Në Sarandë ka rinisur puna për brezin urban. E njofton kryeministri Rama në Facebook bashkë me disa pamje nga punimet në bulevardin e qytetit.

I shkreti bulevard çka hequr nga nallbanët e Tiranës që duken në ato anë me kapardisjen e të qytetëruari, por që nuk bëjnë gjë tjetër veçse me llastiqet e banditizmit në dorë thyjenë xhamat e asaj që ka mbetur.

Saranda u ndërtua nga italianët, më saktë iu dha fizionomia e qytetit nga italianët dhe njësoj si Tiranës së qendrës, çdo arnim shqiptar i qëndron si mish i huaj, si një tumor malinj që duhet operuar.

Regjimi i Enver Hoxhës e ruajti hapësirën publike duke përparuar në hapësirën private për nevoja strehimi, por edhe shtrirjen e qytetit në drejtimin perëndimor dhe atë jugor për nevoja ekonomike dhe ushtarake. Turizmi i Sarandës asokohe ishte i optimizuar në disa pak objekte dhe kryesisht në aspktin panoramik të një qyteze që erdhi e mori formën e vet urbane që dallonte.

Bukovilet siç i thonë aty ishin kudo, pishat lidhnin plazhin e ri me Gjirin e Limjonit dhe shkallaret e gurit i jepnin qytetit tiparet unike.

Le të themi se këto ishin punë të një brezi që kishte memorien e një kulture të hapur, të kontakteve me botën, të emigrimit, të shkollimit jashtë.

Kanceri mbërriti në qytet sapo vunë dorë ata që ishin produkt i shkollës shqiptare, ku ngushtësia mendore dhe shpirtërore, premisa dominuese të nevojës u bënë parime estetike të një qyteti që iu nënshtrua zgjidhjeve terminale shqiptare si sharrim me kilometra i pishave për të zgjeruar me pak centimetra një rrugë ku qarkullonin 10 makina në javë. Zgjerimi me lagjen Kodër, një mishmash i shëmtuar kaotik, një arrë gungë në kurrizin jugperëndimor të qytetit që erdhi në këtë botë dhe vazhdon akoma me metastazat tipike të projektimit shqiptar: Ujë me orar. Probleme me ujërat e zeza. Pa folur për miletin që po dyndej.

Lexo po ashtu:  Nis Konferenca e Sigurisë në Munih, për herë të parë Kurti do e gozhdon Vuçiqin "live"

Qyteti ka patur një mur rrethues, por atë e kanë dënuar me vdekje shumë shpejt. Bulevardi që u ndërtua ishte një xhevahir më vete, me pllakat, itinerarin dhe sidomos me pajtimin që bënte me limanin e ndërtuar nga italianët.

Kishte katër rrugë paralel, ku banonin njerëz që njiheshin me njëri tjetrin. Mund të duket pak si e tepruar kjo, por a nuk shohim në Italinë fqinje sesi në zona turistike nuk e lë dot makinën në zona të caktuara? Le të marrim Leukën, një qytezë gati perfekte e të shohim sesi pajton të vjetrën me aktivitetin ekonomik.
Por si të pretendojmë ne italianët? Turinjtë i futi i pari nallbani Ilir Meta që gjatë një vizite kur ishte në qytet kërkoi që bulevardi të zgjerohej. E siguri që Iliri asokohe nuk dinte mirë not dhe nuk dinte as të peshkonte, pasi përndryshe do kishte kuptuar se në një qytet panoramik raporti me natyrën dhe edhe një mur të vetëm është shumë i veçantë. Por nuk ka faj. Shikoni se çfarë i bënë Pogradecit! Nuk dihet nëse Lasgushi do i këndonte dot më shëtitoreve uniforme që janë përhapur si specie invazive në trupin e çdo qyteti.

Lexo po ashtu:  Raporti: “Trupat ruse kanë rezerva vetëm për 3 ditë”

I dyti ishte harbuti Fatos Nano. Ky prishi qendrën e qytetit dhe bëri një lulishte pijacësh siç edhe është vetë. Pa folur për ndërtimin pa kriter dhe kriminal.

Tani erdhi Edi Rama. Ata që ka bërë në Tepelenë, Belsh, Shijak, apo edhe Vlorë, do ta bëjë edhe në Sarandë. Po ato pllaka, po ato drita, po ato lojëra banale me fasadat, po ajo logjikë monotone. Pa pyetur se ajo pllakë, ai kënd, ai plazh i vockël thotë shumë.

Ka kosto zhvillimi, të thonë pacientët terminalë të Rilindjes. Por nëse ky mund të quhet zhvillim, atëherë ne duhet ta klasifikojmë atë si ojesë të sektorit shëndetësor. Maks Velo e quajti psikiatri betoni, Sarandën. Patjetër që ekzekutimi i tanishëm i bulevardit me idenë e një lungomareje është vetëm ulluku i shkarkimi në atë qytet që është barë eksperiment. Shikoni sesi vettingu urban nuk vepron në këtë rast, asnjë vilë e ndërtuar poshtë rrugës, asnjë pallata po hotel nuk preket. Po bëhet rruga, hapësirat publike janë përdhunuar në bllok dhe masivisht dhe këtë e di shumë mirë edhe kryetari i Bashkisë, aksidentali Adi Gurma.

Lexo po ashtu:  Kafshët më të veçanta në botë

Që e kupton shumë mirë se po bën një mballomë mbi mballomat që i janë vënë atij qyteti që edhe ai vetë nuk e njeh më. Po fundja grabitja si zanat i Tiranës do kërkojë patjetër edhe grabitjen e një identiteti sado modest që lidhet ngushtë me një komunitet njerëzish që mbajnë mend fare mirë se atë që e lanë dikur e humbën përgjithnjë, për të lexuar avokatinë e shëmtisë së sotme në media të ndryshme, glasa gjithë sëmundje të një kohe që flet për to dhe për ata që vjedhjen e kanë virtyt.

Sa për kryetarin e Bashkisë që e ka marrë me sevda veten i do uruar mbarësi të shkretit se nuk ka faj. Fundja ai bulevardin po e bën se i kanë thënë, i duhet vetëm të gjejë qytetarët. Po edhe në nuk i gjen dot le të lëshojë njerëzinë anës detit se mbase i kap ndonjë çehre qytetarie, por nga kjo e Tiranës ama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *