Sead Zimeri

Ne ndoshta jemi populli më pro-amerikan në kontinent, në mos edhe në botë. Arsyet janë të ditura dhe, do të shtoja, plotësisht të kuptueshme. Ne kaluam nëpër një nga traumat më të rënda të pas Luftës së Dytë Botërore dhe shpëtimi na erdhi nga SHBA-të. Ne ishim në një situatë jashtëzakonisht të vështirë, dhe në pyetje ishte vetë ekzistenca jonë si popull. Sërbia nuk do të kursente asgjë për t’ia arritur qëllimit të saj, spastrimin etnik të shqiptarëve nga Kosova. Evropa do të dështojë ta ndihmojë Bosnjën dhe do të kishte dështuar ta ndihmonte edhe Kosovën. Në këto momente vendimtare për ekzistencën tonë ndërhynë SHBA-të dhe na shpëtuan. Pa ndihmën e tyre nuk dua as ta imagjinoj se çmund të ishte fati jonë. Për këtë, ne shqiptarët u jemi pafundësisht mirënjohës derisa të ekzistojnë SHBA-të. Do të shkoja edhe më larg se të tjerët e do të thoja që këtë mirënjohje ia kemi obligim moral SHBA-ve.

Ndihma e SHBA-ve, megjithatë, nuk ishte vetëm gjatë sulmeve të Sërbisë, por ajo vazhdon edhe sot, dhe do të vazhdojë edhe për një kohë të pacaktuar, madje edhe pasi të sigurohet plotësisht Kosova nga sulmet e mundshme nga Sërbia apo ndonjë fuqi tjetër me ambicie grabitqare. Dhe unë kam qenë përherë kundër spekulimeve për motivet e ndërhyrjes së SHBA-ve në Kosovë. Më është dukur dhe vazhdon të më duket përpjekje e ulët nga njerëz që kanë hesape tjera të lajnë me SHBA-të. Për mendimin tim, ndërhyrja ushtarake e SHBA-ve ishte ndërhyrje HUMANITARE e pastër, por ishte edhe OBLIGIM i saj. Jo obligim ndaj shqiptarëve sepse nuk na kanë borxh amerikanët neve asgjë, por ishte obligim i tyre, dhe VETËM i tyre e i askujt tjetër, që ta ndihmojnë Kosovën.

Tani ju mund të pyesni se ç’është kjo marrëzi që po e shkruaj këtu. Si qenkan amerikanët të detyruar ta ndihmojnë Kosovën kur ata nuk na kanë asgjë borxh? Gjepura dhe kontradikta të marra janë këto. Por ngadalë, mos u ngut të japësh gjykim impulsiv. SHBA-të nuk janë si shtetet tjera. Ato janë superfuqia e vetme në botë, dhe u ka rënë në detyrë që të mbajnë rend dhe paqë në botë. Shumë herë kanë dështuar, në Ruanda për shembull, dhe në vende tjera ata kanë qenë prishës të rendit ndërkombëtar. Por ne nuk duhet t’i masim gjërat me një masë. Sidoqoftë, SHBA-të si superfuqi që janë, dhe si hegjemon i pakontestueshëm në botë, kanë disa obligime morale, nëse jo ligjore, që duhet t’i përmbushin për ta legjitimuar hegjemoninë e tyre globale dhe kontrollin që ushtrojnë mbi politikat e shumicës së vendeve të botës. Amerikanët si popull nuk i kanë borxh asgjë shqiptarëve, por SHBA-të si perandori, si superfuqi, kanë obligime dhe detyra morale që të ruajnë paqën në botë. Këtë detyrë nuk ua ka dhënë askush, por të gjitha shtetet ua njohin, në saje të rolit të tyre si polic global.

Lexo po ashtu:  “Pse duhet t’i besojmë Presidentit serb?”, pyet Shaban Murati dhe poston dy citime: “Presidentët e dy shteteve të Ballkanit të Hapur, kundër Ballkanit të Hapur”

Kur e merr përsipër një rol të tillë atëherë obligohesh që edhe ta dënosh kriminelin dhe ta ndihmosh viktimën. SHBA-të përderisa është polic global nuk mundet t’i ikë përgjegjësisë që ato kanë për ruajtjen e rendit global, paqës dhe popujt e vegjël si shqiptarët. SHBA-të si perandori, si superfuqia e vetme aktuale në botë, për ta legjitimuar hegjemoninë e saj globale, kontrollin mbi resurset dhe pasuritë e botës përmes kontrollit të ekonomisë dhe financave, duhet të i ndërmarrë edhe disa detyra tjera që shtetet tjera moralisht nuk obligohen në të njëjtën formë. Hegjemonia e saj pra pjesërisht arsyetohet përmes mbajtjes së rendit global, përmes ndërhyrjeve humanitare ushtarake për t’i ndihmuar popujt e persekutuar nga imperialistët e vegjël. Këtë rol mund dhe duhet ta luajnë vetëm SHBA-të. E kemi bërë zakon ta kritikojmë Evropën, dhe Bashkimin Evropian, për mosndërhyrjen e saj për ta ndaluar sulmin sërb në Bosnjë dhe Kosovë. Sigurisht që ata duhej të bënin më shumë, por BE-ja nuk ishte as atëherë dhe as sot superfuqi botërore. Ata sot nuk kanë kontroll as mbi shtetet anëtare të tyre. Kjo nuk i shkarkon tërësisht nga përgjegjësia morale, përgjegjësia morale ndaj fqinjit, por nuk është obligim sikur që është për SHBA-të.

Që mos ta zgjas shumë, përderisa është shprehje e mosmirënjohjes që ia kemi borxh SHBA-ve kontestimi i motivit të ndërhyrjes në Kosovë, është njëkohësisht keqkuptim i rolit dhe interesit të SHBA-ve ndërhyrja e tyre në raste të këtilla. Prandaj SHBA-të ndërhynë sepse ato duhej të ndërhynin, sepse përmes ndërhyrjeve të tilla ato legjitimojnë veten e tyre si hegjemon suprem. Ky është interesi më i madh dhe më i lartë për të cilin SHBA-të kanë nevojë permanente. Sikur që vendet në konflikt kanë nevojë për SHBA-të që ato të mbajnë rendin dhe paqën, e ta ndëshkojnë krimin, po ashtu SHBA-të kanë nevojë të ndërhyjnë për shkaqe humanitare në disa vende në botë. Këto ndërhyrje nuk bëhen për sentimentalizëm e as për dashuri, por për arsye politike që janë të domosdoshme për të ruajtur dhe legjitimuar hegjemoninë e saj në botë. SHBA-të pa hegjemoni të arsyetuar morale shndërrohet në jo më shumë se një shtet kriminal. Kjo zaten është perspektiva e Chomskit dhe ideologëve si ai që nuk shohin në SHBA-të asgjë tjetër pos një shtet kriminal që e përdor fuqinë e saj ushtarake për aventura politike dhe ekonomike. Kjo perspektivë është e njëanshme dhe tejet e dyshimtë, pasi që disa herë është e domosdoshme që SHBA-të si shteti më i fuqishëm në botë të ndërhyjnë për të ndalë krime dhe luftëra të panevojshme.

Lexo po ashtu:  Të qeverisësh nën breshërinë e dezinformatave

Pse e përmenda gjithë këtë? Për një arsye: SHBA-të ndërhyjnë sepse ata qëlluan të ishin superfuqia botërore. Po të ishte ndonjë vend tjetër, kjo barrë do të binte mbi ta. Ne mund t’i debatojmë pandërprerë meritat që qëlloi SHBA e jo Kina, por ky muhabet mbetet tërësisht spekulativ. Në një kuptim qenësor, ndërhyrja e SHBA-ve si SHBA ishte aksidentale, e rastit, pra sepse qëlloi ajo të ishte superfuqi e jo Roma apo Istanbulli. Po të ishte Roma sot të gjithë do të ktheheshim nga Roma.

Pse është, megjithatë, me rëndësi që ta shohim raportin tonë me SHBA-të nga ky prizëm? Sepse ne kemi zhvilluar një mendësi të papërshtatshëm për një kulturë që mëton të jetë kulturë e shekullit XXI. Kemi zhvilluar një kulturë të idhujtarisë në një kohë kur idhujtarisë vetëm i ka kaluar koha, një kulturë të fetishizmit kur të gjitha kulturat moderne e kanë tejkaluar atë. Kemi zhvilluar një kulturë të nënshtrimit në emër të mirënjohjes që ndjejmë ndaj SHBA-ve. Njeriu i lirë dhe kulturat që reflektojnë lirinë nuk i nënshtrohen askujt dhe, do të shtoja, që vetëm kulturat e lira janë në gjendje të shprehin mirënjohje të plotë. Skllevërit edhe kur shprehin mirënjohje ajo nuk u njihet si e tillë, por konsiderohet servilizëm. Qasja jonë ndaj SHBA-ve në disa raste po kalon në perversitet të plotë, saqë po kërkohet që edhe dinjiteti ynë të kushtëzohet me nënshtrimin tonë të plotë para SHBA-ve.

Unë nuk njoh asnjë kulturë tjetër, dhe njoh disa prej tyre si në Perëndim ashtu edhe në Lindje, që kanë zhvilluar forma të këtilla të nënshtrimit vullnetar. Kjo më tejkalon nga mirënjohja që ndjejmë për SHBA-të në perversitet kulturor. Nuk mund të na bëjë nder një zhvillim i tillë pervers kulturor. Për më tepër, një zhvillim i tillë ka filluar të bëhet i dëmshëm dhe politikisht i rrezikshëm. Çdo rezistencë sado e vogël ndaj ndërhyrjes së SHBA-ve, pavarësisht arsyeve për ato ndërhyrje, nëse një ndërhyrje e tillë na ndihmon ta realizojmë lirinë tonë apo na pengon në realizimin e saj, trajtohet si tradhëti e madhe kombëtare. Ky mohim i qenies sonë në këtë formë, kjo shkelje mbi dinjitetin tonë, jo nga amerikanët por nga ne, është formë e ulët e ekzistencës.

Lexo po ashtu:  Mbi doktoraturat false dhe pedagogët që japin mësim pa këtë gradë

SHBA-të kanë interesat e tyre të mbrojnë, por ata kanë edhe kulturë të madhe dhe mundemi të bisedojmë me ta kur mendojmë që ata e kanë gabim. Është shenjë e pjekurisë kulturore të shkëmbesh mendime dhe ide me tjetrin dhe t’ia thuash që ti, për X arsye, nuk e ndan të njëjtin mendim me të. Mundemi të bisedojmë me ta, të përpiqemi t’i bindim që opsioni ynë nuk është as shprehje e mosmirënjohjes e as shprehje e rrebelimit anti-amerikan, por thjeshtë mendim ndryshe që shpresojmë se SHBA-të mund ta pranojnë dhe mbështesin. Ky do të ishte një zhvillim normal i kulturës shqiptare.

Por kur ne në vend të arsyes përdorim ndjenjat tona dhe sa herë që SHBA-të shprehin një qëndrim ndryshe nga ai i joni ne menjëherë vrapojmë të ndryshojmë, pa i diskutuar aspak meritat e atij qëndrimi, çfarë mesazhi i dërgojmë SHBA-ve dhe të tjerëve? I vetmi mesazh që ata marrin është që ne nuk jemi të aftë të mendojmë vetë, që kultura jonë nuk është mjaftueshëm e zhvilluar për të na u besuar vetëqeverisja, apo që kjo është simptomë e ndonjë sëmundje kulturore që ka për ta penguar zhvillimin e saj normal. Pse po ja bëjmë vetes këtë? Pse doni ta njollosni kulturën tonë kështu? Që ajo të njihet si kulturë e poshtërimit të vetes dhe nënshtrimit pervers para tjetrit më të fuqishëm? Unë po e shoh si zhvillim shumë të dëmshëm të kulturës tonë me pasoja negative për mënyrën se si do të na shohin të tjerët. Por ju dini, kjo kulturë nuk është vetëm e imja por është thesari ynë i përbashkët. Unë mundem vetëm t’ua tërheqë vërejtjen se i kemi hipur trenit në drejtim të gabuar dhe që, po nuk e ndalëm, kultura jonë do të pësojë. Ne jemi ajo që bëjmë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *