Kërcënimi ndaj kreut të Lëvizjes Vetëvendosje ka ardhur nga një person me emrin e Facebook-ut, Daniel Arianitti.

Ai ka thënë se jep dëmshpërblim prej 10 milionë eurove në këmbim “të kokës së Albinit”, të cilin e ka krahasuar me ish-liderin e Kubës, Fidel Castron.

“10 milion euro kush ma sjell kokën e Albinit, Fidel Castros, psikopatit shqiptar”, ka shkruar ai në Facebook.

Kërcënimin ndaj Albin Kurtit e ka denoncuar në Policinë e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje.

Zëdhënësi i LVV-së, Arlind Manxhuka, ka thënë se lënda është në duart e “organeve të hetuesisë e rendit”.

Në një postim në Facebook, Manxhuka u bëri thirrje aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje të mos merren privatisht me kërcënuesin.

“E di që shumë prej jush e keni marrë me shumë seriozitet një kërcënim të një personi që kishte bërë ndaj Albinit në FB, por nuk është zgjidhje që privatisht e personalisht të merreni me të, madje s’do të duhej”, ka shkruar Manxhuka në reagimin e tij.

Më 28 dhjetor të vitit të kaluar, Albin Kurti ishte kërcënuar me jetë nga Haxhi Hoti, ish-kandidat për deputet i Nismës Socialdemokrate.

Lexo po ashtu:  Volkswagen ndryshon emrin në “Voltswagen”. Njofton se ishte gënjeshtër për 1 prillin. Tërheq vëmendje te makinat elektrike

Përmes një postimi në Facebook, Hoti kishte bërë një krahasim mes presidentit të vrarë amerikan, John Kennedy dhe Albin Kurtit.

Hoti kishte thënë se ndonëse populli e deshi të parin për udhëheqës të shtetit, nuk ishte në interesin e shtetit që ai të ishte president, kurse për Kurtin ka thënë se populli “ndoshta” e do, “por nuk është interes i shtetit që ky të jetë kryeministër”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *