Roli i gruas shqiptare për pavarësi

Që të mbërrihej tek pavarësia u bë një luftë e madhe në 500 vjet dhe jo vetëm kur shekulli XX sapo u fut në derë. Historiani Kotani, thotë se në këtë luftë një vlerë të madhe ka pasur dhe roli i gruas shqiptare.

Jo vetëm qëndistarja Marigo, apo mësueset Qirjazi, por dhe shumë të tjera që kanë luftuar me armë, u bënë pararoja nga kaloi Pavarësia. Dr. Apostol Kotani vazhdon: “Me gjithë pengesat konceptuale e zakonore gjatë gjithë historisë shekullore të luftërave për liri e pavarësi, gruaja shqiptare ka luajtur rol të rëndësishëm, si në prapavija ashtu edhe në vijën e parë të luftës.

Në epokën që udhëhoqi Heroi Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, gratë ishin të pranishme në çdo betejë. Kronisti venedikas i kësaj periudhe, A.Sabeliko, humanisti Marin Beçikemi apo kronisti bizantin i shekullit XV, Kristobulli dalin në të njëjtin përfundim: “Edhe gratë edhe vajzat shqiptare nuk mbeteshin pas nga burrat për trimëri”. Roli dhe pjesëmarrja e gruas u rrit shumë në kohën e luftërave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Përmes vështirësish të mëdha ajo çau rrugën përpara dhe iu përgjigj kërkesave themelore të Rilindjes Kombëtare në fushën e dijes dhe atë të luftës.

Lexo po ashtu:  Çabej: Gjuha shqipe është e pasur, pastërtia e saj është tregues i nivelit të kulturës - "Sot më fort se kurrë na shtrohet detyra që këtë gjuhë ta pasurojmë me fjalë të visarit popullor dhe ta spastrojmë nga masa e lëndës së huaj."

Katër vjet pas çeljes së shkollës së parë shqipe për djem në Korçë, më 1891 Sevasti Qirjazi çeli shkollën e parë të vajzave që përgatiti edhe shumë luftëtare të çlirimit kombëtar dhe pavarësisë kombëtare. Shumë gra e vajza të panjohura deri atëherë, bija familjesh të thjeshta, u shquan si organizatore, propaganduese dhe luftëtare të ideve të Rilindjes Kombëtare. Në shtypin patriotik të kohës shkrimet e para, të thjeshta por të zjarrta, u bënë nga vajzat dhe gratë përparimtare.

Ato krijuan edhe shoqëritë e tyre. Kështu në Korçë më 1910 u krijua shoqëria “Ylli i Mëngjesit” nga Parashqevi Qirjazi, e para shoqëri e grave shqiptare, ajo u pasua nga një shoqërie edhe në Leskovik dhe me degë nëpër fshatra. Në Përmet e Leskovik u çelën shkolla për vajzat. Për t’u përmendur për kontributin e tyre janë: Lino Grameno, Polikseni Luarasi, Evdhoksi Gërmënji, Qelidhona Falli, Kostandine Logo, bashkëshortja e Atë Stath Melanit etj.

Gratë morën pjesë edhe në kryengritjet e mëdha të viteve 1910-1912 për çlirimin kombëtar dhe shpalljen e pavarësisë kombëtare. Merushe Ismaili nga Shalësi i Konispolit, 18 vjeçe, bashkë me burrin e saj Nelon u radhitën në çetën patriotike të Muharrem Rushitit prej vitit 1908 deri në luftën ballkanike.

Lexo po ashtu:  Fragment nga “Doktor Gjilpëra”, Faik Konica

Në Grykën e Kaçanikut, në luftën kundër forcave turke të Turgut Pashës, në vijën e parë të zjarrit kaluan edhe gratë. Shembullin e tyre e ndoqën gratë e Malësisë së Madhe, të Shkodrës, Dibrës etj.

Gazeta turke “SABAH” e datës 16 prill 1911, shkruante ndër të tjera se në luftimet e Tuzit me malësorët kishte edhe gra e vajza të veshura me rroba burrash.

Disa prej tyre ua kalonin edhe burrave në vijën e parë të luftës. Midis tyre spikasin: Tringa e Malësisë, Nora Kolja e të tjera, të cilat populli i përjetësoi në këngë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *