I ri dhe e re je por arsye ke

Sead Zimeri

Besoj që ju që jeni me LDK-në keni pasur arsyet tuaja pse e keni mbështetur deri sot. Dhe nuk po dua t’ua kontestoj ato arsye. Por, pas asaj që ndodhi dje, të vazhdosh me mbështetjen e saj është mospërfillje e plotë e interesave të qytetarëve të Kosovës. Një akt i tillë u bë në një kohë kur po kërkohej shpallja e situatës së jashtëzakonshme, që la të nënkuptohet se duhet të merren të gjitha masat ekstreme për të siguruar shëndetin e qytetarëve. Kërkesa doli të ishte një blof. Por unë nuk po arrij ta kuptoj se si rrëzimi i qeverisë në një kohë kur Kosovës më shumë se çdo gjë tjetër i nevojitet qeveria është akt i përgjegjshëm politik! Ju lutem ma shpjegoni këtë.

Nëse vërtetë ia don të mirën Kosovës, dhe beson që politikanët duhet të veprojnë me maturi të madhe, sidomos në raste të pandemive si kjo me koronavirusin, atëherë pse akoma je në atë parti? Sidomos nëse je i ri apo e re dhe dëshiron të bësh një jetë si gjithë qytetarët e vendeve tjera, posaçërisht ato perendimore, a thua që një parti e udhëhequr nga një grup burrash pleq që akoma nuk janë çliruar nga komplekset e përuljes para sundimtarëve jugosllavë, do ta mundësojnë ty të realizosh ëndërrat tua?

Lexo po ashtu:  Pse duhet ta falenderojmë Ramën

Unë nuk u besoj atyre, sepse janë hilexhi dhe gënjeshtarë, dhe sepse si të pabesë të lënë në rrugë kur interesi i tyre bëhet më i rëndësishëm se interesi i përgjithshëm. Unë nuk e kuptoj se si ke nerva dhe durim t’u bindesh përrallave të tyre? Si ke durimin t’u bindesh politikave që nuk avancojnë interesin tënd?

Ti je i ri dhe e re: ti duhet të rrebelohesh 100 herë në ditë, por ti ke futur kokën në rërë dhe nuk guxon ta nxjerrësh sepse ke frikë nga një grup pleqësh që kanë mbetur jashtë kohe, që nuk dijnë as të lexojnë dhe as të gjykojnë me maturi.

Po ç’të duhet ty ajo rini që e kalon duke iu bindur matrapazëve dhe injorantëve që mbajnë peng të ardhmen tënde? Çdo t’i thuash fëmijëve tu kur të puesin se si e kalove rininë tënde? Që iu binde Isa Mustafës? Që sakrifikove ardhmërinë tënde dha atë të fêmijëve tu sepse iu binde disa politikanëve të papërgjegjshëm? Hm! Nuk besoj që je aq naiv.

Lexo po ashtu:  20 vjet nga thyerja e kufirit shqiptaro-shqiptar në Koshare

Nuk është aspak e rëndësishme t’i bashkangjitesh Vetëvendosjes. Por unë do të turpërohesha që emri im të lidhet me emrin e LDK-së.

Ti i di arayet tua dhe ti vetë duhet të vendosësh. Por ti mban përgjegjësi të madhe për situatën që po krijohet, sepse ajo po krijohet në emrin tënd, dhe me gjasë me pëlqimim tënd. Mendo pak për atë që ndodhi dje: si u soll partia yte përballë partnerit të saj qeverisës? Edhe nëse ti mendon që kryeministri Kurti u nxitua dhe bëri gabim trashanik kur e shkarkoi ministrin e brendshëm; edhe nëse mendon që politika e tij ndaj Sërbisë ishte e gabuar; a të duket e arsyeshme ty që në momentet më të vështira që po kalon Kosova, dhe e gjithë bota, të rrëzohet qeveria? Nuk duhet të jesh filozof, e as sociolog, e as politikan por thjesht njeri me arsye për ta kuptuar se sa e rrezikshme dhe e papërgjegjshme një lojë e tillë është.

Nëse dëshiron ta kuptosh sa serioze është situata, hedhi një sy Italisë. Paramendo tani sikur Kosova të ishte në vend të Italisë dhe kruetari yt merr një vendim që ta rrëzojë qeverinë. Vetëm përmasat ndryshojnë; por kur të gjitha shtetet e botës kanë marrë masa nga më të ndryshmet për të ruajtur qytetarët e tyre nga koronavirusi, kurse kryetari yt merr masa për ta rrëzuar qeverinë dhe kështu rrezikon qytetarët e vendit tënd, a mundesh ti, pa e pështyrë veten në fytyrë, ta konsiderosh vendimin e kryetarit tënd të mençur dhe të arsyeshëm? A mundesh pra, si njeri i arsyeshëm, të pranosh vendime të tilla jo vetëm të paarsyeshme por edhe të rrezikshme për një popull të tërë? Unë nuk mundem. Shpresoj që edhe ti ta shohësh që një vendim i tillë është e papranueshme dhe i papërgjegjshëm.

Lexo po ashtu:  Pse i lodh kot përkrahësit e tu, o Sali!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *