Pjesa e tretë në MekuliPress:
Reagimet ndaj polemikës

Në gazetat e Tiranës dhe në gazetat e Prishtinës, deri sot kur po e shkruaj këtë përgjigje, janë botuar shumë reagime ndaj polemikës midis Ismail Kadaresë dhe meje. Numri më i madh i reagimeve në gazetat e Prishtinës në të vërtetë janë reagime më parë të botuara në gazetat e Tiranës.

Si historian i letërsisë shqipe nuk di shkrim që të ketë nxitur më shumë reagime se ç’ka nxitur përgjigjja ime Realiteti i shpërfillur ndaj sprovës Identiteti evropian i shqiptarëve me të cilën Ismail Kadare i kishte kundërshtuar pikëpamjet e mia të paraqitura në kreun Identiteti kombëtar dhe vetëdija fetare të trajtesës Ideologjia e shpërbërjes. Le të thuhet se më i madh se numri i reaguesve që çështjet e ngritura në këtë polemikë kujdesen t’i trajtojnë objektivisht, pa paragjykime fetare, politike, partiake, ideologjike, pa anime miqësore e të tjera, është numri i reaguesve, të cilët nuk dëshmojnë se janë të liruar prej disa paragjykimeve të tilla apo prej animeve miqësore. Nuk është e vështirë për të vërejtur se paragjykimet dhe animet e tilla posaçërisht shprehen në shkrimet e disa gazetarëve, publicistëve dhe të disa miqve indigo të Ismail Kadaresë.

Ndër mediat që do të mbajnë qëndrim objektiv, mjerisht, nuk do të mund të radhitej pa sadopak ngurrim as gazeta Tirana observer dhe nuk do të mund të radhitej në radhë të parë për shkak të pyetjes që do t’ua bëjë të ftuarve për deklarata në lidhje me polemikën: a mendoni se polemika e dëmton imazhin e shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare? Me të njëjtën arsye do të mund të bëhej pyetja: a mendoni se polemika e dëmton imazhin e shkrimtarit, historianit të letërsisë dhe intelektualit tonë të madh Rexhep Qosja? Shumë më normale, më frytdhënëse për kulturën e diskutimeve intelektuale e politike do të ishte pyetja, që përjashton gara e hierarki sportive: sa ndriçon çështjen e sa i kontribuon së vërtetës kjo polemikë?

Lexo po ashtu:  Shprehje mbi lirinë e shprehjes nga mendimtarë amerikanë!

Inkuadrimi i kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, në këtë polemikë në anën e Ismail Kadaresë sikur i shpjegon këto paragjykime dhe anime të disa reaguesve. Partitë në pushtet, po e tregon edhe kjo polemikë, ende përcaktojnë politikën, etikën dhe estetikën e shumëve prej nesh, prandaj edhe të shumë gazetave dhe mediave elektronike.

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Disa nga miqtë e Ismail Kadaresë, si edhe miku i tyre, në reagimet e botuara bëjnë përpjekje që t’i zhvlerësojnë pikëpamjet e mia – duke i shtrembëruar e duke i falsifikuar dhe që të më zhvlerësojnë mua – duke më fyer kur më butë e kur më vrazhdë se ai! Bëjnë përpjekje të krijojnë përshtypjen në opinion se kjo polemikë në të vërtetë është polemikë, siç thotë njëri prej tyre, midis një shkrimtari të madh, botëror, dhe një shkrimtari normal, domethënë, thotë ai, lokal! U mbeti pa thënë, si e tha njëri që s’i duartroket Ismail Kadaresë, se kjo në thelb është polemikë midis Goliatit dhe Davidit. Gjedhet mitologjike përsëriten! Bariu i vetmuar, Davidi, me një shkop në dorë dhe me llastik në brez, ka marrë guximin t’i kundërvihet Goliatit. Për të krijuar bindjen se kësaj radhe Goliati do të jetë ai që do ta mundë mendërisht dhe moralisht Davidin, miqtë e Ismail Kadaresë, bashkë me të, do të më bëjnë një portret të shëmtuar, të cilin do të donin ta shihnin gjithmonë në galerinë kombëtare të portreteve.

Çka do të thonë ata për mua?

Të gjithë portretistët e mi

Pavarësisht pse unë për ta kurrë s’kisha thënë fjalë portretizuese, ata do të thonë:

Lexo po ashtu:  Ku i ruan SHBA rezervat e saj strategjike të naftës?

se unë jam një enverist, që e mundon nostalgjia për Enverin,

se unë jam Enver i Letrave,

se më mundon nostalgjia

 edhe për Jugosllavinë

edhe Serbinë,

se jam njeri që kam ngritur një flamur të ri, të quajtur flamuri i myslimanizmit,

se unë jam gardian i Lindores,

se unë jam taliban,

se jam blasfemues i religjionit,

se po ndërtoj një politikë dhe një ideologji të re, së cilës do të shohin si do t’ia vënë emrin;

se jam hiç më pak se një delirant,

se kam ide fikse,

se hidhem në ekstreme,

se jam njeri me karakter autarkik,

se kam qejf të më quajnë baba i kombit dhe

bacë i dijes në Kosovë,

se të gjitha këto që po i shkruaj – i shkruaj për arsye se dëshiroj të më trajtojnë numër një e jo numër dy në komb;

se në duel me një ish-kryetar në Kosovë

humba,

se në zgjedhjet lokale në Kosovë në vitin 2000

humba,

se në zgjedhjet e 3 korrikut në Shqipëri

humba,

Se jam halldup,

Se jam gërxho,

se jam një nga mbytësit e një idiome (të gegërishtes),

se jam ballabani i vonuar,

se jam nacionalist fondamentalist (ndoshta fundamentalist),

se jam një skriboman,

se po përpiqem të bëj perestrojkën tonë,

se jam një shkrimtar lokal, domethënë i njohur vetëm në Bregun e Diellit, në Prishtinë!

se jetoj me kompleks gjenerali,

se jam gjeneral i pamundësuar,

se jam kolos i lidhun!

Se duhet të më dëbojnë prej Kosovës!

Se, se, se, se, se…!

Portretizuesve të mi, të dhuruar me dhuntinë që të bëjnë portrete me epitete, që të fyejnë të tjerë, nuk do t’u përgjigjem në fyerjet dhe në falsifikimet e pikëpamjeve të mia. Do të merrem vetëm me çështjet, pavarësisht prej cilëve reagues janë të ngritura, diskutimin e të cilave e çmoj të nevojshëm. Kjo do të thotë se para se t’ia jap fjalën portretizuesit më të talentuar dhe, njëkohësisht, më të çmuar në artin tonë figurativ, kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, do të flas edhe për disa shqetësime të reaguesve të tjerë ndaj polemikës.

Lexo po ashtu:  Berati pas tërmetit të 1851-ës

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Vetëm e vërteta i bashkon njerëzit

1. Disa nga reaguesit shprehin shqetësimin se polemika midis Ismail Kadaresë dhe meje do të shkaktojë ndarje mes intelektualëve shqiptarë, e ndoshta, edhe mes kosovarëve dhe shqiptarëve, si po na ndajnë ata që bëjnë përpjekje të kota të krijojnë identitetin kombëtar kosovar dhe një gjuhë tjetër, standarde për të. Edhe më i mprehtë është shqetësimi i atyre që thonë se kjo polemikë, në rastin më të keq, mund të shkaktojë ndarje fetare!

Është për nderim shqetësimi i këtyre reaguesve, por, disa të tjerë mendojnë se një shqetësim i tillë është i paarsyeshëm. Një polemikë, sado e ashpër dhe sado e shtrirë, nuk mund të krijojë ndarje, sepse polemikat, që sqarojnë çështjet, në thelb synojnë mënjanimin e ndarjeve. Ato edhe s’mund të bëhen si duhet midis njerëzve që, megjithatë, s’do të mund të merreshin vesh. Përvoja historike, kudo dhe kurdo, ka dëshmuar se ndikim të padëshiruar mund të ushtrojnë, në radhë të parë, problemet e fshehura, problemet kulturore, politike, morale, shoqërore, e të tjera që mbulohen me, ta themi, tepih politik. Nuk e thotë populli i urtë kot: plaga që fshihet nuk shërohet. Sqarimi i problemeve më parë se ç’i ndan, i afron njerëzit. Nuk e them unë i pari se njerëzit përherë bashkohen vetëm rreth të Vërtetës dhe të Drejtës. Rreth mashtrimeve, gënjeshtrave, kodeve të rrejshme, njerëzit mund të bashkohen vetëm përkohësisht – derisa të mos i shohin e të mos i kuptojnë.

Dukshmëria (transparenca) nuk është kot nocion aq i çmuar në vendet me tradita më të gjata demokratike. Meqenëse e kanë shijuar gjatë dobishmërinë e saj, ato vende jo rastësisht po kërkojnë që ta zbatojmë edhe ne. VAZHDON NESËR… /MekuliPress.com/

Shpërndaje dhe Pëlqeje MekuliPress

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *