Nga Artemisa Bushi

Të nderuar dhe të respektuar mësues!

E dua dhe e vlerësoj pa masë punën dhe përkushtimin tuaj. Për shumë arsye. I përkas një familjeje, me teze, dajë e xhaxhallarë mësimdhënës. Jam rritur mes tyre. Por ajo ishte kohë tjetër…

Dua të ndaloj në këtë çast të vështirë që po kalojmë. Sot.

Prej ditësh celulari i vajzës sime nuk resht nga informacionet që mësuesit e lëndëve përkatëse dërgojnë. Jam dakord! Është mënyra më e mirë që ata të mos shkëputen nga shkolla.

Por ndaloni pak. Unë e kuptoj që ju keni ritmin tuaj, kështu i keni udhëzimet, ndoshta do t’ju duhet që të justifikoni edhe pagesën që duhet të merrni në fund të muajit (dhe ju kuptoj fare mirë)…

Secili prej mësuesve përqendrohet në informacionet që duhet të dërgojë për lëndën e tij: PDF pa fund, kërkesa pa fund… një mësues, tjetër kërkesë për zhvillim dërgon në një çast, e tjetër në një çast tjetër. Secili “vrapon online”, që të realizojë atë që i është vënë si kusht nga ata që e mbikëqyrin dhe që i japin udhëzime.

Lexo po ashtu:  𝐌𝐨𝐬 𝐝𝐞𝐛𝐚𝐭𝐨 𝐦𝐞 𝐠𝐨𝐦𝐞𝐫𝐞̈!

More mësues të nderuar, merrni pak frymë. Mbani parasysh edhe ritmin e nevojshëm dhe kohën që i duhet një nxënësi në kushtet e shtëpisë që t’ju ndjekë. Ata u bënë pjesë e kësaj reforme jo me dashje. Po përpiqen që të përshtaten sa më shumë të mundin, duke bërë pjesë të kësaj reforme edhe prindërit.

Ritmi i kërkesave tuaja po i kalon kufijtë. Jo çdo nxënës, kushdo, kudo, i çdo niveli mund t’ju ndjekë në këto “teka online”, edhe pse për ju janë kërkesa që ju i gjykoni si të nevojshme që nxënësit të përmbushin dhe të mos humbin asnjë çast nga mosprania në bangat e shkollës.

Pa diskutim, këtë problematikë nuk e ngre për të gjithë mësuesit. Ka mes tyre mësues mjaft të organizuar në njohuritë që kërkojnë.

Është kohë e vështirë, kohë pandemie, që i ka kaluar nxënësit në një pistë tjetër vrapimi. Por lejojini që të gjithë të vrapojnë në të njëjtin ritëm. Këtu nuk është fjala kush del i pari, e kush mbetet prapa, por që të gjithë të marrin njohuritë e nevojshme, që të mos humbin një vit shkollor.

Lexo po ashtu:  Diplomohet në moshën 89 vjeçare/ Historia e pazakontë e gjyshit sicilian. Nga fermer në nënkryetar bashkie

Për atë Zot, jepuni kohë nxënësve tuaj të marrin informacionin e duhur, dhe të përthithin njohuritë e nevojshme.

Kemi të bëjmë me nxënës e jo me qenie robotike!

Ps. Sa për linjën e internetit nuk po e diskutoj fare. Di të them, kjo reformë është vetëm për nxënësit që kanë mirëqenien në familje, që kanë internet “non stop” dhe celularë të duhur, ku të shkarkojnë platformën e nevojshme.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *