Kohëzgjatja e leximit: 5 minuta

Nga Isamil Kadare*

Nëse besoni te gazetaria e pavarur, na mbështetni sot me një "kafe" simbolike. Çdo kontribut na ndihmon ta mbajmë Mekuli Press të lirë, të pavarur dhe pa asnjë ndikim.

☕ Kliko dhe mbështete MekuliPress. Ruaje të vërtetën shqiptare.

Njerëzit janë mësuar prej shekujsh me hartat dhe leximin e tyre, sado të larmishme të jenë ato. Harta shtetesh dhe popujsh, harta historike, klimatike, detare apo tokësore, ngulitën qysh në bankat e shkollës në kujtesën e nxënësve, me emrat dhe ngjyrat e tyre dalluese.

Më pas, me shtimin e dijenive, njerëzit mësojnë se ka harta të vjetra dhe të reja, në të cilat disa nga emërtimet mungojnë ose janë zëvendësuar me të tjera. Kjo është e njohur dhe e shpjegueshme, si pasoje e zhvillimeve të historisë, kryesisht, të luftërave dhe shpërnguljeve.

Kur viset e populluara zbrazen nga gjindja e vet njerëzore, letërsia dhe arti janë të fundit që i braktisin. Mund të thyhen ushtritë, të tërhiqen rojet e fisit, të heshtë diplomacia, arti nuk bindet. Ai kthehet e rikthehet atje, të logu i vjetër.

Atje ku ndodhi shkulja, këputja mizore, krimi. Atje ku të tjerët i ndal shenja e kufirit të ri, traktatet ose rendi i ri i botës. Këto radhë janë pjesë nga parathënia, shkruar për një antologji letrare-artistike për Çamërinë, përzgjedhur nga miku im i ndjerë, Ali Podrimja, më 2004.

Lexo po ashtu:  𝗞𝘂𝗿 𝗳𝗷𝗮𝗹𝗮 𝗽𝘂𝗯𝗹𝗶𝗸𝗲 𝗶 𝘀𝗵𝗲̈𝗿𝗯𝗲𝗻 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶𝘀𝗲̈: 𝗥𝗿𝗲𝘇𝗶𝗸𝘂 𝗶 𝗻𝗼𝗿𝗺𝗮𝗹𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶𝘁 𝘁𝗲̈ 𝗸𝗿𝗶𝗺𝗶𝘁 𝗽𝗲̈𝗿𝗺𝗲𝘀 𝗺𝗲𝗱𝗶𝗮𝘀 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝗲

Çamëria bën pjesë në një nga hartat më të dhimbshme të Europës, atë që ka njohur shpërnguljen. Është një hartë për të cilën flitet me kujdes, për të mos nxitur acarime të reja, në këtë botë të shqetësuar. Ndërkaq, heshtjet, gjithashtu mund të acarojnë, ndoshta më keq. Kontinenti ynë europian është plot me shembuj të tillë dhimbjesh. Në antologjinë me motive letrare artistike për Çamërinë, është theksuar në mënyrë të ndjeshme se kjo përmbledhje nuk është as thjesht politike, as nismëtare e ndonjë fushate.
Është, në radhë të parë, një libër njerëzor. Libër me vjersha, poema dhe art, shkruar nga njerëzit për njerëzit. Është një dhimbje, që nuk ikën ngaqë dikush e shpall të paligjshme. As duke bërë sikur nuk e di. E, aq më pak, kur sillesh pa nderim ndaj saj. Në rastet e shumta kur flitet për këtë dramë, është theksuar, se Çamëria nuk është kurrsesi një fantazmë që ngrihet për të errësuar marrëdhëniet e fqinjësisë midis grekëve dhe shqiptarëve. Përkundrazi, kur popujt e lehtësojnë ndërgjegjen e tyre nga peshat e vjetra, ata afrohen më fort, dhe, rrjedhimisht, duke u kuptuar më mirë, e duan edhe më shumë njëri-tjetrin. Ky libër i ri për historinë e Çamërisë është në vazhdën e një tradite të tillë pozitive, larg mllefeve dhe smirave kombëtariste.

Lexo po ashtu:  Pleshti, - Dritëro Agolli (Poemë satirike)

Në të flitet gjerësisht për të vërtetat historike, mbështetur në dokumente të autoreve shqiptare dhe të huaj, pa paragjykimet e njohura, ato që me aq lehtësi e kthejnë çdo mirëkuptim në moskuptim dhe çdo afrim në të kundërtën e vet. Pasqyrimi gjerësisht i traditave kulturore të Çamërisë, duke nisur nga kultura urbane, nga muzika, këngët polifonike, vallet dhe veshjet e një bukurie të rrallë, është një riafirmim i thelbit pozitiv të këtij libri.

Një popull që gjen kohën e nevojshme të përpunojë me kaq finesë këta tinguj e këto ngjyra të jetës, pohon një prirje humane e mirëkuptim me botën. Vëmendja ndaj teksteve të autorëve të huaj e shqiptare, që nga Maksim Artioti i mesjetës së vonë, lindur në Artë, e gjer të Abedin Dino i Parisit të viteve 1930, pinjollit më të ri të dinastisë së Dinenjve, mik i Gertrude Shtejn, Tristan Cares e Pikasos, janë disa nga shembujt e një vizioni humanist e kulturor të Çamërisë, larg spekulimeve të ngushta politike të ditës.

Problemi çam ka mbi njëqind vjet që është i pranishëm në zonën juglindore të Europës. Ai është i ngjashëm me probleme të tjera, herë më të vjetra e herë më të reja, që janë shfaqur e shfaqën në pjesë të ndryshme të kontinentit tonë.

Lexo po ashtu:  Papa Piu II- Skënderbeut: Mos bëj marrëveshje me turqit!

Në pamje të parë shpesh ato duken të ndërlikuara e të pandryshueshme, madje të pazgjidhshme, ngaqë lidhen me emancipimin e përgjithshëm të njerëzimit, i cili, ndonëse, jep përshtypjen e një zhvillimi me ritëm të shpejtë, në të vërtetë qëllon të jetë më i ngadaltë sesa duket. Krijimi i Europës së bashkuar, në mesin e dytë të shekullit njëzetë, ka qenë një lajm i madh jo vetëm në përmasa kontinentale, por ato botërore.

Bashkë me zhvillimet e reja ekonomike, politike e kulturore, ai krijoi premisat e një çlirimi të brendshëm shpirtëror, falë të cilit u ringjallën shpresa për zgjidhje të çështjeve që ngjanin më parë pa asnjë shpresë, përveç mjeteve të armëve dhe të luftës.

Një vizion i ri për kufijtë dhe bashkëpunimin midis shteteve çon vetvetiu drejt mirëkuptimit të mëtejshëm midis kombeve, çka është baza që secili prej tyre të ndihet më i plotë brenda thesarit të përgjithshëm njerëzor, që popullon planetin tonë.

*Parathënia e librit :”Çamëria Vështrim Historik dhe Etno- Kulturor”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *