“Ja për shembull një grua, e cila ka shkuar në një takim të parë.

Ajo i njeh fort mirë synimet që ushqen ndaj saj burri që po flet.

Ajo e di gjithashtu se herët a vonë do t’i duhet të marrë një vendim. Mirëpo ajo nuk dëshiron ta ndiejë urgjencën: ajo jepet vetëm pas anës së respektshme e të matur të sjelljes së partnerit.

Ajo nuk e rrok këtë sjellje si orvatje për të përmbushur atë çka e emërtojmë “qasjet e para”, domethënë që nuk ia ka enda të shohë mundësitë e zhvillimit të përkohshëm që paraqet kjo sjellje: ajo e kufizon këtë sjellje në atë çka është në të tashmen.

Në fjalitë që i drejtohen, ajo nuk don të lexojë gjë tjetër, përveç kuptimit të shprehur qartë. Nëse i thonë: “Sa shumë ju adhuroj!”, ajo e çarmatos këtë fjali me thellësinë e vetëdijes së saj seksuale, i mvesh ligjërimeve dhe sjelljes së bashkëbiseduesit domethënie të menjëherta që i përfytyron si cilësi objektive.

Burri që flet i duket i çiltër e gjithë respekt, ashtu siç, të themi, tryeza është rrumbullake a katrore, letra që vesh muret është blu a e përhime. Dhe cilësitë e mveshura kësisoj personit që ajo po dëgjon, kanë ngrirë kështu në një qendrueshmëri sendore, e cila nuk është gjë tjetër veçse hedhje në rrjedhën kohore i të tashmes së tyre të përpiktë.

Lexo po ashtu:  6 shprehje shkatërrimtare, që duhet t’i largoni nga fjalori juaj

Pikërisht, ngaqë ajo nuk është në dijeni të asaj çka uron: ajo është thellësisht e ndjeshme ndaj dëshirës që frymëzon, por dëshira e thënë troç dhe cullake do ta poshtëronte e do ta llahtariste. Megjithatë, ajo nuk do të përjetonte asnjë mrekulli prej një respekti që do të ishte vetëm e thjesht respekt.

Për ta kënaqur, lipset një ndjenjë që i drejtohet e gjitha personit të saj, domethënë lirisë së saj plotësore, e që të jetë një njohje e lirisë së saj. Mirëpo, në të njëjtën kohë duhet që kjo ndjenjë të jetë e gjitha dëshirë, domethënë që t’i drejtohet trupit të saj si objekt. Pra, këtë herë, ajo shkagon ta rrokë dëshirën për atë çka është, madje, nuk i vë as emër, e njeh vetëm në atë masë, teksa ajo përvijohet kah adhurimi, vleresimi, respekti dhe kur përthithet e gjitha në trajtat më sipërane që përfton, deri në atë pikë sa shpaloset aty si një lloj ngrohtësie a dendësie.

Por ja që i marrin dorën. Ky veprim i bashkëbiseduesit të saj ka rrezik ta ndryshojë situatën duke i bërë thirrje një vendimi të menjëhertë: ta braktisësh këtë dorë do të thotë të mos kesh vetiu kundërshtim për flirtin do të thotë të përfillësh. Ta heqësh dorën do të thotë të prishësh këtë harmoni të trubullt e të brishtë që përbën magjinë e këtij çasti.

Lexo po ashtu:  Gjithmonë do gjendet një dorë gruaje…

Lipset të shtyhet sa më larg të jetë i mundur çasti i vendimit. Dihet se ç’ndodh atëherë: gruaja rioshe e heq dorën, por nuk e ve re që e heq. Ajo nuk e ve re, sepse, në këtë çast, rastësisht, është gjithë qejf. Ajo e tërheq bashkëbiseduesin e saj gjer në visit më sipërore të spekullimit sentimental, flet për jetën, për jetën e saj, shfaqet në aspektin e saj thelbësor: një njeri, një vetëdije. Dhe gjatë kësaj kohe, ndarja e trupit dhe e shpirtit është përmbushur; dora prehet pa gjallëri midis duarve të ngrohta të partnerit të vet: as tumirëse, as qëndrestare-diçka.

Ne do të themi që kjo grua e ka me hile.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *