Me detyrën që mori përsipër ajo mbeti deri në fund qeveri revolucionare
Ende dhe sot flitet shumë për Revolucionin e qershorit të vitit 1924. Komentet janë nga më të ndryshmet. Disa thonë ishte grusht shteti, disa revolucion, disa kryengritje, disa revoltë. Po Prof. Kristo Frashëri si do ta cilësonte këtë ngjarje të madhe historike?
“Kalojmë në një çështje tjetër. Kemi lexuar dhe kemi dëgjuar nga disa amatorë të historisë të thonë se ngjarjet e qershorit 1924 nuk qenë “revolucion”, mbasi në ato ngjarje nuk u derdh gjak. Ta kushtëzosh revolucionin me gjakderdhje nuk është e drejtë. Me gjakderdhje mund të lidhet kryengritja apo revolta apo grushti i shtetit, por jo revolucioni. Kjo për arsye se kryengritja apo revolta apo grushti i shtetit nënkuptojnë luftën për pushtet, luftën për të shtënë në dorë drejtimin qeveritar të një vendi pa sjellë ndryshime cilësore, pra pa sjellë përmbysjen e rendit të vjetër, politik, ekonomik, shoqëror, juridik, ose kulturor. Përkundrazi, revolucioni nënkupton përmbysjen cilësore të një situate apo të një rendi të vjetër dhe hapjen e rrugëve drejt një situate të re apo drejt një rendi të ri politik, ekonomik, shoqëror, juridik ose kulturor” thekson ai.
Pse dhe si lindi revolucioni i 1924-s? Kush ishin ambiciet, objektivat, aleancat, rrugët, mënyrat e marrjes së pushtetit? Pra pyetjet janë të shumta, pasi dhe dokumentacioni nuk është i bollshëm por, në lidhje me gjithë zhvillimin e revolucionit Prof. Alfred Frashëri thekson se: “Në atë kohë opozita demokratike me parimet e ekonomisë së tregut e kryesuar nga Fan Noli vendosi ta përmbyste qeverinë konservatore të Ahmet Zogut. Nëse qeveria demokratike e Fan Nolit, e cila zinte në atë kohë një pozicion të majtë do të synonte vetëm përmbysjen e qeverisë së djathtë pa e cenuar strukturën politike-ekonomike-shoqërore-juridike-kulturore të vendit, do të kishim një kryengritje të zakonshme, një kacafytje për pushtet. Në të vërtetë, opozita demokratike synonte të ndryshonte jo vetëm përbërjen e qeverisë, por edhe parimet e djathta që ajo mbronte. E vërteta është se më 1924 në Shqipëri sundonin ende normat ligjore dhe kushtetuese të trashëguara nga Perandoria Osmane për arsye se me Shpalljen e Pavarësisë më 28 nëntor 1912 Shqipëria kreu vetëm një “revolucion” politik. Dihet se qeveria e Fan Nolit për shkak të kohës së shkurtër që qëndroi në fuqi, nuk i vuri dot në jetë reformat e saj. Derisa synimi i lëvizjes ishte ndryshimi cilësor i pronësisë të tokës bujqësore dhe derisa moszbatimi i reformës ndodhi jashtë vullnetit të qeverisë, lëvizja nuk e humbi karakterin e saj revolucionar. Qeveria e Nolit mund të quhet si një qeveri e dështuar në fushën e zbatimit të revolucionit, por gjithsesi me detyrën që mori përsipër ajo mbeti deri në fund qeveri revolucionare.
Programi i Qeverisë Noli përmbante në vetvete esencën e mendimit të përbashkët të intelektualëve demokratë, të diplomuar në universitetet më në zë të Europës Perëndimore dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pa asnjë mëdyshje, do thënë se, mes tyre, figura e kryepeshkopit Fan Noli ishte më e kompletuara. Sipas Prof. Nasho Jorgaqi “Masat e para që mori Noli Kryeministër, filluan nga thjeshtësimi i aparatit shtetëror (deri në 25%), nga ulja e rrogave të funksionarëve (deri në 40%, duke vene veten në krye), nga tentativa për të larguar nëpunësit e diskredituar politikisht e moralisht. Por ai nuk mendoi sa duhet se reformat që do të ndërmerrte, s’mund të realizoheshin duke lenë jashtë shume njerëz të devotshëm të Bashkimit e të Vatrës. S’mjaftonin disa funksionare dikasteresh apo ndonjë prefekt që emëroi, as fakti që caktoi poetin S. Malëshova si Sekretar të Përgjithshëm të Kryeministrisë ose vatranin A. Frashëri si sekretar të kabinetit të tij. Ky sektarizëm vinte ndoshta nga që i druhej radikalizmit të tyre ose nga që s’pati besim, pse shumica ishin të rinj e të papërvojë. Kabineti i ri , ndonëse u prit me entuziazëm nga populli dhe u përshëndet formalisht nga qeveritë europiane, nuk arriti të bëjë as betimin zyrtar. I vetmi regjent që kish mbetur, S. Peçi, iu shmang këtij akti duke u larguar nga posti për arsye shëndetësore në fillim të korrikut. Noli, që i dinte arsyet e vërteta, pati megjithatë urtësinë t’i dërgojë një telegram urimi për shërim dhe kthim të shpejte në detyrë. Dorëheqja, në fakt, jo vetëm nuk ishte ogur i mire para opinionit, por qe dhe pengese në hapat e para të procesit të legalizimit të qeverisë së re. Noli, sipas nenit 51 të Statutit, mori atëherë dhe detyrën e Këshillit të Naltë. Ishin mbi dyzetë projektdekretligje që prisnin firmën e regjentit të munguar. Para kësaj situate, Noli nuk u zmbraps. Ndoshta, e kish parashikuar qëndrimin e njohur kundërshtues të mikut të vjetër”. Por nuk mund të lihet pa theksuar vlerësimi që i bëhej figurës së Nolit nga shtypi perëndimor. “Kryepeshkopi ka kaluar shumë vite të jetës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjetiu jashtë vendit,– shkroi ato ditë korrespondenti i gazetës londineze “The Times” në Tiranë. – Ai është i diplomuar në Universitetin e Harvardit, ka studiuar për drejtësi; është shumë i zoti në letërsi e muzikë dhe ka të ngjarë të jetë një kokë më lart se çdo figurë publike shqiptare në fushë të arsimit”.
Për hir të së vërtetës, duhet thënë se, kërkesat e shoqërisë demokratike “Bashkimi” u vunë në themel të programit të Qeverisë Noli, e cila premtoi:
– Çrrënjosjen e feudalizmit, çlirimin e popullit dhe vendosjen definitive të demokracisë në Shqipëri;
– Pakësimin e spastrimin radikal të nëpunësve, si dhe sigurimin e të drejtave e përgjegjësive të tyre me ligj;
– Ndërrimin e sistemit të taksave në favor të popullit;
– Përmirësimin e gjendjes së bujkut dhe emancipimin ekonomik të tij;
– Lehtësimin e hyrjes së kapitalit të huaj dhe mbrojtjen e organizimin e kapitaleve të vendit;
– Ndreqjen e udhëve e të urave;
– Organizimin e degës së shëndetësisë e të arsimit;
-Reformimin radikal të komuneve gjyqësore dhe sigurimin e independencës së vërtetë të gjyqeve;
-Marrëdhënie miqësore me të gjithë shtetet e veçanërisht ma ato fqinje, si dhe lartësimin e prestigjit dhe të kreditit të shtetit në botën e jashtme etj. (15)
Një ndër prioritete e qeverisë së Nolit ishte fshati dhe bujqësia. Sipas Prof. Nasho Jorgaqit “Shqetësimi dhe përkujdesja e Nolit për fshatin u duken fillimisht në përpjekjen për sekuestrimin e tokave të bejlereve të arratisur, e akoma me shume në ligjin për lehtësimin e fshatarësisë nga taksat. Por problemi agrar ishte shumë më i gjerë e kompleks. Prandaj Noli, duke qenë i ndërgjegjshëm për këtë, urdhëroi ngritjen e një komisioni të posaçëm pranë Ministrisë së Bujqësisë dhe porositi prefekturat që të studionin gjendjen e bujqve për çdo krahinë. Ai, ndërkaq, u njoh me ligjet dhe përvojën e reformave agrare të vendeve të tjera. Por presioni nga poshtë sa vinte e shtohej. Atë që s’arrinte ta bënte qeveria, fshatarët zunë ta bëjnë vetë. Informacionet që i vinin nga Komisioni pranë Ministrisë së Bujqësisë ia vërtetonin këtë. Madje, pengesat dhe rezistenca dukeshin qarte dhe në instancat e larta të shtetit. Vetë regjenti S. Peci ishte kundër. Ai nuk do të firmoste as dekretligjin që urdhëronte të drejtën e përdorimit të ujit të bejlerëve nga fshatarët. Po kështu, as bëhej fjalë për dekretin e sekuestrimit të tokave të bejlerëve të arratisur. Kundër ishin dhe pjesa më e madhe e kabinetit të tij. “Pata shumicën, do të shkruante Noli më vonë, kur në program futëm reformën agrare. Mbetëm pakicë kur erdhi puna për ta zbatuar atë’·. Mbështetësit e vërtetë qenë S. Vinjau dhe Q. Koculi, kurse L. Gurakuqi u tregua i pavendosur, duke kërkuar kujdes dhe maturi. Nolit i duhej ta përballonte këtë situatë. Por dhe ai vetë, me sa duket, nuk ish i përgatitur sa dhe si duhet tani që kishte ardhur koha për zbatimin praktik të kësaj reforme madhore. Nuk mjaftonte t’i ndjeje dhe t’i kuptoje nevojat e aspiratat e fshatarësisë, si ndodhte me Nolin. Duhej vendosmëri e guxim për t’iu kundërvënë stuhisë armiqësore të bejlerëve e opinionit konservator, por dhe gjendjes së përgjumur e të indiferencës të fshatarësisë shqiptare, e cila, me disa përjashtime, tregohej e pasigurt dhe skeptike për ndryshimet që do të sillte reforma agrare”.