Le të mos ja japim Virusit Corona këmbët tona që më pas të na i marrë jetët tona

(Adresimi i Kryeministrit dhe Ministrit të Shëndetësisë lidhur me Covid-19)

Prishtinë, 12 prill 2020

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, kanë mbajtur konferencë për media, në të cilën kanë njoftuar për masat që do të ndërmerren nëpër komunat e Republikës së Kosovës, në respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetues.

“Gjykata në asnjë moment nuk e ka kontestuar legjitimitetin e masave që i kemi ndërmarrë për të parandaluar shpërndarjen më të madhe të virusit COVID-19, por vetëm ka konstatuar se të njëjtat duhet të merren nga Ministria e Shëndetësisë, dhe jo për krejt territorin e Kosovës, por për komuna veç e veç”, tha kryeministri në detyrë Kurti, duke theksuar se jemi të përkushtuar për të respektuar këtë vendim në tërësinë e tij dhe si rezultat i kësaj, prej sonte marrja e vendimeve do të bëhet direkt prej Ministrisë së Shëndetësisë në konsultim me komunat respektive dhe ministritë e linjës të përfshira në këtë proces.

Kryeministri në detyrë Kurti u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës pa dallim etnie, partie, komune, rajoni, prejardhje, moshe, gjinie që të jemi bashkë sepse Virusi Corona nuk bën dallime tek ne sipas asnjë tipari.
“Le të mos ja japim Virusit Corona këmbët tona që më pas ky virus të na i marrë mushkëritë tona, të na e marrë frymën, të na e marrë jetën. Prandaj duhet ta përsërisim atë që kurrë nuk mund ta përsërisim mjaftueshëm. Qëndroni në shtëpi. Ruani higjienën personale. Dhe mbajeni distancën fizike ndaj njëri- tjetrit. Duke mbrojtur vetën e mbrojmë njëri- tjetrin dhe shpëtojmë të gjithë!”, u shpreh kryeministri në detyrë Kurti.

Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti në konferencën për media

Mirëmbrëma të gjithëve.
Përshëndetje të nderuar gazetarë , mirë se keni ardhur sonte në këtë konferencë edhe pse është e diel. Sigurisht shumë prej jush, me të drejtë dëshironi të dini se çka do të ndërmerret pas kësaj date, pra pas 12 prillit. Ky është edhe qëllimi i konferencës të sotshme.

Lexo po ashtu:  Presidenti sulmon ambasadorët për reformën në drejtësi

Koha nëpër të cilën jemi duke naviguar nuk është aspak normale. Situata emergjente shëndetësor që është krijuar si rezultat i kësaj pandemie e që ka prekur krejt botën, na ka dhënë hapësirë që të fokusohemi në marrjen e masave preventive, në vend se të fillojmë e të mbledhim trupat e të vdekurve ashtu siç po ndodh në jo pak shtete të ndryshme. Ne jemi të përkushtuar që të veprojmë para se të bëhet vonë.

Megjithatë, këto masa preventive edhe na kanë kushtuar pak. Ju të gjithë e keni parasysh vendimin e Gjykatës Kushtetuese i cili na ka lënë kohë deri të nesërmen e 13 prillit për të rishikuar procedurën e vendimeve të marra.

Ta kemi parasysh që Gjykata në asnjë moment nuk e ka kontestuar legjitimitetin e masave që i kemi ndërmarrë për të parandaluar shpërndarjen më të madhe të virusit COVID-19, por vetëm ka konstatuar se të njëjtat duhet të merren nga Ministria e Shëndetësisë, dhe jo për krejt territorin e Kosovës, por për komuna veç e veç.

Ne jemi të përkushtuar për të respektuar këtë vendim në tërësinë e tij dhe si rezultat i kësaj, prej sonte marrja e vendimeve do të bëhet direkt prej Ministrisë së Shëndetësisë në konsultim me komunat respektive dhe ministritë e linjës të përfshira në këtë proces. Vendimet do të merren për komuna të caktuara varësisht nga nevojat që vijnë si rezultat i rekomandimeve të Institutit Kombëtar për Shëndetësi Publike në Kosovë.

COVID-19 është një armik i pa dukshëm e i heshtur që edhe vret, andaj parandalimi është zgjidhja e mjaftueshme, por edhe e nevojshme kur sistemi publik shëndetësor nuk është në nivel të kënaqshëm, nuk është i rregulluar sa duhet e siç duhet sikurse është puna e këtij sistemi në vendin tonë.

Lexo po ashtu:  Intervistë në DW: - Prioriteti ynë është lufta kundër krimit dhe zhvillimi i ekonomisë

Si shoqëri dhe si popull, kemi përballuar sfida shumë më të mëdha sesa kjo. Edhe këtë sfidë mund ta kalojmë, por vetëm bashkë. Bashkë dhe vetëm bashkë do të dalim prej kësaj krize, më të fortë, më të dijshëm, më të kujdesshëm dhe më të mençur sesa përpara.

Atëherë për fund u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës pa dallim etnie, partie, komune, rajoni, prejardhje, moshe, gjinie që të jemi bashkë sepse Virusi Corona nuk bën dallime tek ne sipas asnjë tipari.

Le të mos ja japim Virusit Corona këmbët tona që më pas ky virusi Corona të na i marrë mushkëritë tona, të na e marrë frymën, të na e marrë jetën. Prandaj duhet ta përsërisim atë që kurrë nuk mund ta përsërisim mjaftueshëm.

Qëndroni në shtëpi.
Ruani higjienën personale.
Dhe mbajeni distancën fizike ndaj njëri- tjetrit.
Duke mbrojtur vetën e mbrojmë njëri- tjetrin dhe shpëtojmë të gjithë!

Faleminderit!

Fjala e plotë e ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia në konferencë për media

Faleminderit kryeministër,
Të nderuara media,
Të nderuar qytetarë të Republikës,

Sot, ne jemi duke luftuar me një armik të padukshëm. Sot më shumë se kurrë duhet të bashkëpunojmë në këtë betejë për ta mbrojtur shëndetin publik. Deri më tani kemi dëshmuar vetëdijen kolektive për të cilën u jemi mirënjohës. Mirëpo, jo mjaftueshëm. Një pakujdesi më e vogël tani na kushton humbje të mëdha jetësh.

Të dashur qytetarë,

Sëmundja Covid-19 gjatë javëve në vijim do të hyjë në fazën kulminante të shpërndarjes së saj. Tani më si konstatim i bazuar në përvojën e shteteve të tjera të cilat tani gjenden në një situatë të vështirë për momentin. Falë masave të ndërmarra dhe me bashkëpunimin tuaj, kemi arritur që deri më tani ta kemi një situatë më të kontrolluar në raport me numrin e të sëmurëve. Por, e përsëris, – fatkeqësisht kjo nuk mjafton dhe nuk do të mjaftojë.

Lexo po ashtu:  Pse Kina po shpon një vrimë 10 mijë metra të thellë në Tokë?!

Gjatë ditëve të fundit kemi pasur rritje të numrit të infektuarve, gjë që është evidentuar në raportin e Institutit i cili bazuar në studimet e fundit epidemiologjike nga terreni, ka sjellë rekomandimet me kërkesën për masa më rigoroze. Ne ju falënderojmë shumë për bashkëpunimin e deritanishëm dhe për kujdesin e treguar, mirëpo është dëshmuar që kjo nuk mjafton. Çdo lëshim i vogël mund të na kushtojë tani e tutje shumë.

Tani jemi në situatën kur nuk duhet dhe nuk mundemi të tolerojmë neglizhencë karshi këtij virusi të rrezikshëm, dhe duhet patjetër bashkëpunimi dhe koordinimi i masave bashkë me qytetarët në mënyrë që të parandalojmë përhapjen e mëtutjeshme.

Marrë parasysh këtë, prej sonte në mesnatë hyjmë në fazën kur për secilën komunë hyn në fuqi vendimet në lidhje me masat që ndalojnë qarkullimin. Masat që hyjnë në fuqi sonte, do të jenë të njëjta me ato të cilat kane qenë aktive deri më tash. Megjithatë, marrë parasysh që sot në orët e pasdites pas disa takimeve që i kemi pasur edhe në nivel ekspertësh nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, kemi marrë pra këto rekomandime për shtrëngimin e masave dhe ju njoftoj që këto masa do të jenë në fuqi deri në vendimin e radhës, e presim që masat me rigoroze pas konsultimeve të grupeve teknike të cilat tanimë veç janë duke punuar në Ministrinë e Shëndetësisë do të bëhen publike dhe do të hynë në fuqi brenda dy ose tri ditësh.

Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm në vazhdimin e respektimit të masave të marra deri më tash, meqenëse nga respektimi i rekomandimeve që i kemi dhënë si institucione, nga masat që kemi marrë dhe po i marrim e mbi të gjitha nga kujdesi dhe bashkëpunimi i juaj varen jetët tona.

Ju faleminderit!

(Fotografitë: ZKP-ZKM)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *