Shkruan: Mexhid Yvejsi

HOXHË JONUZ ZEJNULLAHU – DESHMOR I KOMBIT – (1975-1999)

”Në krye të xhamisë flet nji i mam
Djal i ri e hoxhë i rrallë
Më i ndëgjoni burra këto fjalë
Sod po due diçka me ju thanë
Në xhami ma nuk muj me dalë
As xhuma ma nuk muj me falë
Detyrë kemi o pushken me marrë…”

Hoxhë Jonuz Zejnullahu ka lindur më 12 maj1975 në katundin Gjylekar, që sot quhet Skyfteraj, në rrethin e Vitisë. Mësimet fillestare i kreu në vendlindje, në shkollën fillore ”Emin Duraku”, kurse mësimet e mesme, medresenë ” Alaudin”, e kreu në Prishtinë, ku diplomoi në vitin 1995. Studimet e larta i ka vazhduar në Fakultetin e Drejtësisë (Sheriatin) në Damask të Sirisë.
Qysh kur ishte nxënës në medrese, Jonuz Zejnullahu shërbeu si imam gjatë muajit të bekuar Ramazan në Vuthaj, të Malit të Zi, kurse pas diplomimit ka shërbye nëpër xhami të ndryshme, si në xhaminë e katundit Dobresh, Gadish, Kravariç dhe më në fund në vendlindje, në katundin Skyfteraj.
Gjatë gjithë kohës që sherbente nëpër këto xhami,hoxha i ri, Jonuz Zejnullahu, në vazhdimësi pati telashe me polici, të cilët e ndalnin, e merrshin në pyetje, e kërcnonin, e pengonin, e arrestonin, por ai nuk frikësohej, nuk nështrohej. Policia serbe e arrestoi gjashtë here, dy herë qe arrestuar nga policia serbe në Viti, kurse katër herë në Gjilan.
Hoxhë Jonuz Zejnullahu ka marrë pjesë nëpër demonstratat e ndryshme që zhvilloheshin nëpër qytetet e Kosovës…Kurse, nëpër raste të ndryshme, gjatë tubimeve me xhemat nëpër oda e xhami u fliste në vazhdimësi për situatën e vështirë ekonomike, politike, arsimore, kulturore, fetare, shoqërore që po përjetonte Kosova nën regjimin serb të Millosheviçit dhe u jepte shpresë se liria është afër, por duke i këshilluar të përgatitën për luftë, për qëndresë…

Lexo po ashtu:  Gjermania uron LVV-në për fitoren e thellë: Duhet të formohet sa më shpejt qeveria


Me daljen në sipërfaqe të UÇK-së, Hoxhë Jonuzi organizonte mbledhjen e ndihmave të ndryshme për luftëtarët e UÇK-se dhe kur filluan bombardimet e NATO-s, ai hyri në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si ushtar në Brigadën 138 ”Agim Ramadani”….
Më 5 maj të vitit 1999, tek vendi i quajtur ”Rrasa e Zogut” në Koshare, zonë e rrezkshme kufitare, në rrethin e Gjakovës, Hoxha Jonuz Zejnullahu u përshëndet me shokët ushtarë-luftëtarë dhe me bomba në duar sulmoi bunkerin serbë, duke hedhur në ajër shumë ushtarë serbë. Me këtë veprim me aq guxim, sikur deshti të dëshmonte, se vdekja nuk është fundi i jetës, por është një fillim i ri në liri…Në këtë aksion u plagos rëndë, shokët luftëtarë e ndihmuan sa paten mundësi, e dërguan në Malësi, por nga plagët e marra ndrroi jetë në qytetin Bajram Curri, ku edhe u varrosë, por më vonë, pas luftës është rivarrosur me ceremone fetare në ”Varrezat e Dëshmorëve” afër vendlindjes së tij, në Viti.


Për guximin, trimërinë e tij, komandanti Rrustem Berisha, deklaroi:
”Lindi Mic Sokoli i shekullit XXI”
Për shembullin e tij, se qysh luftohet për lir, mërgimtarët e katundit Skyfteraj, kanë ngritur përmendore për Hoxhën dhe dëshmorët tjerë…
Për ta nderuar, përjetësuar emrin e Hoxhës, sot Shkolla e Mesme Teknike në Viti si edhe një rrugë e Vitisë, pranë Këshillit të Bashkësisë Islame e mban emrin ”Hoxhë Jonuzi”. Hoxhë Jonuz Zejnullahut, pas rënies heroike, i janë dhënë shumë çmime, mirënjohje, dekorata dhe është shpallur Dëshmor i Kombit.
Për këtë Dëshmor të Kombit, Hoxhë Jonuzin, këndohen këngë, janë thurrur edhe poezi, që dëshmojnë me besnikëri personalitetin e tij, sikur thuhet në këtë poezi:

Lexo po ashtu:  Diplomati gjerman, Wolfgang Ischinger kritikon marrëveshjet në Shtëpinë e Bardhë

NË KRYE TË XHAMISË…
(Kushtuar Hoxhë Jonuz Zejnullahut)
(1975-1999)

”Në krye të xhamisë flet nji imam
Djal i ri e hoxhë i rrallë
Më i ndëgjoni burra këto fjalë
Sod po due diçka me ju thanë
Në xhami ma nuk muj me dalë
As në xhuma ma nuk muj me falë
Detyrë kemi o pushken me marrë
Mos ja mësyni ma xhamisë
Unë po i veshi teshat e ushtrisë
O unë po shkoj në UÇK-e
O pa vatan jo nuk ka fe.
Fjalë nga zemra e plot me zjarrë
Po u flet burrave ky hoxhë, imam,
Ky hoxhë, imam, zemër luan
Amanet naj la nji fjalë
Kush atdheun nuk e don
Jo atë njeri Zoti nuk e don
Nuk e don atë njeri Allahu
O kështu thoshte Jonuz Zejnullahu.
Në atë pranverë o nanddhjetë e tetë
Kur Kosova në flakë u ndez
UÇK-së nji pushk ju shtue
Hoxhë Jonuzi duel me luftue
Me flamur e pushkë në dorë
Hallall jeten për ty Kosovë.
Në muejin maj o nanddhjet e nanë
Tanë Kosovës flaka tue i dalë
Hoxhë Jonuzi bre trim i rallë
I pakapshem e guximtar
Në vijë të luftes gjithmon i parë
Shkrepke plumba në shkije pa ndalë
Thuese Mici për së dytë u ngjallë.
Trim Jonuzi shkonte si era
Hidhet trimi në do bunkera
Çerdhet shkaut po ja shkatërron
Por nji plumb keq e kishte marrë
Turrin djalit ja ka ndalë.
Në dorë të shkjaut gjallë mos me ra
Prej rrethimit ai vet a dalë
Në Rrasë të Zogut trimi ish ndalë
Në Rrasë të Zogut deshti me pushue
Por në atë vend jetë ka ndërrue.
Në ag të lirisë ai ra dëshmor
Mbarë Vitia e kujton
Fshati lindjes nder i ban
Hoxhë Jonuzin dhe pesë të tjerë
Që i ka dhanë fshati skifter
Thonë kësi trima don liria
Si Jonuzi dhe Shabia
Si Kenani dhe Baftija
Si Mehmeti e Selamia.
Hoxhë Jonuzi ka lanë nji fjalë
Për dëshmorët vetë ka pas thanë
Jo deshmori thoshte nuk vdes
Asht i gjallë e jeton me ne
Pra sa të asht jeta me jetue
Jo Kosova nuk ka me ju harrue
Në zemra tona do të jeni të gjallë
Nuk ju harron o asnji shqiptarë.

Lexo po ashtu:  Sapo Biden mori detyrën, Kina shpall “non grata” Pompeon dhe këshilltarët e tij

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *