Koço Kokëdhima

Draft-konkluzioni i fundit i Këshillit të BE-së, i cili duhet të miratohet nesër, paralajmëroi hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, “duke pasur parasysh progresin e realizuar dhe përmbushjen e kushteve të vendosura njëzëri nga Këshilli në qershor të vitit 2018”.

Ndryshe nga Maqedonia e Veriut, Shqipërisë vetëm sa i shtohen kushtet. Pas atyre për përmbylljen e Reformës Zgjedhore në përputhje të plotë me rekomandimet e OSBE/ODHIR-it, garantimin e zbatimit të vazhdueshëm të reformës në drejtësi si dhe luftën kundër korrupsionit, në pikën 10 të draftit është shtuar edhe kushti që Shqipëria të dënojë zyrtarët e lartë dhe politikanët. “Zgjidhja” e konsideron kushtin e ri si vënien e gishtit në plagën e Shqipërisë. Vendi ynë, në vitet ‘90 ishte më afër BE-së se shumë nga vendet e Europës Lindore që tani janë anëtarë me të drejta të plota në Union.

Politikanët e korruptuar të tri dekadave të fundit, liderët e tri partive të vjetra e bllokuan progresin e Shqipërisë drejt BE-së dhe janë burimi i të gjitha të këqijave që i kanë ndodhur vendit në këto 30 vitet e fundit. Ata, me mbështetjen servile të deputetëve e zyrtarëve të emëruar si dhe të ushtrisë (vulgut) të militantëve politikë trutharë, grabitën pasuritë dhe liritë e shqiptarëve.

Lexo po ashtu:  Një ministër (i) mangët…

Eksponentët e elitës së vjetër politike, në marrëveshje të plotë me njëri-tjetrin, jo vetëm kanë ndarë pushtet dhe pasuri, duke ua rrëmbyer e vjedhur shqiptarëve, por kanë shkatërruar ekonominë, institucionet, konkurencën e lirë, sundimin e ligjit, zgjedhjet, vlerat dhe kapacitetet e shoqërisë, të sotmen dhe të ardhmen e vendit. Shqipëria do të nisë rrugëtimin europian vetëm kur t’i dërgojë këta liderë të mallkuar përpara drejtësisë. Sot vendi është i gjunjëzuar dhe i dorëzuar. Liderët e qeverisë dhe të politikës së vjetër i kemi çdo ditë në media si predikues e fallxhorë të përgjëruar.

Nga qeveria dhe shteti i tyre vijnë vetëm shtetrrethimi, lutjet, mallkimet, manipulimet, mashtrimet dhe këshillat mbi larjen e duarve! Neser këta dhe analistët e paguar me paratë e korrupsionit do të dalin të mburren se vetëm këta liderë mundësuan hapjen e negociatave të anëtarësimit. “Zgjidhja” beson se hapja e negociatave është tejet e merituar për shqiptarët dhe një ngjarje e shënuar e me ndikim të madh për të demokratizuar dhe ndërtuar Shqipërinë Europiane.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *