Në fillim lajmi u përhap në Gjermani me shpejtësi të madhe. Rezultati i një testi për Covid-19 mund të zgjatë deri në 2 orë e gjysmë. Gjermania, madje, ka nisur me ritme shumë të shpejta të kryejë testime në masë, në mënyrë që hartën e të infektuarëve ta ketë nën kontroll, edhe pse kjo mbetet për t’u parë në ditët e ardhshme.
Por, ndërkohë në Itali, një lajm i “La Repubblica” ndez një dritë jeshile sa u përket testeve për virusin e frikshëm. Siç shkruan prestigjiozja italiane, një test e jep përgjigjen brenda 5 minutave nëse je apo jo i infektuar nga koronavirusi. Pritet që testi të shpërndahet sa më shpejt në Itali dhe të lehtësojë punën e mjekëve në kontrollin dhe frenimin e përhapjes së pandemisë.
Testi i shpejtë është mjaft i lehtë për t’u përdorur, mjaftojnë vetëm disa pika gjaku të pacientit dhe për 5 minuta u jep mundësi mjekëve të mësojnë praninë e koronavirusit Covid-19. Testet e para po shpërndahen në spitalet që kanë më shumë të prekur dhe fluks pacientësh nga Covid-19.
Testi është prodhuar nga kompania ‘Innoliving of Ancona’, në marrëveshje me kompaninë ndërkombëtare ‘Zhezhiang Orient Gene Biotech Co Ltd’.