Fillimisht do të të duket sikur je ftohur, dhe ka gjasa të jesh ftohur, por ndryshe nga një e ftohur, apo grip i zakonshëm, sëmundja Covid-19 – e cila ka simptoma të ngjashme – përkeqësohet shpejt.

Exit News shpjegon simptomat që kanë pasur zakonisht të infektuarit nga koronavirusi, ndërlikimet, kohëzgjatjet e trajtimit dhe shërimit.

Kush janë simptomat e para nga sëmundja e Covid-19?

Kohëzgjatja e simptomave apo sëmundjes variojn në varësi të gjendjes së pacientit. Të dhëna të mbledhura në Kinë nga misioni i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) tregojnë se 80 për qind e të infektuarve nga koronavirusi sëmuren lehtë ose ndjeshëm, 14 për qind sëmuren rëndë dhe 6 për qind në mënyrë kritike.

Duhet theksuar. Edhe pse mund të jesh prekur lehtë nga koronavirusi, simptomat janë sidoqoftë më të rënda se një e ftohur apo grip i zakonshëm.

Të prekurit rëndë nga sëmundja kërkojnë frymëmarrje me oksigjen, ndërsa ata në gjendje kritike vuajnë nga ndërlikime në mushkëri – apo organe të tjera – dhe kërkojnë trajtim mjekësor më intensiv.

Pas prekjes nga koronavirusi duhen 2 deri në 14 ditë që të shfaqen simptomat e para. Kjo është periudha kur përkeqësimi i shëndetit i ngjan një gripi apo të ftohure të zakonshme.

Më tej, shumica e pacientëve ndjejnë temperaturë. OBSH ka konstatuar se 88 për qind e të inektuarve me koronavirus, shfaqin temperaturë.

Lexo po ashtu:  Kombinimi me mjaltë, limon dhe kanellë që ju ndihmon t’i humbni disa kilogramë brenda jave

Studime të tjera jashtë Kinës, kanë konstatuar se 44 për qind e të shtruarve në spitale nuk kishin pasur temperaturë më parë, por 89 për qind e tyre patën pas shtrimit.

Po kështu ka pasur raste me simptoma të tjera si dhimbje e heqje barku, apo të vjella. Simptoma këto të shfaqura kryesisht përpara ndërlikimeve të frymëmarrjes.

Këto simptoma nuk kanë qenë normale, pasi Covid-19 është sëmundje respiratore, që do të thotë se në shumicën dërrmuese të pacientëve infektimi nis dhe mbaron në mushkëri.

Si vepron koronavirusi në mushkëri?

Virusi infekton qelizat e indeve të mushkërisë duke i përdorur ato për t’u shumëfishuar në mënyrë ciklike. Kështu u dëmton strukturën deri sa të mos ketë më inde funksionale.

Kur qelizave u prishet struktura biologjike, vdesin, shkëputen e përzihen me mukozën dhe thërrmijat e huaja qe mushkëritë zakonisht nxjerrin jashtë përmes kollitjes.

Me kalimin e kohës, virusi ul ndjeshëm aftësinë e trupit për t’i nxjerrë papastërtitë – përmes spërklave/sekrecioneve.

Kjo gjendje shoqërohet me inflamacion dhe dëmtime të tjera të qelizave.

Inflamacioni i mushkërive është arsyeja se përse rreth 67 për qind e pacientëve kanë koll të thatë, 19 për qind vështirësi në frymëmarrje dhe rreth 34 për qind gëlbazë të shtuar.

Kur bëhet e detyrueshme vajtja në spital?

Lexo po ashtu:  Studimi i fundit: Pothuajse të gjithë fëmijët kanë mbetje duhani në duar, madje edhe në shtëpitë ku nuk konsumohet

Përgjithësisht të sëmurët me Covid-19 mund të ndjejnë vështirësi në frymëmarrje pas ditës së pestë.

Në këtë fazë ata mund të ndjejnë gjithashtu lodhje, dhimbje grykësh, koke, muskujsh dhe rrufë.

Zakonisht, të sëmurët rëndë shkojnë në spital dy-tre ditë më pas – rreth ditës së 7-të.

Në këtë periudhë, të sëmurët lehtë mund të jenë riaftësuar dhe të mos kenë më simptoma, duke mos e pasur të nevojshëm shtrimin, por sidoqoftë ata mund të mbeten bartës të virusit, ndaj këshillohet mbyllja në shtëpi.

Po në këto ditë, të sëmurët ndjeshëm, rëndë dhe kritikë rrezikojnë të kalojnë në pneumoni – gjendje infeksioni në mushkëri.

Pneumonia rëndon shëndetin. Në pacientët që kanë sëmundje dhe ndërlikime të tjera mund të rrezikojë dhe jetën, prandaj është e domosdoshme të kenë ndihmë mjekësore.

Çfarë rrezikojnë të sëmurët nga Covid-19?

Për të sëmurët ndjeshëm nga Covid-19 riaftësimi mund të kërkojë disa ditë të tjera, ndërsa të sëmurët rëndë dhe kritikë, gjendja mund të përkeqësohet duke kaluar në Sindromë Akute të Frymëmarrjes (ARDS).

ARDS është shkallë e rëndë e sëmundjes, ku mushkëritë mbushen me lëngje duke e bërë të vështirë apo të pamundur frymëmarrjen – në 30 deri 40 për qind të rasteve kjo gjendje është fatale.

Kjo gjendje trajtohet me mjekim dhe aparatura të specializuara, të cilat përfshijnë kryesisht frymëmarrjen e drejtuar me oksigjen.

Lexo po ashtu:  Alkooli, uthulla dhe sapuni: janë produkte që vrasin bakteret apo viruset?

Synimi është ndërfutja e sa më tepër oksigjeni në gjak, meqenëse mushkëritë nuk munden më.

Kur kjo teknikë nuk jep më rezultat, atëherë do të thotë se mushkëritë janë mbushur shumë me lëngje dhe nuk dërgojnë dot më oksigjen në gjak.

Ky është shkaku i shumicës së vdekjeve nga Covid-19.

Studime të ndryshme kanë konstatuar se vdekjet nga koronavirusi ndodhin kryesisht mes ditës së 14 dhe 19 të prekjes nga sëmundja.

Edhe nëse një pacient ia del të mbijetojë nga kjo fazë e sëmundjes, mund të ngelet me dëmtime të pa rikuperueshme të mushkërive.

Sa kohë duhet për t’u shëruar?

Mesatarisht të sëmurët që shërohen dalin nga spitali pas dy javë e gjysmë, por në rastet më kritike riaftësimi mund të kërkojë muaj.

Kur pacienti është duke u shëruar, ka gjasa që të jetë gjithsesi infektues ndaj të tjerëve, prandaj ata vazhdojnë të mbahen nën vëzhgim nga mjekët dhe shpesh dalja e tyre nga spitali shoqërohet me këshillën e vendosjes në karantinë shtëpie.

Deri më sot, kundër koronavirusit nuk ka vaksinë, prandaj mënyra më e mirë për të mos u sëmurur është parandalimi i prekjes prej tij, mbyllja në shtëpi dhe shtimi i higjienës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *