjëherë punën rreth organizimit të procesit të mësimit në distancë (mësimi online).

MASHTI bën të ditur se kanë gjetur mbështetje të konsiderueshme për jetësimin e iniciativës për krijimin e platformës për mësimin online në Kosovë.

“Në këtë kuadër, kemi gjetur mbështetje të konsiderueshme nga shumë operatorë ekonomikë nga fusha e ICT-së, medieve dhe ofruesve të shërbimeve arsimore, të cilët kanë ofruar kapacitetet e tyre infrastrukturore dhe ekspertizën profesionale për ta mbështetur MAShTI-n në jetësimin e iniciativës për krijimin e platformës për mësimin online në Kosovë”, thuhet në njoftim.

MASHTI thekson se platforma e mësimit në distancë (online), do të jetë në dispozicion për të gjithë nxënësit e institucioneve publike dhe atyre private, pa dallim.

“MAShTI është në kontakt të vazhdueshëm me transmetuesin publik, Radio Televizionin e Kosovës, të cilët kanë shprehur gatishmëri për të transmetuar mësimin online në kanalet e tyre. Po ashtu, MAShTI është duke komunikuar me ofruesit e shërbimeve të internetit në mënyrë që edhe familjeve me fëmijë që nuk kanë qasje në internet t’iu ofrohet shërbimi online pa pagesë, në mënyrë që t’iu mundësohet pjesëmarrja në mësimin nga distanca”, vijon njoftimi.

Lexo po ashtu:  Ambasadori amerikan Hill: "Qoftë tani, qoftë në shekullin e ardhshëm serbët kur të zgjohen (nga gjumi), do të shohin se Kosova u takon shqiptarëve”

Lidhur me shkollat private, të cilat veçse janë duke ofruar shërbimin e mësimit online për nxënësit e tyre, MAShTI sqaron se këto shkolla kanë të drejtë të ofrojnë shërbime edukative të digjitalizuara në mënyrë vetanake, gjithnjë duke pas parasysh se mësimi zhvillohet në përputhje me plan-programin mësimor të aprovuar nga MAShTI.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *